Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dërgoi për gjykim ish-kryebashkiakun Eduart Kapri dhe zyrtarë të tjerë për një tender për blerje drush zjarri. Në gjykatë përfunduan edhe dy punëtorë mirëmbajtjeje që i vunë drynin shkollave para zgjedhjeve të vitit 2019.
Kryetari dhe ish-kryetari i Bashkisë së Pogdradecit si dhe dy zyrtarë të tjerë akuzohen nga SPAK për shkelje në një procedurë prokurimi me vlerë 9.2 milionë lekë, me objekt blerje drush zjarri ndërsa çështja e tyre u dërgua për gjykim, bëri të ditur SPAK në një njoftim për shtyp. Krahas tyre, për gjykim SPAK dërgoi edhe dy punëtorë mirëmbajtjeje të drejtorisë arsimore, të cilët përballen me akuza penale për ndryshimin e drynave nëpër shkolla para zgjedhjeve njëpartiake të vitit 2019 për pushtetin vendor.
“Nga hetimi, rezultoi e provuar se titullari i Autoritetit Kontraktor, Eduart Kapri në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Enkeleida Kllomollari, Nexhmi Torro dhe Avdulla Cano, kanë kryer veprime që kualifikohen në veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera ose ankande publike”,” thuhet në njoftimin e SPAK pa dhënë detaje se për çfarë shkeljesh bëhet fjalë.
Në të njëjtën çështje, Safet Blaceri dhe Gurali Blaceri, të cilët në vitin 2019 kanë qenë punëtorë mirëmbajtjeje nëpër shkollat e Pogradecit, akuzohen për “shpërdorim detyre” kryer në bashkëpunim. Sipas SPAK, dy punëtorët kanë bashkëpunuar me ish-kryebashkiakun Kapri “për të penguar procesin zgjedhor”.
Kjo është goditja e tretë e SPAK kundër korrupsioneve me tenderë, pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë Lushnjë Fatos Tushe dhe zyrtarëve të tjerë në lidhje me një tender për pastrim kanali si dhe arrestimit të nëntë zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme të shtunën e kaluar.