Lajm6 Jan 2017

Shefi emergjencave civile, akuza për kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve

Në një intervistë për BIRN, shefi i emergjencave civile Shemsi Premçi, ka akuzuar kompanitë e kontraktuara për pastrimin e rrugëve, se nuk po përmbushin detyrimin për të hedhur kripë në rrugët e bllokuara nga dëbora.

Autor: Lindita Çela BIRN Tiranë
Printo

Mali i Dajtit mbi Tiranë i mbuluar nga dëbora më 6 Janar 2016. Foto: Malton Dibra/LSA

Mali i Dajtit mbi Tiranë i mbuluar nga dëbora më 6 Janar 2016. Foto: Malton Dibra/LSA

“Në shumë zona kemi konstatuar se ato kompani që janë kontraktuar për të mirëmbajtur rrugët, jo vetëm që nuk kanë hedhur kripë, por as nuk angazhohen për të ndihmuar në grupet e emergjencës që janë ngritur,” tha Premçi.

“Edhe pse këto kompani paguhen për këto punë e tërë situata po përballohet nga forcat e emergjencës, policia dhe ushtria që po punojnë në zhbllokimin e rrugëve dhe zonave që janë krejtësisht të izoluara,” shtoi ai.

E ndërsa Drejtori i Emergjencave Civile ngre gishtin kundër kompanive private, ministria e Brendshme në njoftim të saj zyrtar shprehet se ato janë në krye të detyrës.

“Strukturat e Emergjencave Civile në rrethe dhe kompanitë e kontraktuara për mirëmbajtjen e rrugëve kanë qenë në krye të detyrës duke pastruar dëborën në akset rrugore, duke hedhur skorie e kripë në rrugë apo duke u ardhur në ndihmë mjeteve që kishin problem,” thotë njoftimi.

Kritika kundër kompanive të kontraktuara por edhe kundër qeverisë kanë ardhur dhe nga Partia Demokratike në opozitë.

“Edhe pse pritej një mot i tillë, qeveria është e papërgatitur dhe mungon ndërhyrja e saj. Është tronditëse ajo që u pranua në shtabin qendror të emergjencave, se ka mungesë kripe për të zhbllokuar rrugët e zëna nga dëbora dhe akulli,” tha në deklaratë deputeti Edmond Spaho.

“Kjo tregon papërgjegjshmëri dhe abuzim ekstrem,” shtoi ai.

Mali i Dajtit mbi Tiranë i mbuluar nga dëbora më 6 Janar 2016. Foto: Malton Dibra/LSA

Mali i Dajtit mbi Tiranë i mbuluar nga dëbora më 6 Janar 2016. Foto: Malton Dibra/LSA

Moti i ftohtë dhe reshjet e dëborës gjatë 48 orëve të fundit kanë bllokuar rrugët në shumë zona në veri dhe juglindje të vendit.

Për shkak të motit të keq janë raportuar ndërprerje të energjisë elektrike në qarqet Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Lezhë, Kukës dhe Dibër. OSHEE ka njoftuar se aktualisht janë me defekt 23 fidera në rrjetin e shpërndarjes dhe kompania ka angazhuar më shumë se 1,800 punonjës për riparimin e tyre.

Situata paraqitet më kritike në veri të vendit, ku fshatrat të tërë në Kukës, Tropojë, Malësi e Madhe dhe Peshkopi janë të bllokuara dhe në disa zona mungon energjia elektrike dhe uji i pijshëm. Në këto zona dëbora ka kaluar mbi 1 metër lartësi.

Sipas ministrisë së Brendshme akset rrugore Kukës-Shishtavec, Kukës-Shën Mëri dhe Surroj –Arrën, Bogë-Qafë Thore – Theth janë të pakalueshme.

E bllokuar është dhe rruga që lid Fushë-Arrëzin me Pukën dhe aksi rrugor, Qafë Mali – Fierzë, si dhe aksi Qafë-Shllak – Kukës. Në Malësinë e Madhe, segmentet rrugore Bogë-Qafë Thore, Selcë (Shkëmb i Kuq)-Budaqë (Vermosh), janë të bllokuara. Ndërsa në qarkun e Dibrës i kalueshëm, por vetëm me zinxhirë, është aksi rrugor kombëtar Qafë Bualli –Peshkopi.

Pas shumë vitesh dëborë ka mbuluar qytetin bregdetar të Durrësit dhe qytetin muze të Beratit. Sipas raportimeve të gazetarëve të BIRN në këto qytete nuk ka rrugë të bllokuara, megjithëse në prefektura janë ngritur shtabet e emergjencave . Një situatë normale paraqitet edhe në qytetin e Fierit dhe të Vlorës, ku vështirësi në qarkullim ka vetëm në qafën e Llogorasë, ku dëbora është në trashësinë e 5 cm.

Por, ndërsa banorët e Durrësit dhe Beratit i janë gëzuar reshjeve të dëborës, situate e rëndë në raportohet në juglindje të vendit. Në këto zona ka bllokim të rrugëve dhe mungesë të energjisë elektrike si në fshatrat Lekas, Vithkuq, Panarit si dhe në zonën Lozhanit. Akset rrugore në jug të vendit Korçë – Kapshticë dhe Korçë- Ersekë, janë të kalueshme vetëm me zinxhirë.

Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi i tha BIRN se për të zhbllokuar akset kryesore të rrugëve nacionale janë përfshirë në operacione edhe forcat e ushtrisë, ndërkohë që janë angazhuar mbi 20 makineri të tipit fadroma borëpastruese dhe ekskavator për të hapur rrugët.

Megjithëse një e treta e vendit është e mbuluar nga dëbora, fatmirësisht deri tani nuk është raportuar asnjë viktimë. I vetmi rast kritik është regjistruar në fshatin Berishë të Tropojës, ku një shtetase e cila kishte probleme shëndetësore është transportuar drejt spitalit të Tropojës për mjekim më të specializuar.

Në 24 orët e ardhshme situata parashikohet e rënduar dhe meterologët paralajmërojnë për një përkeqësim të motit. Sipas MeteoAlb, në fundjavë parashikohet rënie ekstreme të temperaturave, në mënyrë të veçantë në zonat malore. Problematike do të jenë edhe stuhitë e forta të erës ku në momente të veçanta do të arrijë shpejtësinë deri në 65 kilometra në orë, nga drejtimi verior dhe verilindor duke gjeneruar në det dallgëzim 6 ballë. Temperaturat në zonat malore, do të variojnë nga -18 në -14 grade celcius, ndërsa maksimalet do të variojnë nga -11 deri -7 gradë celcius.

Qyteti bregdetar i Durrësit i mbuluar nga dëbora. 6 janar 2017. Foto: Gëzim Kabashi/BIRN

Qyteti bregdetar i Durrësit i mbuluar nga dëbora. 6 janar 2017. Foto: Gëzim Kabashi/BIRN

Qyteti bregdetar i Durrësit i mbuluar nga dëbora. 6 janar 2017. Foto: Gëzim Kabashi/BIRN

Qyteti bregdetar i Durrësit i mbuluar nga dëbora. 6 janar 2017. Foto: Gëzim Kabashi/BIRN