Lajm11 Oct 2021

“Shkelje e pafalshme”, ILD kërkon masë disiplinore ndaj dy gjyqtarëve të Apelit të Vlorës

Këshilli i Lartë Gjyqësor dëgjoi kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani për ulje rroge me 40% ndaj gjyqtarëve të Apelit të Vlorës, Petrit Aliaj dhe Nazmi Troka. Aliaj dhe Troka kundërshtuan masën. 

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtari Petrit Aliaj (djathtas, në këmbë), gjyqtari Nazmi Troka dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani (majtas). Foto kortezi nga ILD.

Këshilli i Lartë Gjyqësor shqyrtoi të hënën kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për masë disiplinore me ulje 40 për qind të pagës për 1 vit për gjyqtarët e Apelit të Vlorës Petrit Aliaj dhe Nazmi Troka.

Të dy procedohen për marrjen e një vendimi, për rishikim mase sigurie, që sipas ILD-së është marrë në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale.

ILD akuzon Aliajn, i pezulluar nga detyra për shkak të vendimit të shkarkimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Trokën për sjellje të papërshtatshme që “ka cënuar imazhin e drejtësisë dhe ka ulur besimin e publikut tek drejtësia”.

Në seancë u vu në dukje se kjo çështje ishte arkivuar nga ish-Këshilli i Lartë i Drejtësisë, por pas ankimit nga qytetarit viktimë e pengmarrjes, një komision me tre anëtar i KLGJ-së kishte vnedosur riçelje të procedimit disiplinorë.

Kryetarja e KLGJ Naureda Llagami tha se anëtari i KLGJ-së Ilir Toska kishte dhënë dorëheqjen nga çështja. Po ashtu tre anëtarët e komisionit që kishte rihapur çështjen, Alban Toro, Fatmira Luli dhe Dritan Hallunaj nuk ishin pjesë e shqyrtimit.

Fillimisht këshilli dëgjoi Inspektorin e Lartë të Drejtësisë Artur Metani, i cili referoi se dy gjyqtarët kishin shkelur një dispozitë të Kodit të Procedurës Penale e cila nuk kishte nevojë për interpretim. Metani vuri në dukje se vendimi i Gjykatës së Apelit në Vlorë, për të lënë në fuqi masën e rishikuar të sigurisë ndaj një të akuzuari për heqje të paligjshme të lirisë në vitin 2016, ishte prishur nga Gjykata e Lartë e cila po ashtu kishte shënuar tërheqje vëmendje për gjyqtarët e Apelit të Vlorës.

Nga relatimi u kuptua se vendimi i rishikimit të masës së sigurisë ishte marrë në shkelje të ligjit në Gjykatën e Faktit, pasi nuk ishte shqyrtuar nga trupa që po gjykonte çështjen në themel, por nga një gjyqtarë i gatshëm në gusht 2016. Gjykata e Apelit trupa në të cilën ishin Aliaj dhe Troka ka lënë në fuqi këtë vendim dhe sipas Metanit kjo është një shkelje e pafalshme për magjistratë me atë eksperiencë.

Në parashtrimet e tyre dy gjyqtarët e lanë evazive nëse e kishin bërë apo jo shkeljen, por kundërshtuan masën e kërkuar, heqje të 40 për qind të pagës, si shumë të ashpër.

Aliaj, i cili u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në qershor 2020 pasi u gjet me pasuri të pajustifikuara, pretendoi në fillim të seancës së KLGJ kishte dërguar informacion të rremë në lidhje me gjendjen e tij shëndetësore dhe praninë e tij në gjykatë në fillim të qershorit. “Për shkak të atij informacioni unë u shkarkova”, tha Aliaj.

Ai këmbënguli më pas se vërejtja e marrë nga Gjykata e Lartë në lidhje me vendimin për të cilin kërkohej masa disiplinore ishte e mjaftueshme dhe e cilësoi të ekzagjeruar kërkesën e ILD për të hequr 40 për qind të pagës. “Ne për atë të shkretë rroge po punojmë”, tha Aliaj.  Aliaj është i pezulluar nga detyra, por vijon të paguhet deri sa vendimi për të marrë formë të prerë apo të prishet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Ai po ashtu këmbënguli se i ishte cënuar e drejta e anikimit nga KLGJ.

Ndërkohë Troka tha se masa disiplinore e kërkuar ishte jo proporcionale, ndërsa këmbënguli se nuk kishte pasur rregullim të qartë për rastin në fjalë dhe se masat e sigurisë në muajin gush ishin bërë nga gjyqtarët e gatshëm edhe për shkak të afateve ligjore. Troka tha se parashikimi ligjorë në këtë rast ishte që masat e sigurisë gjatë kohës së gjykimit merreshin nga trupa që shqyrton çështjen në themel, por nuk kishte përjashtim që ndalonte gjyqtarët e gatshëm.

Të pyetur nga Metani nëse pranonin që kishin bërë shkelje, dy gjyqtarët ishin evazivë. Aliaj megjithatë tha se ai pranonte vendimin e Gjykatës së Lartë dhe vërejtjen që kishte marrë prej saj. “Vendimi është marrë ne e respektojmë”, tha ai, ndërsa shtoi se masa nuk ishte proporcionale.

Anëtarja e KLGJ-së Brikena Ukperaj i kërkoi Metanit qëndrim në lidhje me masën e kërkuar, duke komentuar se procedura ka ndodhur në kohën e pushimeve dhe se normalisht masat në këtë periudhë merreshin nga gjyqtarë të gatshëm. Metani këmbënguli se shkelja ishte e tillë që nuk mund tu ndodhte gjyqtarëve me atë nivel eksperience dhe se për këtë ajo ishte bërë me dashje.

Po ashtu ai tha se procedimi disiplinor në KLGJ ishte i ndryshëm dhe nuk përplasej me masën që KPK kishte marrë ndërkohë ndaj Aliajt. Pas konsultimeve me dyer të mbyllura KLGJ njoftoi shtyrje të seancës për në datën 25 tetor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *