Lajm5 Feb 2019

Shfryhet operacioni ‘Rruga e gabuar’, vetëm gjysma e të arrestuarve rikthehen në qeli

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi në një seancë maratonë të lirojë tetë prej të akuzuarve dhe të lërë në arrest shtëpie shtatë të tjerë, ndërkohë që i dyshuari si kreu i grupit kriminal në falsifikimin e dokumenteve i shpëtoi operacionit të policisë.       

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu gjatë njoftimit të operacionit. Foto nga faqja zyrtare.

Operacioni i koduar “Rruga e gabuar” u shfry të martën në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku pas seancës maratonë të vlerësimit të masave të sigurisë, vetëm 16 nga 32 të pandehurit u rikthyen në qeli. Gjyqtarja Irena Gjoka vendosi përgjatë 12 orëve të lërë në arrest shtëpie shtatë prej të akuzuarve, ndërsa tetë të tjerë morën masën e “detyrimit për paraqitje para oficerit të policisë gjyqësore”.

Ndërkohë, katër anëtarë të grupit të dyshuar kriminal i shpëtuan operacionit të policisë, mes të cilëve edhe Dritan Gramozi, i akuzuar si njëri prej krerëve.

Operacioni “Rruga e gabuar” u finalizua mbrëmjen e 2 shkurtit me arrestimin e 32 personave, të cilët akuzohen se janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që u mundësonte qytetarëve shqiptarë kalimin e paligjshëm të kufirit përmes dokumenteve të falsifikuara. Ata kontrabandoheshin drejt Shteteve të Bashkuara, Kanadasë apo Britanisë së Madhe kundrejt vlerave që arrijnë deri në 20 mijë euro.

Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i pandehuri Dritan Gramozi dhe anëtarë të tjerë të grupit kanë pajisur me pasaportë false edhe Hajri Seferin, i arrestuar tashmë së bashku me vëllezërit Avdyli në një procedim tjetër

Grupi i mësipërm akuzohet gjithashtu se ka pajisur me dokumente të falsifikuara dhe u ka dhënë ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit edhe shtetasve nga Lindja e Mesme apo Kina.

Në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda për caktimin e masës së sigurimit personal për 36 të proceduarit thuhet se janë dokumentuar disa episode ku personat e sipërcituar kanë falsifikuar dokumentet e udhëtimit dhe kanë dhënë ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit të disa shtetasve të cilët kanë udhëtuar nga Shqipëria për në SHBA dhe Kanada, duke përdorur pasaporta e viza të falsifikuara në këmbim të 20 mijë eurove për secilin prej tyre.

“Nga të dhënat e administruara ka rezultuar se anëtarët e këtij grupi kriminal pajisnin shtetas të huaj kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Kina dhe më pas i trafikonin drejt vendeve të BE-së, Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-së e Kanadasë,” citohet në vendimin e caktimit të masës së sigurisë.

Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se i akuzuari Albert Xhelili ka kryer rolin e ndërmjetësit me Alfred Myrtajn dhe Ilir Myrtajn, për prodhimin e dokumenteve, pasaportave, kartave të identitetit dhe patentave të falsifikuara, të cilat dyshohet se i kanë shitur nga 10 mijë deri në 20 mijë euro.

“Nga përgjimet telefonike ka rezultuar se Alfredi, Iliri, Marjo dhe Berti janë bashkëpunëtorë të ngushtë në prodhimin e dokumenteve të falsifikuara,” thuhet në vendim. Nga hetimet dhe këqyrja e banesës së shtetasit Alfed Myrtaj ka rezultuar se ai kishte një laborator ku prodhonte dokumente të falsifikuara.

Sipas prokurorisë, pavarësisht se bashkëpunëtorët e të proceduarve mund të diktoheshin nga policia, ata e vazhdonin aktivitetin e tyre të paligjshëm duke gjetur falsifikatorë të rinj.

Gjatë hetimeve janë sekuestruar dokumente të falsifikuara si dhe 4 laboratorë dhe njësi kompjuterike që dyshohet se përdoreshin për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara.

Sipas prokurorisë, nga hetimet ka rezultuar se trafikimi kryhej nëpërmjet linjave të udhëtimeve me mjete të ndryshme dhe me linja ajrore. Nisja e personave me dokumente të falsifikuara bëhej kryesisht  nga Shqipëria, Mali i Zi, Italia, Greqia, Franca dhe Norvegjia. Ndërkohë, personat që kërkonin të mbërrinin në Kanada duhet të ndiqnin një itinerar të gjatë, edhe pse ishin të pajisur me dokumente të falsifikuara me identitete të shetasve amerikanë apo shtetësi të tjera të huaja. Kështu, në një rast, ka rezultuar se 23-vjeçarja R.H., është kapur në Xhamajkë duke udhëtuar për në Toronto me Air Canada me pasaportë amerikane të falsifikuar me emër të një shtetaseje amerikane. Një shtetas i dytë është ndaluar gjithashtu në Xhamajkë duke udhëtuar për në Toronto me identitet të rremë amerikan.

Të dhënat e siguruara në kërkesën e Prokurorisë tregojnë se disa prej të akuzuarve kanë qenë më parë të dënuar për të njëjtën vepër penale, por që ia kanë dalë të lirohen nga burgu dhe t’i rikthehen aktivitetit të paligjshëm.

Kostaq Gjoka, i njohur edhe me emrin Leonidha është dënuar dy herë për falsifikim dokumentesh dhe armëmbajtje pa leje, në vitin 2012 dhe 2014. Ai u dënua me 6 vjet e 8 muaj burg në vitin 2014, por me vendim të Gjykatës së Apelit dhe për shkak të amnistrisë u lirua në dhjetor 2014.  Të arrestuar më parë për vepra të trafikimit janë edhe të akuzuarit Petrit Beqiraj dhe Manxhar Shehu. Beqiraj arrestuar në Jorgucat me dy sirianë në makinë në dhjetor të vitit 2016, ndërsa Manxhar Shehu në maj të vitit 2016, teksa së bashku me një person tjetër po kalonin drejt Greqisë nëpërmjet kufirit të gjelbër katër shtetas.

 

Masat e sigurisë

Dritan Gramozi, 44 vjeç nga Delvina, i shpallur në kërkim

Françesk Meta, 24 vjeç nga Elbasani, i shpallur në kërkim

Erlis Shehu, 36 vjeç nga Tepelena, i shpallur në kërkim

Mehmet Çani, 47 vjeç nga Elbasani, i shpallur në kërkim

Dashamir Seferi 34 vjeç nga Gjirokastra, arrest me burg

Leonard Markaj, 61 vjeç nga Përmeti, arrest me burg

Kostaq Gjoka, 52 vjeç nga Korça, arrest me burg

Arben Dangalli, 54 vjeç nga Korça, arrest me burg

Petrit Beqiraj, 59 vjeç nga Vlora, arrest me burg

Glej alias Edison Shehu , 31 vjeç nga Tirana, arrest me burg

Gjergji Mëzuraj, 45 vjeç nga Vlora, arrest me burg

Afrim Emini, 46 vjeç nga Saranda, arrest me burg

Ermal Mema, 30 vjeç nga Fieri, arrest me burg

Ilia Margo, 59 vjeç nga Gjirokastra, arrest me burg

Sefer Çelo, 55 vjeç nga Gjirokastra, arrest me burg

Dashnor Tafani, 50 vjeç nga Elbasani, arrest me burg

Çajup Tefa, 47 vjeç nga Gjirokastra, arrest me burg

Vejsel Gjolleshi, 50 vjeç nga Gjirokastra, arrest me burg

Rezart Hoxha, 42 vjeç nga Gjirokastra, arrest me burg

Asrit Ziguri 48 vjeç nga Delvina, arrest me burg

Elmas Bilbili, 28 vjeç nga Tepelenë, burg me afat 30 ditor

Arjan Shehu, 45 vjeç nga Tepelena arrest shtëpie

Simon Këri, 60 vjeç nga Tirana, arrest shtëpie

Shuaip Shero, 65 vjeç nga Saranda, arrest shtëpie

Janaq Gramozi, 69 vjeç nga Delvina, arrest shtëpie

Enver Muka, 56 vjeç nga Fieri, arrest shtëpie

Vangjel Gramozi, 54 vjeç nga Elbasani, arrest shtëpie

Idi Mita, 34 vjeç nga Tirana, arrest shtëpie

Edmond Omeri, 52 vjeç nga Saranda, detyrim për paraqitje

Bedri Meta, 52 vjeç nga Kruja, detyrim për paraqitje

Avni Lezaj, 52 vjeç nga Kruja, detyrim për paraqitje

Besnik Hoxha, 34 vjeç nga Berati, detyrim për paraqitje

Marlen Shoshaj, 45 vjeç nga Gjirokastra, detyrim për paraqitje

Mentor Miçi, 30 vjeç nga Lushnja, detyrim për paraqitje

Zamira Xhafaj, 57 vjeç nga Vlora, Detyrim për paraqitje

Aleksia (Roksana) Kamaj, 34 vjeç nga Mallakastra, detyrim për paraqitje