Lajm17 Sep 2020

Shkatërrohet nga Europol grupi shqiptar i kokainës: “Ndryshoi rregullat e lojës”

Europol njoftoi se organizata kriminale shqiptare kishte negociuar drejtëpërdrejtë me kartelet e drogës në Amerikën e Jugut dhe kishte ndryshuar rregullat e lojës në trafikun e narkotikëve duke i kryer vetë të gjitha veprimtaritë, nga kontrabandimi, shitja në sasi të mëdha dhe shpërndarja me pakicë. Nga hetimi ka rezultuar se miliona euro janë pastruar nëpërmjet një një sistem nëntokësor të remitancave me origjinë kineze.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Gjatë operacionit policorë në Tiranë. Foto nga video e Europol.

Europol njoftoi të enjten se një operacion ndërkombëtar ku janë përfshirë autoritetet gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit të 10 shteteve përfshi Shqipërinë, ka rezultuar në shkatërrimin e plotë të një krupi kriminal shqiptar të quajtur “Kompania BELLO”, që e cilëson si një nga më aktivët në rrjetin e trafikimit të kokainës në Europë.

“Një operacion të pashembullt ndërkombëtar”, e cilëson Europol hetimin 5 vjeçar ndaj organizatws kriminale që operonte në trafikimin e kokainës nga Amerika Latine drej Evropës dhe shpërndarjen e lëndës narkotike në disa shtete.

Operacioni ka nisur në orët e para të 15 shtatorit në disa vende ku janë vënë në pranga 20 persona. Në Itali janë arrestuar pesë persona; në Hollandë dy dhe po aq në Gjermani e në Greqi; në Spanjë, Rumani, Hungari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe është vënë në pranga nga një anëtar i kësaj organizate dhe pesë janë arrestuar në Shqipëri.

Të ndaluarit akuzohen për trafik ndërkombëtar të substancave narkotike, mbajtje dhe shpërndarje të paligjshme të drogës dhe sulmeve brutale, përfshirë edhe vrasje. Europol njofton se këto arrestime ndjekin ato të 84 anëtarëve të tjerë të këtij grupi kriminal në fillim të hetimeve të kryera në Itali, Ekuador, Hollandë, Mbretëri e Bashkuar, Zvicër dhe Gjermani.

Gjatë hetimit 5-vjeçar të udhëhequr nga policia italiane nën drejtimin e Prokurorisë së Firences është bërë e mundur të sekuestrohen rreth 4 tonë kokainë dhe mbi 5.5 milionë euro.

Në njoftim përshkruhet edhe mënyra se si ka operuar kjo organizatë kriminale shqiptare, që sipas Europol ka ndryshuar rregullat e lojës në trafikun ndërkombëar të kokainës. “Për vite me radhë, importuesit ndërkombëtarë të kokainës punuan veçmas nga shitësit me shumicë dhe nga bandat që shpërndanin drogën në rrugë. Në këtë rast, rrjeti shqipfolës nën hetim hodhi poshtë të gjithë modelin dhe kontrolloi të gjithë zinxhirin, nga rregullimi i dërgesave të mëdha direkt nga Amerika e Jugut deri te shpërndarja në të gjithë Evropën”, citohet në njoftim.

Nga hetimi ka rezultuar se një 40 vjeçar shqiptar që jetonte në Ekuador, ka negociuar drejtëpërdrejtë me kartelet e drogës në Amerikën e Jugut, duke përdorur mjete të sofistikuara të koduara të komunikimit. Sipas Europol, ai organizoi dërgesat e mëdha të kokainës në portet kryesore të Evropës dhe, me ndihmën e bashkëpunëtorëve të vendosur në Itali, Hollandë dhe Shqipëri, mundësuan shpërndarjen në të gjithë Evropën. Për të realizuar futjen e kokainës në kufijtë evropianë, organizata ka përdurur automjete të pajisura me ndarje të fshehura.

Nga hetimi janë ngritur dyshimet se grupi kriminal në fjalë ka arritur të pastrojë miliona euro të përfituara nga trafiku dhe shitja e kokainës duke përdur një sistem nëntokësor të remitancave me origjinë kineze, i njohur si sistemi “fei ch’ien”. “Ngjashëm me sistemin e transferimit ‘hawala’, njerëzit që përdorin ‘fei ch’ien’ depozitojnë një shumë në një ‘agjenci’ rrjeti në një vend. Një operator tjetër tërheq shumën ekuivalente diku tjetër në botë dhe ia kalon marrësit të synuar”, shpjegon Europol dhe shton se përmes kjëtij sistemi trafikantët kanë pastruar miliona pa lënë asnjë gjurmë për hetuesit.

Policia e Shtetit njoftoi gjithashtu të enjten rezultatet e operacionit ndërkombëtar të koduar “LOS BLANCOS” dhe arrestimin e pesë personave: G.M. 35 vjeç banues në Tiranë; E.J27 vjeç dhe J.Ll 31 vjec nga Vlora; R.I. 33 vjeç nga Durrësi dhe V.L., 40 vjeç nga Lezha.

Nëpërmjet një njoftimi të dytë, Policia e Shtetit bëri të ditur se në Rumani është arrestuar Lek Colaj 40 vjeç, në Holandë është ndaluar Gjergj Lesaj 38 vjeç; në Spanjë Sokol Aliko(Mehmetaj) 36 vjeçp; Robert Varga 44 vjeç në Hungari dhe Altin Velsulas(Hoxha) 36 vjeç që gjendet në burg në Norvegji i është komunikuar masa e sigurisë.

Gjithashtu, policia bëri të ditur se në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar me qëllim ekstradimi drejt Italisë edhe shtetasi Denis Matoshi alias Elti Dizdari, 31 vjeç, të cilin e konsideron si person me rekorde kriminale të theksuara në fushën e trafikimit të drogave të forta dhe krimeve ndaj personit.