Blog5 Dec 2020

Shkëndijat e vullnetarizmit që pasuan tërmetin u shuan me kalimin e kohës

Përtej hipokrizisë së pranishme gjatë periudhës së komunizmit, vullnetarizmi shqiptar nuk arriti ta kalojë me sukses pragun e viteve 1990, qoftë edhe si një frymë e pranishme gjerësisht në vendet e Evropës perëndimore.

Autor: Gëzim Kabashi BIRN Tiranë
Printo

Vullnetaret luajne me fëmijet në përpjekje për të minimizuar traumën e tërmetit të 26 nëntorit. Foto: Vladimir Karaj

Krejt rastësisht mësova që 5 dhjetori është Dita Botërore e Vullnetarizmit, një datë simbolike e vendosur nga Kombet e Bashkuara që në vitin 1985.

Kërkova më tej, por nuk gjeta asnjë lajm mbi veprimtari të mundshme, të organizuara sot me këtë rast.

Asnjë njoftim edhe nga Kryqi i Kuq Shqiptar apo filialet e tij në rrethe, të cilët konsiderohen si nismëtarët dhe mbështetësit e çdo elementi vullnetar.

Ndoshta sepse sot është e shtunë, ditë pushimi, ndërsa veprimtaritë vullnetare në ndërmarrjet dhe institucionet shtetërore është bërë zakon të organizohen gjatë ditëve të punës.

Ngjarjet që e kanë mpakur vendit kohët e fundit, tërmeti dhe pandemia, nuk kanë mundur gjithashtu të krijojnë premisat për një sistem vullnetarizmi kapilar në të gjithë Shqipërinë.

Një vit pas tërmetit shkatërrues në Shqipërinë e mesme, në qytetet dhe zonat më të dëmtuara nuk ka mbetur asnjë shenjë nga vullnetarizmi i javëve të para pas 26 nëntorit të kaluar.

Megjithëse dimri ka filluar dhe familjet e dëmtuara vazhdojnë të jetojnë në çadra, grupet vullnetare në ndihmë të tyre thuajse nuk ekzistojnë.

Drejtuesit e ndonjë shoqate, që ka ndryshuar përkohësisht destinacionin e punës, për t’iu kushtuar shpërndarjes së ndihmave, deri tani  mbeten vetëm një shembull i mirë.

Nuk është hera e parë që humbet shansi për të institucionalizuar një lëvizje vullnetare.

Në vitin 1999, gjatë krizës kosovare qindra familje shqiptare hapën dyert për vëllezërit e dëbuar nga trojet e tyre.

Vajza dhe gra durrsake, të organizuara në lagjet e qendrës së qytetit,  gatuanin çdo ditë për fëmijët dhe të moshuarit e strehuar në shkollat e Durrësit.

Të tjerë u ofruan për të punuar në kampet e të ardhurve që u ngritën në fshatrat pranë.

Por edhe në atë rast madhor, ku solidariteti nuk i ngjante kohëve të zakonshme, vullnetarizmi nuk u kthye dot në mentalitet.

Ndërsa tani, organizatorët e aktiviteteve vullnetare i venë më shumë rëndësi pranisë së mediave dhe shfaqjes televizive në edicionet e mbrëmjes.

Në vitin 1985, kur Asambleja e OKB vendosi që datën 5 dhjetor të çdo viti t’ia kushtojë vullnetarizmit dhe përpjekjeve të vullnetarëve në komunitet, në vendin tonë vazhdonin aksionet vullnetare të rinisë për ndërtimin e hekurudhës, ndërsa vajzat shkollare pastronin çdo të dielë rrugën pranë shtëpisë.

Përtej hipokrizisë së pranishme në ato vite, vullnetarizmi shqiptar nuk arriti ta kalojë me sukses pragun e viteve 1990, qoftë edhe si një frymë e pranishme gjerësisht në vendet e Evropës perëndimore.