Analize13 Nov 2017

Shkarkimet e drejtuesve të lartë të burgjeve mund t’i kushtojë buxhetit të shtetit

Ministria e Drejtësisë njoftoi padi penale për tetë drejtues burgjesh të shkarkuar në tetor, por ndërsa kjo padi ende nuk është bërë, janë drejtorët e shkarkuar që pretendojnë dëmshpërblim për largim të pamotivuar nga detyra.

Autor: Elton Qyno BIRN Tiranë
Printo

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, duke folur gjatë një konference shtypi, | Foto nga : LSA

Në konferencën e parë për shtyp, në fillim të tetorit, ministrja e re Drejtësisë Etilda Gjonaj njoftoi se kishte urdhëruar shkarkimin e 8 drejtorave të burgjeve në Rrogozhinë, Lushnjë, Peqin, Sarandë, Lezhë, Berat, Durrës, Lushnjë dhe Tepelenë.

Gjonaj argumentoi se shkarkimet vinin si pasojë e cënimit të sigurisë kombtare dhe abuzimit me detyrën të drejtorave. Ajo tha se ndaj drejtorave të shkarkuar ka bërë kallëzim penal në prokuroritë respektive për “Shpërdorim detyre”.

Por ish-deputeti i PS-së Arben Çuko, i cili ka marrë detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, pas zgjedhjeve të qershorit, i tha BIRN sëfundmi se deri tani nuk është kryer asnjë kallëzim penal ndaj 8 të shkarkuarve. Ky proces sipas tij “është në fazën e verifikimeve”, por s’ka asnjë kallëzim kundër ish-drejtorave në prokurori.

Përballë kësaj, të paktën dy nga drejtuesit e shkarkuar i thanë BIRN, se po bënin gati letra të tjera, për të paditur ministrinë dhe marrë dëmshpërblim, duke e konsideruar vendimin e ministres të paligjshëm dhe të pamotivuar.

Ministrisë së Drejtësisë i mbetet tashmë detyrimi të provojë motivacionin për shkarkimin e tetë zyrtarëve të lartë në burgje. Shkarkime të ngjashme më herët, të pamotivuara prej drejtuesve të institucioneve në vend, i kanë kushtuar, siç gjeti BIRN në dy investigimet të viteve 2015 dhe 2016, disa miliona euro buxhetit të shtetit.

Megjithëse është një prej hallkave më delikate të qeverisjes, shkarkimet dhe emërimet politike në administratën e burgjeve nuk janë të panjohura.  Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve u përfshi në paktin politik mes Ramës dhe Bashës në pranverë të këtij viti, pikërisht për shkak të dyshimeve nga opozita se administrata e tyre mund të përdorej politikisht gjatë fushatës. Aktualisht Shqipëria ka 23 IEVP ose burgje, në të cilat shërbejnë rreth 4 mijë persona në stafin civil dhe atë të sigurisë së burgjeve.

Më herët Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ishte nën drejtimin e një personi që caktohej nga Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila kontrollonte edhe Ministrinë e Drejtësisë gjatë koalicionit mes PS dhe LSI. Ai u shkarkua pas marrëveshjes mes qeverisë dhe opozitës para zgjedhjeve.

BIRN në një investigim gjatë fushatës zgjedhore zbuloi se dyshimet për përdorim politik të admninistratës së burgjeve kishin bazë, ndërsa përfaqësues të LSI kishin premtuar vende pune në administratën e burgut të Reçit, një institucion që ende nuk ishte hapur.

Nga ana e tyre dy drejtuesit e shkarkuar me të cilët BIRN komunikoi, ish-drejtori i burgut të Peqinit Eugen Salla dhe ai i Rrogozhinës Afrim Zeqiri, edhe pse nuk e cilësuan largimin politik thanë se nuk kishin marrë asnjë motivacion dhe se po bënin gati padinë ndaj ministrisë.

Drejtori i shkarkuar i burgut të Peqinit Eugen Salla i tha BIRN se i është komunikuar urdhëri i lirimit nga detyra, një ditë pasi ministrja kishte njoftuar shkarkimin e tij publik në media. Salla shton se urdhëri nuk ka asnjë motivacion siç pretendohet nga ministria për cënimin e sigurisë së burgut.

“Nuk mund të them që shkarkimi im ka qënë politik, pasi se kam të shkruar një motivacion të tillë. Kam shërbyer me shumë përkushtim. Tashmë jam në fazën e shikimit të çështjes, me qëllim nisjen e proceura ligjore për dëmshpërblim,” tha Salla.

Të njëjtën gjë konfirmoi edhe drejtori i shkarkuar i Burgut të Rrogozhinës Afrim Zeqiri, i cili ishte pjesë e listës së të shkarkuarve nga ministrja Gjonaj.

“Më është komunikuar një vendim për shkarkim pa asnjë lloj motivacioni. Unë gjatë kryerjes së detyrës s’kam cënuar sigurinë e burgut, siç deklaroi në shtyp ministrja. Pasi jam njohur me urdhërin e lirimit i jam drejtuar me një shkresë ministrisë së drejtësisë, ku kërkoj të më japin motivacionin dhe shkaqet e shkarkimit tim,” tha për BIRN Zeqiri. Zeqiri thotë se deri tani nuk më kanë kthyer asnjë përgjigje, megjithëse ka kaluar afati ligjor.

Nga ana e tij  ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Arjan Hoxhaj, i cili u emërua në këtë detyrë për disa muaj pas paktit për qeverisje teknike mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD-së Lulzim Basha,u duloi në krah drejtorëve dhe shprehu dyshimin se vendimet ishin subjektive.

“Ministrja ka vepruar me subjektivizëm dhe me dy standarte ndërsa shkarkon drejtorët e IEVP për shkelje në detyrë, personat përgjegjës për sigurinë e burgjeve dhe mos lejimin e futjes së sendeve të ndaluara Shefat e Policive, i komandon drejtorë të këtyrë IEVP,” tha Hoxha për BIRN.

Hoxha shpjegoi se emërimi në vend të drejtorit të shkarkuar, i cili  merret me anën organizative dhe menaxhimin e punës, dhe vendosjen në vend të drejtorit të shefit të policisë së burgut, i cili është përgjegjësi për sigurinë e një burgu, tregon se vendimi nuk ishte serioz.

“Ju them se shefi i policisë së burgut kontrollon si në hyrje dhe në dalje fizikisht drejtorin e vetë burgut ku ai shërben dhe se përgjegjësi për sigurinë është shefi i policisë jo drejtori,” shtoi Hoxha.

Megjithatë në daljen për shtyp Ministria e Drejtësisë këmbënguli se drejtorët ishin kapur me shkelje.

“Kontrollet e kryera kanë evidentuar shkelje të rënda me rregulloren, shkelje që rrezikojnë sigurinë e burgjeve dhe sigurisë kombëtarë. Sot hapim garën për 23 drejtues të burgjeve dhe paraburgimeve në të gjithë vendin. Nuk do të tolerojmë abuzimin me detyrën dhe emërimeve politike,” tha ministrja Gjonaj.