Plani i autoriteteve të qytetit të Beogradit për të ngritur një monument për të përkujtuar ish-kryeministrin e Serbisë Zoran Djindjiç, i vrarë në vitin 2003, ka zemëruar kundërshtarët e qeverisë.
Vendimi nga ana e qytetit, i cili drejtohet nga Partia Progresive Serbe, për të ngritur një monument për ish-kryeministrin e vrarë Zoran Djindjiç, i cili ishte kundërshtari kryesor politik i qeverisësve aktualë të vendit derisa u vra nga një bandë e krimit të organizuar në 2003, ka zemëruar kritikët që i akuzojnë autoritetet për hipokrizi.
“A ka mundësi që gruaja dhe fëmijët e kryeministrit të ndjerë ta ndalon këtë katastrofë?” thoshin komentet më të pëlqyera në Facebook për lajmin e të shtunës që njoftonte vendosjen e një memoriali për Djindjiçin më 12 mars të vitit që vjen, me rastin e 15 vjetorit të vdekjes së tij.
“Nuk mund ta besoj që ata po i ngrenë atij një monument!,” tha një tjetër komentues. “Të gjithë ata që vajtuan vrasjen e tij e urrenin atë kur ishte gjallë.”
Monumenti në formën e një shigjete të thyer, që thuhet se simbolizon përkushtimin e Djindjiçit për përparimin e Serbisë dhe se përkujton gjithashtu vdekjen e tij të parakohshme, u zgjodh nga 40 vepra të propozuara.
“Autoritetet e qytetit donin një monument që të mos ishte klasik, por modern, njësoj siç ishte jeta e Djindjiçit,” tha për televizionin publik serb RTS menaxheri i qytetit Goran Vesiç.
Megjithatë, disa thanë se autoritetet aktuale, të udhëhequra nga presidenti Aleksandër Vuçiç, nuk kanë të drejtë të pretendojnë trashëgiminë e Djindjiçit sepse ata ishin armiq të hidhur gjatë viteve 1990.
“Ky është një shembull i pastër cinizmi,” tha një nga komentuesit në internet.
“Shigjeta përkulet dhe ndryshon drejtim, ndoshta sepse Djindjiç po rrotullohet në varrin e tij,” u ankua një përdorues Twitteri.
Të tjerë komentuan dizajnin e monumentit të propozuar, duke thënë se ishte i pavend, me disa që bënë thirrje që në vend të tij të ngrihej një statujë klasike.
Dikush po përpiqet të tallet me Djindjiçin. Kjo është një tabelë trafiku. Është tallje të ngresh këtë si monument për një njeri që është vrarë,” tha Janko Veselinoviç, një deputet dhe ish-anëtar i Partisë Demokratike të Djindjiçit.
Menaxheri i qytetit, Vesiç, tha se ngritja e monumentit ishte ide e presidentit Vuçiç.
“Vuçiç dhe Djindjiç nuk kishin një mendje politikisht, por Vuçiç propozoi ngritjen e një monumenti për të. Është e rëndësishme për shoqërinë tonë,” tha Vesiç për RTS.
Shumë kritika u përqendruan në qëndrimin e Vuçiçi ndaj Djindjiçit kur presidenti aktual ishte një anëtar i Partisë Radikale Serbe ultra-nacionaliste.
Vuçiç njëherë ngjiti publikisht postera me emrin e komandantit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës Ratko Mlladiç, i cili është në gjyq për krime lufte dhe gjenocid, në tabelën rrugore që tregonte bulevardin Zoran Djindjiç në Beograd.
Djindjiç u qëllua për vdekje para ndërtesës së qeverisë në Beograd më 12 mars 2003, nga Zvezdan Jovanoviç, një anëtar i “Klanit Zemun”.
Në maj 2007 Jovanoviç u dënua me 40 vjet burg për vrasjen.
Disa të tjerë, përfshirë Milorad Ulemek, i njohur gjithashtu si Legija, një ish-komandant i Njësisë së Operacioneve Speciale të ministrisë së brendshme, u dënuan gjithashtu me burg.
Gjyqtari tha se Ulemek organizoi vrasjen ndërsa Jovanoviç shkrepi armën.