Në një video të animuar të publikuar në faqen e vet të Facebook, ambasada e SHBA në Tiranë paralajmëroi se po vijnë “raste të tjera” të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve shqiptarë që pritet të shpallen të padëshirueshëm për të gjithë jetën për shkak të përfshirjes në raste madhore korrupsioni.
Ambasada e SHBA në Tiranë paralajmëroi se do të përshkallëzojë përdorimin e instrumentit të vet ligjor 7031 (c) kundër zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve shqiptarë, të cilët gjykohet se janë përfshirë në raste madhore korrupsioni.
Në një video të animuar të publikuar në faqen e vet të Facebook, ambasada shpjegoi se çfarë nënkuptonte përcaktimi ligjor 7031C para se të paralajmëronte se kishte në axhendë shpalljen e rasteve të tjera, përveç atyre të Adriatik Llallës, Tom Doshit dhe Vangjush Dakos. Ambasada bëri të ditur gjithashtu se i konsideron zyrtarët e korruptuar në Shqipëri si persona që punojnë kundër interesave të SHBA-së.
“Kush do të përcaktohet sipas 7031C herën tjetër?” pyeti ambasada në mënyrë retorike në video.
“Departamenti i Shtetit sapo ka filluar ta përdorë autoritetin e tij 7031C kundër zyrtarëve të tanishëm dhe të kaluar shqiptarë të korruptuar. Raste të tjera po vijnë,” thuhet në video.
“Zyrtarët e tanishëm dhe të kaluar të korruptuar duhet të dijnë se ata dhe anëtarët e familjeve të tyre rrezikojnë të humbasin privilegjin për të hyrë në Shtetet e Bashkuara në të ardhmen,” paralajmëron ambasada.
Ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe familja e tij ishin të parët në botë që ranë viktimë e nenit 7031C pasi u shpallën të padëshirueshëm nga ish-Sekretari i Shtetit Rex Tillerson.
Qeveria e SHBA, e cila gëzon besimin e shqiptarëve në atë që në diplomaci quhet pushtet i butë, ka shpallur persona të ndaluar për të hyrë në SHBA edhe deputetin Tom Doshi dhe ish-kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako.
Video shpjeguese tregon edhe se çfarë nënkupton SHBA me “korrupsion madhor”.
“Ky është një ndëshkim i rëndë vetëm për zyrtarët më të korruptuar kudo në botë,” thuhet në video. “Departamenti i Shtetit shqyrton rastet e korrupsionit në mbarë botën si dhe ndikimin e tyre në interesat kombëtare të SHBA-së,” vijon më tej shpjegimi.
Përvetësimi i pasurisë publike, marrja apo dhënia e parave apo ndërhyrja në procese gjyqësore apo zgjedhore janë arsyet se pse SHBA vendos të shpallë një zyrtar publik si person të ndaluar për të hyrë në SHBA.
Departamenti i Shtetit nuk shpjegon se cilat episode konkrete i gjykon si raste korrupsioni të vlefshme për të sjellë ndalimin e një zyrtari të huaj.
Llalla u shpall i tillë pasi u denoncua publikisht nga ish-ambasadori i SHBA-së Donald Lu si “armik i reformës në drejtësi”, ndërsa Doshi u shpall i tillë pas zgjedhjeve të vitit 2017, në të cilat arriti të ruajë një mandat si deputet duke garuar në emër të Partisë SocialDemokrate, pasi ishte përzënë nga Rama nga Partia Socialiste.
Vangjush Dako u shpall i padëshirueshëm pasi përgjimet e një dosjeje të prokurorisë të njohur si Dosja 339, në të cilën elementë të krimit të organizuar në zonën e Shijakut shfaqen duke bërë fushatë elektorale, apo duke lobuar për emërim deputeti në listën e socialistëve apo duke blerë vota për llogari të Partisë Socialiste.