Lajm6 Nov 2019

Shkarkohet kryetari i Gjykatës së Elbasanit, Sulejman Kurti

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të shkarkojë nga detyra kryetarin e Gjykatës së Elbasanit, Sulejman Kurti, pasi gjatë seancës dëgjimore u evidentuan probleme me të tre kriteret e rivlerësimit.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Kryetari i Gjykatës së Elbasanit Sulejman Kurti në seancë dëgjimore përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit më 4 nëntor 2019. Foto: Edmond Hoxhaj/BIRN

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi të mërkurën kryetarin e Gjykatës së Elbasanit, Sulejman Kurti. Gjatë seancës dëgjimore, Kurti u përball me mungesë burimesh të ligjshme për pasurinë e tij, si dhe me një raport të dytë të DSIK-së që e konsideronte atë të papërshtatshëm për të vazhduar detyrën.

Sulejman Kurti e ka filluar karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1996 dhe ka punuar për gati një dekadë si gjyqtar i Gjykatës së Librazhdit. Me shkrirjen e kësaj gjykate në vitin 2007, Kurti u emërua gjyqtar i Gjykatës së Elbasanit, ndërkohë që në vitin 2016 u promovua si kryetar i kësaj gjykate.

Procesi i vetingut për kreun e Gjykatës së Elbasanit u krye nga trupa gjyqësore e kryesuar nga Firdes Shuli, me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtare Valbona Sanxhaktari. Sipas KPK-së, gjyqtari Kurti rezultoi me mungesë burimesh financiare prej 1.1 milionë lekësh për vitet 1992-1998 si dhe një diferencë negative prej 4.5 milionë lekësh për ndërtimin e shtëpisë.

Lidhur me pastërtinë e figurës, relatori Hamitaj tha se Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK kishte dorëzuar fillimisht një raport sipas të cili gjyqtari Kurti ishte i përshtatshëm për të vazhduar detyrën. “Pas analizimit të disa informacioneve të reja, DSIK e ka ndryshuar vlerësimin fillestar duke konstatuar pa përshtatshmërinë e gjyqtarit Kurti”, pohoi ndër të tjera relatori Lulzim Hamitaj.

Gjyqtari Kurti e kundërshtoi raportin e dytë të DSIK duke e cilësuar të pabazuar në prova.

“Jam befasuar se paskam qenë i përshtatshëm deri në vitin 2017 dhe pastaj që nisi procesi vetingut, jo. Kjo është thikë pas shpine. Kërkoj që informacioni i DSIK të deklasifikohet plotësisht,” pretendoi subjekti në seancë dëgjimore.