Lajm14 May 2018

Shkëndija elektrike rrezikon ‘katastrofën’ në rafinerinë e naftës

Rafineria e naftës R.B.H Beline sh.a - e cila po hetohet nga prokuroria nën akuzën e ndotjes, është përfshirë të dielën nga flakët.

Autor: Bardha Nergjoni BIRN Tiranë
Printo

Rafineria e bitumit e ndërtuar nga R.B.H Beline në zonën e metalurgjikut në Elbasan | Foto nga : Bardha Nergjoni

Rreth orës 15.30 të së djelës në repartin e zjarrfikësve në Elbasan ka mbërritur një telefonat për rënien e një zjarri në rafinerinë e naftës.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur tri mjete zjarrëfikëse, të cilat kanë arritur të vënë nën kontroll flakët që ishin përhapur në repartin e pastrimit të ujërave teknologjikë të rafinerisë.

Sipas hetimeve paraprake dyshohet si shkak i zjarrit është një shkëndijë elektrike në pompën zhytëse në këtë repart.

Drejtoria e Policisë njoftoi se ishin pikërisht mjetet zjarrfikëse që bënë të mundur izolimin e zjarrit. Fatmirësisht nuk ka pasur dëme në njerëz dhe pasojat në materiale kanë qenë të pakta. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Parë Elbasan për ngjarje aksidentale.

Ndërkohë burime nga reparti i zjarrfikëses Elbasan konfirmuar se zjarri ishte pranë vaskave dhe rreziku ishte i madh, por me ndërhyrjen në kohë u evitua përhapja e flakëve. Në verifikim janë edhe kushtet teknike si dhe masat e marra për parandalimin e zjarrit dhe të shpëtimit.

Kompania  R.B.H Belinë u përfshi në një hetim rreth një muaj më parë nën akuzën e ndotjes së mjedisit. Hetimet nga ana e prokurorisë Elbasan janë në vazhdim. Akuzat erdhën pas denoncimeve të banorëve për ndotjen e ujit të vaditjes nga mbetjet e naftës.

Kompania i ka mohuar akuzat dhe e ka hedhur poshtë procedimin si të motivuar politikisht.