Lajm4 Jun 2021

Shëngjini fillon sezonin turistik me festival “çlirimi” nga pandemia

I shtyrë një vit më parë për shkak të COVID-19 Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Elektronike Unum po zhvillohet këtë fundjavë në Shëngjin duke ngjallur shpresat e operatorëve tursitikë për një sezon të mbarë.  

Autor: Elvis Hila BIRN Lezhë
Printo

Turistë në Festivalin Ndërkombëtar i Muzikës Elektronike Unum. Foto:Elvis Hila

Davia Alaize, sëbashku me një grup shokësh ka udhëtuar nga Zvicra, për të ndjekur festivalin ndërkombëtar të muzikës elektronike që po zhvillohet në Shëngjin. 30-vjeçari thotë se kishte prenotuar prej 8 muajsh biletën për të ndjekur këtë festë, e cila u anulua një vit më parë për shkak të pandemisë COVID-19.

“Unë jam nga Zvicra dhe e kam pritur me padurim këtë ditë. Bashkë me një grup shokësh e kemi prenotuar biletën prej 8 mujsh për të marrë pjesë në festivalin e muzikës elektronike”, thotë Alaize, që ka ardhur për herë të parë në Shqipëri.

Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Elektronike Unum, filloi mbrëmjen e së enjtes e do të zgjasë për 4 ditë më radhë. Festivali, për të cilin organizatorët thonë se kanë prerë 10 mijë bileta, zhvillohet në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin dhe është i pari i këtyre përmasave që prej fillimit të pandemisë.

Erjona Gjikolli, përfaqësuese e Unum festival i tha BIRN se përpos 10 mijë biletave për ditët e festivalit, interes në rritje kishte edhe nga Tirana e Prishtina dhe se numri i pjesëmarrësve mund të jetë edhe më i madh.

Mijëra turistë vendas e të huaj, kryesisht të rinj, kanë pushtuar Shëngjinin për të marrë pjesë në festival. Operatorët turistikë të zonës shpresojnë që festivali të jetë fillimi i një sezoni të mbarë, pas dështimit të vitit që shkoi për shkak të situatës së krijuar prej pandemisë.

Një i ri që preferoi të prezantohej si “Black Magik” thotë se vinte për herë të dytë në Shëngjin dhe se festivali ishte një çlirim.  “Unë kam ardhur nga Franca. Jam shumë i gëzuar që jemi çliruar nga pandemia dhe po marr pjesë në këtë festë”, tha ai.  Ai tha se kishte qenë në qytet në vitin 2019 dhe se kishte ikur me përshtypjet më të mira.

Alaize i tha BIRN se udhëtimi ishte vijim i planit të bërë më herët. “Kishim planifikuar të vinim vitin që lam pas, por eventi u anullua për shkak të pandemisë. Kemi ardhur këtu në Shengjin qe prej të premtes e do të qëndrojmë edhe për 5 ditë”, thotë Alaize.

“Eshtë hera që vij në Shqipëri dhe ky vend po me pëlqen shumë. Do mendoj që në të ardhmen te vij sërish dhe të qëndroj më gjatë këtu. Ua sugjeroj dhe miqve të mi të vijnë në këtë vend të mrekullueshëm”, shton Alaize.

Ndërkohë që hotelet dhe shtëpitë që lëshohen me qira për pushues në Shengjin janë plot që përej të enjtes. Bes Sula, administrator i një hoteli thotë se të gjitha dhomat i ka të rezervuara për këtë fundjavë.

“Kemi patur shume kërkesa për dhoma ketë fundjave. Aktualisht hoteli im është plot, madje kam kthyer shumë njerëz se nuk kisha vend”, thotë Sula. Ai thotë se shumë janë të huaj, por ka edhe vizitorë nga Kosova.

Për Sulën kjo është një nisje me këmbë të mbarë e sezonit. “Vijmë pas një viti shumë të vështirë që u krijua nga pandemia, por për këtë vit kemi shumë pritshmëri të mira”, thotë ai.

Njësoj edhe Gjorgji Kola menaxher i një hoteli në zonën e Shëngjinit, thotë prishmëritë për këtë vit janë shumë pozitive.

“Aktualisht hoteli jone është me kapacitet të plotë dhe nuk kemi mundur t’iu përgjigjemi të gjitha kërkesave që kemi patur”, thotë ai. Për Kolën festivali është një promovim mjaft i mirë i Shëngjinit dhe një mundësi për të lënë pas problemet financiare të krijuara prej pandemisë.

Ai thotë se përveç festivalit të muzikës ka interes të shtuar nga agjenci udhëtimi dhe se një plus për ta është vaksinimi i personelit. “I garantoj të gjithë ata që do zgjedhin Shëngjinin për pushime se këtu do të jenë të sigurt dhe nga virusi”, thotë Kola.

Kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu tha se ishin marrë masat për një sezon pozitiv. Sipas tij festivali është edhe hapja zyrtare e sezonit, ndërsa premton se strukturat e pushtetit vendorë do ndihmojnë në një sezon të pastër.  “Jam i bindur se këtë vit do të kemi sukses dhe do ketë dy dyndje pushuesish”, thotë Ndreu.

Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Elektronike në Shëngjin, do të zgjasë deri me datë 7 qershor.