Lajm8 Mar 2018

Sherri mes Serbisë dhe Kosovës mban pas orën Europiane

Orët elektronike, të cilat përdorin frekuencën e energjisë elektrike për të matur kohën, kanë mbetur pas me 6 minuta, gjë që sipas Rrjetit Europian të Energjisë Elektrike është shkaktuar nga probleme në rrjetin e tensionit të lartë që lidh Kosovën me Serbinë.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Kryeministrat Rama dhe Mustafa si dhe Ministrat e Energjisë Gjiknuri dhe Stavileci në ceremoninë e inagurimit të linjës së interkonjeksionit Shqipëri – Kosovë më 26 qershor 2016. Linja nuk është përdorur ende. Foto kortezi: Ministria e Energjisë dhe Industrisë

Orët elektronike dhe një numër i madh pajisjesh elektrike përdorin frekuencën e energjisë elektrike për të matur kohën. Frekuenca, e cila matet me hertz dhe mban emrin e fizikantit gjerman të shekullit të nëntëmbëdhjetë Heinrich Hertz, duhet të jetë 50 cikle për sekondë mesatarisht me luhatje shumë të vogla nga kjo mesatare.

Por Rrjeti Europian i Operatorëve të Sistemit të Transmetimit ENTSO-E, bëri të ditur në një njoftim për shtyp se për shkak të problemeve të vërejtura në këtë rrjet në zonan mes Kosovës dhe Serbisë, i gjithë rrjeti Europian i transmetimit ka përjetuar një rënie të vogël të frekuencës mesatare, gjë që ka shkaktuar, mes të tjerash, ngadalësim të orëve elektronike në të gjithë kontinentin me 6 minuta.

“Deviacionet e kanë origjinën nga zona e kontrollit e quajtur Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, (Blloku SMM) dhe veçanërisht Kosova dhe Serbia”, shkruhet në njoftim. Devijacionet kanë sjellë një rënie të lehtë të frekuencës mesatare të energjisë elektrike”, vijon njoftimi.

Sipas ENTSO-E, ky devijim nuk ka ndodhur kurrë në ndonjë mënyrë të ngjashme në sistem dhe se kjo ka shkaktuar 113 GËh humbje. Kjo është një sasi e konsiderueshme energjie, e cila, nëse e llogarisim me çmim mesatar 50 euro për MËh, është i barabartë me 5.65 milionë euro.

“Pyetja se kush do të kompensojë këto humbje duhet të marrë një përgjigje,” thotë ENTSO-E, e cila kërkon me ngulm që problemi të zgjidhet si teknikisht ashtu edhe politikisht.

Serbia ka bllokuar anëtarësimin e Kosovës në rrjetin Entso-E, gjë që ka bllokuar edhe vënien në punë të linjës së kushtueshme të interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë, e cila u përurua me fanfara në vitin 2015 por nuk është përdorur dot as nga Shqipëria dhe as nga Kosova, pavarësisht se ka kushtuar mbi 70 milionë euro për të dyja vendet.

“Ka një dimension politik me ndikim në funksionimin e sistemit të energjisë elektrike dhe për këtë shkak ENTSO-E nxit qeveritë Europiane dhe Kombëtare dhe politikëbërësit të ndërmarrin veprim të shpejtë. Këto aksione duhet të trajtojnë anën politike të këtij problemi, në mënyrë që të mbështesin ENTSO-E dhe operatorët e sistemeve të transmetimit të gjejnë një zgjidhje teknike,” thuhet në njoftim.

Qeveria e Gjermanisë, e cila ka financuar përmes kredive ndërtimin e linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë, kërkoi një zgjidhje politike të situatës shtatorin e kaluar, por problemi ka mbetur ende pa zgjidhje dhe 70 milionë euro linjë interkonjeksioni është bërë një fantazëm që kërkon pagesën e kredisë dhe kostos së mirëmbajtjes por pa qenë e mundur të vihet në punë.

Frekuenca e energjisë nuk duhet të bjerë nën 47.6 dhe nuk duhet të rritet mbi 42.4 Hz në mënyrë që sistemi të funksionojë siç duhet. Në rast se kjo ndodh, të gjitha kapacitetet gjeneruese do të dalin nga rrjeti automatikisht. Që nga mesi i janarit deri më sot, frekuenca mesatare ka qenë 49.996 Hz dhe ky devijim në dukje minimal nga mesatarja ka shkaktuar miliona euro humbje si dhe ka mbajtur disa minuta nga ecuria normale e orëve elektronike.