Analize23 May 2019

Shkelja e etikës dhe deklarimet e rreme të vëllait emigrant penalizuan Edison Ademin

Kreu i shkarkuar i Prokurorisë së Sarandës, Edison Ademi u gjet nga KPK me probleme të etikës në kriterin e aftësive profesionale, ndërsa u penalizua edhe për mosdeklarimin dhe deklarim të rremë të pasurisë nga ana e vëllait të tij, i konsideruar si person i lidhur.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Shkarkimi nga KPK i Prokurorit të Sarandës Edison Ademi. Foto : BIRN

Ish-kreu i Prokurorisë së Sarandës reagoi emocionalisht në momentin që iu njoftua shkarkimi nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Edison Ademi doli nga salla duke kërcënuar anëtarët e treshes që hetoi çështjen ndaj tij, duke pretenduar se “do t’i fuste në burg”.

Në vendimin e zbardhur, KPK shprehet se përveç këtij momenti të cilin e cilëson shkelje të etikës profesionale, Ademi kishte qenë korrekt dhe kishte bashkëpunuar plotësisht me Komisionin. Megjithatë sipas vendimit, rasti në fjalë nuk ishte i vetmi moment që Ademi rezultoi në shkelje të etikës profesionale, që shërbeu si një nga arsyet për shkarkimin e tij.

Komisioni thotë në vendim se qëndrimet e Ademit në lidhje me njohjen e dy personave për të cilët i kishte kaluar barra e provës në kriterin e profesionalizmit, ishin kontradiktore dhe në shkelje të etikës profesionale.

“Në momentin e përgjigjes së pyetjes gjatë procesit të rivlerësimit (në pyetësorin e datës 06.03.2019), subjekti e njihte shtetasin F. D, por ka deklaruar në mënyrë të prerë që nuk e njihte, pra, një fakt që vjen në kundërshtim me realitetin,” thuhet në vendimin e KPK.

Shkelje të etikës profesionale KPK gjeti edhe në mosprishjen e një kontrate qiraje për një sipërfaqe toke me ish-Komunën Qendër Vlorë.

Problem për Ademin rezultoi edhe deklarimi i pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë. Sipas Komisionit ai “ka kryer deklarime të pasakta e të pamjaftueshme në deklaratën “Vetting”; ka deklarim të rremë në deklaratën “Vetting” për shkak të mosdeklarimit të të ardhurave të vëllait z. A.A në emigracion,” thuhet në konkluzionet e arritura nga KPK. Po ashtu ai nuk justifikoi me të ardhura të ligjshme shumën prej 2.473.568 lekësh”

Ademi i kundërshtoi gjetjet e Komisionit. Ai pretendon, siç citohet në vendim, se edhe pse e njihte më herët një nga personat që kshte ndjekur penalisht, kjo nuk kishte ndikuar në punën e tij. “Jemi shtet i vogël dhe qyteti gjithashtu, ndaj nuk është çudi dhe është tepër normale që të shqyrtosh raste të personave që njeh. … njohja, por shpesh dhe më tepër, është tregues se zbaton ligjin pa dallim,” shprehet Ademi.

Ai po ashtu kundërshtoi versionin e KPK-së sa i përket tokës së marrë me qira nga komuna dhe gjithashtu pretendoi se nuk kishte probleme të pasurisë, ndërsa e quajti alogjik pretendimin e KPK se vëllai i tij kishte kryer deklarim të rremë në deklaratën vetting, gjë që sipas Komisionit e ngarkonte edhe atë më përgjegjësi. Ai po ashtu, ndërsa nuk solli sipas Komisionit dokumente për të provuar se të ardhurat e të vëllait ishin të ligjshme, pretendoi se “informacionet e rezervuara në vendet e Evropës nuk disponohen lehtë”.

Ademi u hetua nga treshja e kryesuar nga Genta Tafa (Bungo), Firdes Shuli relatore dhe Lulzim Hamitaj anëtar, e cila vendosi shkarkimin e tij bazuar në dy prej kritereve atë të pasurisë dhe atë të aftësive profesionale.

Problemet me pasurinë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mori nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) një raport negativ për ish-prokurorin Edison Ademi. ILDKPKI pretendoi se kishte “konstatuar mosdeklarimin e të ardhurave të të vëllait të subjektit të rivlerësimit, z. A. A, në deklaratën “Vetting”, deklaruar ndër vite në shumën totale, rreth 31.000 GBP dhe 550.000 lekë, duke e konsideruar deklarimin e subjektit, deklarim të rremë”.

Po ashtu, Inspektoriati pretendoi se Ademi kishte fshehur një makinë, ishte në konflikt interesi dhe një sërë problemesh të ngjashme. Komisioni ndërsa rrëzoi disa nga pretendimet e ILDKPKI, gjeti të bazuar pretendimin e Inspektoriatit se Ademi kishte bërë deklarim të rremë në “deklaratën vetting”.

Komisioni arsyetoi ndër të tjera se edhe pse nuk ishte vetë, prokurori i shkarkuar, ai që kishte bërë deklarimin e rremë, por ai mbahej njësoj përgjegjës. “Edhe pse deklarimi i rremë, në këtë rast është kryer nga ana e shtetasit A. A, Komisioni vlerëson, se edhe subjekti i rivlerësimit ka përgjegjësi ligjore për shkak të mosplotësimit me vërtetësi të deklaratës “Vetting”, në përputhje me detyrimet e parashikuara në ligjin nr. 84/2016”, thuhet në vendimin e zbardhur.

Ademi sipas KPK-së pretendoi se i vëllai kishte deklaruar vetëm për pasuritë në Shqipëri dhe jo për ato në Britani. “Të ardhurat e paraqitura nga vëllai im janë deklaruar prej emigracionit dhe jo nga aktiviteti i shtetasit shqiptar jashtë shtetit, im vëlla është shqiptar vetëm brenda kufirit, tej atij është shtetas anglez”, citohet Ademi nga KPK.

Ai po ashtu u shpreh se nuk ishte e vërtetë që i vëllai kishte bërë deklarim të rremë apo fshehje pasurie “sepse nuk përmendet asgjë që është e rreme apo që është e fshehur, ndërsa interpretimi ligjor është alogjik”.

Megjithatë Komisioni që duket se është fokusuar në këtë pikë arriti në të tjera përfundime. Sipas KPK-së ligji parashikon “detyrimin e subjektit të rivlerësimit, për deklarimin e pasurive, burimit të krijimit të tyre dhe të të drejtave reale mbi to, për vete, bashkëshortin/en, bashkëjetuesin/en, fëmijët në moshë madhore dhe për çdo person të përmendur në certifikatën familjare, pa përjashtuar ata që janë banues në shtete të huaja. Ndërsa, autorizimi, që sipas kësaj shtojce duhet të plotësojnë këta persona, përfshin pasuritë dhe interesat privatë të tyre brenda dhe jashtë vendit”.

Komisioni gjeti se Ademi nuk kishte deklaruar në vitin 2004 një shumë prej 8 mijë paundësh që i vëllai ia kishte trasferuar në llogari bankare dhe e konsideroi këtë si fshehje.

Ndërkohë po në lidhje me pasuritë Komisioni kërkoi nga Ademi që të provonte burimin e ligjshëm të të ardhurave të të vëllait, i cili sipas deklaratave periodike i kishte dhuruar ish-prokurorit rreth 31 mijë paund.

Sipas KPK-së Ademi mundi të provonte me dokumente të ligjshme dhe me vulë apostile të ardhurat e të vëllait vetëm për vitin 2016, por nga ana tjetër dërgesat me vlerë rreth 25 mijë paund për periudhën 2004-2014 nuk u morën në konsideratë si të ardhura të ligjshme, duke ndikuar negativisht në analizën financiare të tij.

KPK tha se Ademi nuk provoi me dokumente se pasuria e të vëllait dhe paratë që ai kishte dërguar ishin nga burim i ligjshëm për të cilin ishin paguar tatimet. Ndërsa në vendim thuhet se ky i fundit pretendoi që kishte pasur të vështirë të siguronte dokumente nga Britania e Madhe, përveç një sërë veprimesh bankare që KPK thotë se ishin në shuma të papërfilshme dhe që nuk provonin të kundërtën e barrës së provës.

Shkeljet e etikës

Ndërsa nuk ka gjetur probleme në dosjet e shqyrtuara nga Ademi, KPK gjeti se ai ishte në tre raste në shkelje të etikës profesionale. Komisioni vlerësoi se të tre këto shkelje përbënin “cënim të besimit të publikut te drejtësia”.

Komisioni thotë se fillimisht Ademi nuk qe i sinqertë me trupën gjykuese kur u pyet për njohjen me një person me inicialet F.D të cilin e kishte proceduar penalisht për “armëmbajtje pa leje”. Ademi siç del nga vendimi nuk ka pranuar se njihet një person me këtë emër në një prej pyetësorëve të KPK-së.

Ndërkohë, kur i ka kaluar barra e provës ai ka pretenduar se personin në fjalë e njihte me emra të tjerë dhe se kishin qenë banorë të një lagjeje në Vlorë. Ndërkohë ai refuzoi që kjo njohje të kishte ndikuar në ndjekjen penale.

Komisioni i gjeti kontradiktore këto shpjegime. KPK tha se procedimi penal që prokurori kishte hetuar dhe dërguar në gjyq ishte rregjistruar me emrin F.D dhe arsyetoi se përgjigja fillestare e prokurorit se nuk e njihte personin me këto emra kishte qenë e pavërtetë. Po ashtu, KPK thotë se kishte të dhëna për një bisedë mes prokurorit dhe F.D disa muaj para se ky i fundit të akuzohej për armëmbajtje pa leje.

Ngjashëm KPK vlerësoi njohjen me një person me të cilin prokurori kishte udhëtuar për në Kosovë. Sipas Komisionit, Ademi u përpoq të shmangte pohimin për njohjen me këtë person. “Edhe në këtë rast, Komisioni vlerëson se qëndrimet kontradiktore  të subjektit, në lidhje me njohjen me shtetasin E. M, nuk janë në etikën e një prokurori”, thuhet në vendimin e zbardhur.

Ademi pretendoi se ai nuk mund të ngarkohej me shkelje të etikës për asnjë nga rastet. Ai pretendoi se kishte hetuar drejt çështjen me personin që njihte dhe tha se nuk kishte dhënë dorëheqjen pasi nuk e shihte veten në konflikt interesi. KPK nga ana tjetër arsyetoi se vendimi për këtë duhej ta kishte marrë eprori i tij dhe jo vetë Ademi.

Po ashtu për rastin e dytë ish-prokurori pretendoiu se “nuk ka pasur asnjë lloj marrëdhënie interesi, pune, biznesi, ortakëri etj., me këtë person dhe as nuk e kujtoj kur ka qenë kontakti i fundit, për më tepër unë e kam kohën e kufizuar që të lëviz e takoj njerëz dhe këto lloj kontaktesh i mbeten vetëm rastësisë.”

Kjo megjithatë nuk e shpëtoi atë nga fakti që ishte shmangur pohimit të njohjes me të në një prej pyetësorëve të Komisionit.

KPK po ashtu e cilësoi shkelje të etikës faktin që Ademi nuk kishte prishur pas ndryshimit të ligjit një kontratë me ish-Komunën Qendër Vlorë për qiramarrjen e një sipërfaqe toke prej 5 mijë metrash katrroë në Nartë.

Mbrojtja e Ademit se kontrata ishte nënshkruar në një kohë kur ligji e lejonte dhe se toka realisht nuk kishte prodhuar ndonjë përfitim për të, nuk u cilësua bindëse nga KPK. Komisioni ndërsa pranoi se ai nuk ishte në konflikt interesi, pasi ligji nuk kishte fuqi prapavepruese, arsyetoi se me ndryshimin e ligjit i cili nuk lejonte më që prokurori të bënte kontrata me institucione publike duhej ta kishte prishur atë.