Lajm24 Sep 2021

SHBA mbështet Bashën kundër Berishës

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë ofroi “mbështetjen e Uashingtonit” për udhëheqësin demokrat, ndërsa ky i fundit përballet me fushatën e ish-kryetarit Sali Berisha që synon ta rrëzojë atë përmes takimeve me anëtarët e thjeshtë.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Ambasadorja e SHBA Yuri Kim duke vizituar Partinë Demokratike në Tiranë më 24 shtator 2021. Foto: LSA

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë Yuri Kim ofroi mbështetje publike me një deklaratë të fortë për kryetarin e opozitës Lulzim Basha të premten pas një takimi në të cilin, ambasadorja deklaroi se i ka përcjellë Bashës “mesazhin nga Uashingtoni”.

“I thashë kryetarit Basha se Uashingtoni mbetet i angazhuar të punojë edhe më afër me Partinë Demokratike,” deklaroi ajo.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka pasur gjithmonë një marrëdhënie shumë të fortë dhe speciale me Partinë Demokratike që nga fillimi,” tha Yuri Kim. “Ne kemi qenë atje me Partinë Demokratike kur ajo mori pushtetin për herë të parë dhe shpresojmë që të jemi në të njëjtin pozicion dhe të festojmë kur ajo të marrë pushtetin sërish.”

Basha hyri në telashe me ish-kryetarin demokrat Sali Berisha pasi vendosi të dëgjojë kërkesën e amerikanëve për ta përjashtuar atë nga grupi parlamentar pasi Departamenti i Shtetit e emërtoi Berishën si “të korruptuar”. Pas vendimit në fillim të shtatorit, Berisha ka bërë të ditur se nuk do të ikë në heshtje dhe ka kërcënuar se do ta rrëzojë Bashën nga pozicioni i kryetarit. Ish-kryeministri dhe ish-presidenti hedh poshtë emërtimin amerikan si “i përfshirë në korrupsion madhor” dhe e konsideron përjashtimin nga grupi parlamentar si “thikë pas shpine” për të.

Ndërsa Berisha ka nisur një turne takimesh nëpër qytete të ndryshme për të folur drejtpërsëdrejti me demokratët e thjeshtë dhe me synimin për të minuar kontrollin e partisë nga Basha, shumë kanë ngritur pyetjen nëse këto telashe po e dobësojnë Partinë Demokratike duke i lënë fushë të lirë socialistëve të qeverisin pa konkurrencë.

“Ne jemi shumë të vetëdijshëm se ky është një çast i vështirë për Partinë Demokratike, por është një çast tranzicioni, është një mundësi dhe shpresa jonë si SHBA që Partia Demokratike do të dalë më e fortë, do të dalë më e bashkuar dhe do të jetë edhe një herë në pozicion për të fituar zgjedhjet,” Yuri Kim deklaroi.

Demokratët dolën nga humbja e tretë rradhazi në zgjedhje parlamentare më 25 prill ndërsa pushteti i tyre real është i kufizuar vetëm në një bashki në Shkodër. Socialistët kanë dhënë shenja se janë të gatshëm të hyjnë në kompromis për një reformë të mundshme territoriale, e cila mund të krijojë më shumë hapësira për opozitën në zgjedhjet e ardhshme për pushtetin vendor. Reforma e kaluar territoriale e vitit 2015 u bë sipas dëshirave të një koalicioni të gjerë të socialistëve me Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe Partinë Drejtësi Integrim dhe Unitet ndërsa harta e sotme shikohet nga shumë si e tillë që favorizon socialistët së paku në disa bashki kyçe si Tirana.

Ambasadorja amerikane sugjeroi se SHBA do të mbështesin kryerjen e një reforme territoriale por gjithashtu edhe luftën kundër korrupsionit apo një reformë zgjedhore por ajo sugjeroi gjithashtu se rruga përpara nënkupton shkëputje të plotë nga e shkuara, pra Berisha, ndërsa theksoi se SHBA “është serioze deri në vdekje” sa i përket luftës kundër korrupsionit.

“La punë për t’u bërë në reformën territoriale, ka punë për t’u bërë kundër korrupsionit. E gjitha kjo kërkon një Parti Demokratike të fortë dhe të bashkuar që lëviz përpara, ti nuk mund të lëvizësh përpara me një këmbë të ngecur në të shkuarën,” tha ajo. Basha nuk mbajti deklaratë pas takimit.