Ministri i Mjedisit Blendi Klosi dhe pronari i një lokali në Kuçovë janë gjobitur pas organizimit të një aktiviteti elektoral të Partisë Socialiste në kundërshtim me rregullat kundër Covid-19. Masa vjen ndërsa vendi është përfshirë në një valë të re infektimesh.
Policia e Beratit njoftoi të premten se kishte gjobitur me 5 milion lekë ministrin e Mjedisit Blendi Klosi, pas organizimit të një aktiviteti politik në shkelje të rregullave anti Covid-19 të marra nga qeveria. Veç ministrit është gjobitur me 1 milion lekë edhe pronari i lokalit në Kuçovë ku u zhvillua takimi.
“Si rezultat i këtyre kontrolleve është ndëshkuar me masë administrative 5.000.000 lekë, shtetasin B. K., përfaqësues i një subjekti politik, pasi ka organizuar një aktivitet duke grumbulluar persona, në kundërshtim me pikën 2 të nenit 3 të Aktit normativ Nr. 3 të datës 15.05.2020 “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, thuhet në njoftimin e policisë.
I pyetur nga BIRN për gjobën dhe për zhvillimin e takimit në shkelje të rregullave të vendosura nga qeveria ku bën pjesë, Klosi nuk u përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi. Klosi është drejtues politik i Qarkut të Beratit për Partinë Socialiste.
Sipas Ministrisë së Shëndetsisë, deri në datë 11 shkurt, në Berat ishin 939 raste aktive me COVID-19. Vetëm në këtë qark 23 persona janë të shtruar në spital dhe një i sëmurë është në gjendje të rëndë. Sipas shifrave zyrtare 60 persona kanë humbur jetën nga COVID 19 në këtë qark, ndërsa në të gjithë vendin sipas Ministrisë së Shëndetësisë kanë vdekur 1517 persona dhe janë 33987 raste aktive.
Artur Bani, drejtor i Njësisë Vendore e Kujdesit Shëndetsor, në Berat, i tha BIRN se ata kërkonin që rregullat e vendosura të zbatoheshin.
“Në Qarkun e Beratit shifrat tregojnë se kemi vatra familjare, vatra në institucione dhe në kushtet ku jemi duhen zbatuar me rigorozitet masat, nuk duhen lejuar shkeljet e protokolleve, nuk duhen lejuar grumbullimet në salla të më shumë se dhjetë persona, qofshin këto takime politike, apo çfarë do lloj tjetër”, tha Bani për BIRN.
Ministri i Mjedisit, i cili u bë temë debati muaj më parë kur mbrojti vendimin për ndalimin e muzikës pas një orari të caktuar me pretendimin se “ku ka valë muzike përhapja e virusit është shumë e madhe”, nuk është i vetmi nga anëtarët e qeverisë që ka shkelur rregullat.
Më herët në rrjetet sociale u publikuan imazhe të zëvendës ministres së Shëndetësisë Mira Rakacolli në një takim elektoral të Partisë Socialiste. Rakacolli është njëkohësisht kryetare e Komitetit të Ekspertëve që ka diktuar masat kundër pandemisë. Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali po ashtu u fotografua në një takim elektoral në Kamëz me disa dhjetra persona. Ngjashëm janë parë në takime elektorale në shkelje të rregullave edhe drejtues politikë të opozitës.