Lajm13 Apr 2018

Shesheli refuzon të dorëzojë mandatin e deputetit

Lideri i Partisë Radikale Serbe Vojisllav Shesheli tha se s’do të japë dorëheqjen si deputet pavarësisht dënimit të tij për krime lufte, gjë e cila i heq atij të drejtën të ulet në parlament.

Autor: Filip Rudic BIRN Beograd
Printo

Vojisllav Shesheli. Foto: Teodora Ciric/Beta.

Vojisllav Shesheli, i cili u dënua me dhjetë vjet burg për krime kundër njerëzimit në Serbi, tha të premten se ligji i cili përcakton se mandati i një deputeti përfundon nëse ai ose ajo dënohet me të opaktën gjashtë muaj burg nuk zbatohet në rastin e tij.

“Kjo dispozitë e ligjit vlen vetëm për ata që duhet të kryejnë burg,” tha kreu i Partisë Radikale Serbe Shesheli për gazetën e përditshme Blic.

Shesheli u dënua nga Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare në Hagë këtë javë me dhjetë vjet burg për nxitje të krimeve me fjalime nacionaliste në rajonin e Vojvodinës të Serbisë gjatë luftës në vitin 1992.

Por ai nuk do të shkojë në burg sepse ai tashmë ka kaluar më shumë se 11 vjet në paraburgim në Hagë.

Megjithatë, ligji serb nuk e njeh këtë si një arsye për të mos i hequr një deputeti mandatin e tij.

Neni 88 i Ligjit për Zgjedhjen e Deputetëve në mënyrë të qartë përcakton se mandati i deputetit përfundon nëse atij i jepet një dënimi i pa pezulluar me burgim prej gjashtë muajsh ose më shumë.

Megjithatë, sipas ligjit dhe rregullores parlamentare, deputeti duhet të paraqesë personalisht dorëheqjen e tij/saj në parlament.

Vetëm pas kësaj bordi përkatës parlamentar për çështjet administrative duhet të pranojë se mandati i deputetit ka përfunduar.

Deputetja e opozitës Aleksandra Jerkov, e cila është zv/anëtare e bordit parlamentar, tha për BIRN se interpretimet e ndryshme të ligjit të parashtruara nga Shesheli dhe mbështetësit e tij janë të pavlefshme.

“Sigurisht që ne do të këmbëngulim për fillimin e një procedure për t’i dhënë fund mandatit të Sheshelit,” tha Jerkov.

Avokatë dhe OJQ i kanë bërë thirrje parlamentit serb ta largojë Sheshelin që pas dhënies së dënimit të tij të mërkurën.

OJQ-ja Qendra për të Drejtën Humanitare gjithashtu paralajmëroi të premten kundër lejimit të qëndrimit të Sheshelit në parlament.

“Është paradoksale që një njeri si Shesheli, i cili është dënuar për shkelje të të drejtës së sigurisë të civilëve në territorin e Serbisë, të ulet në bordin e parlamentit për kontrollin e shërbimeve të sigurisë,” tha HLC në një deklaratë për shtyp.

Gjykata e Hagës e liroi Sheshelin nga akuzat për krime lufte në Kroaci dhe Bosnje dhe Hercegovinë.