Lajm8 Mar 2018

Shkodra rrezikohet nga përmbytjet ndërsa prodhimi në hidrocentrale shpërthen

Shirat e furishëm të ditëve të fundit të shoqëruara me temperatura të larta që shkrijnë dëborën kanë shkaktuar prurje të stërmëdha në hidrocentralet mbi lumin Drin duke rritur në maksimum prodhimin e energjisë elektrike si dhe duke rritur rrezikun e përmbytjeve në zonën e nën-Shkodrës.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Lajmërmi i IGJEUM në Facebook. Foto: IGJEUM

Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit paralajmëroi sot (e enjte) se zona përgjatë lumit Buna pranë Shkodrës është e rrezikuar nga një përmbytje e konsiderueshme si pasojë e rritjes së temperaturave dhe rreshjeve të shiut në zonën malore në veri të Shqipërisë.

“Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM-it, rezulton se lumenjtë Drin, Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të kenë prurje dhe nivele të larta,” bëri të ditur instituti në faqen e saj në Facebook, duke shënjuar datën 8 dhe 9 mars si ditët më problematike.

“Për arsye të rritjes së rrezikut nga përmbytja është vendosur shenja e paralajmërimit nga përmbytja për qarkun e Shkodrës. Ngjyra e kuqe e qarkut është vendosur për shkak të rrezikut nga përmbytjet dhe jo nga reshjet e pritshme. Në pjesën tjetër të territorit nuk parashikohet rrezik nga përmbytjet,” thuhet në njoftim.

Zona e nën-Shkodrës është goditur nga përmbytjet në mënyrë të përsëritur përgjatë historisë ndërsa përmbytjet e fundit masive u shënuan në fund të vitit 2010 dhe në fillim të vitit 2011. Edhe në atë kohë, rritja e menjëhershme e temperaturave shkaktoi shkrirjen e parakohshme të dëborës në male dhe mbushi liqenet në kaskadën e Drinit përtej maksimumit të tyre ujëmbajtës.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, e cila është menaxhuesja e sistemit të kaskadës së Drinit, bëri të ditur se prurjet maksimale në kaskadë u shënuan në datën 2 mars me mbi 2.800 metra kub ujë për sekondë, nga të cilat, korporata u detyrua të shkarkojë rreth 2 mijë metra kub për sekoncë në hidrocentralin e saj fundor në Vaun e Dejës, ku pjesa më e madhe u shkarkua nga portat anësore.

Lumi Buna, i cili gjarpëron me një pendencë të ulët deri në det, arrin të mbajë brenda shtratit të vet deri në 1500 metra kub ujë për sekondë, ndërsa prurjet më të larta detyrimisht shkaktojnë përmbytje.

Zona më e ulët përgjatë rrjedhës së Bunës, fshati Obot, ra nën ujë tashmë prej disa ditësh ndësa sipas IGJEUM, pritet që sipërfaqja e përmbytur të shtohet në orët në vazhdim.

Emergjencat civile janë vënë në gadishmëri për të ndihmuar popullsinë e zonës në rast se situata përkeqësohet. Parashikimi i IGJEUM është që pas ditës së premte situata mund të përmirësohet.

Prurjet mesatare vjetore të Drinit janë 350 metra kub për sekondë ndërsa prurjet mbi 2 mijë metra kub për sekondë janë të rralla.

Ndërsa shfatra të tërë po mbajnë frymën për të parë se sa dëme mund t’i shkaktojë përmbytja, prurjet e furishme në Drin kanë sjellë rritje të konsiderueshme të prodhimit të energjisë elektrike. Sipas KESH, të gjitha agregatët janë në punë  duke prodhuar deri në 28 milionë kilovatorë në ditë. Shqipëria konsumon zakonisht 20 deri në 24 milionë kilovatorë ndërsa KESH ka nxjerrë në shitje në tregun privat tepricat. Uji i derdhur nga portat anësore pa prodhuar energji në kaskadën e Drinit është e barabartë me 5-6 milionë kilovatorë prodhim të munguar në 24 orë. Kaskada e Drinit është konfiguruar në kohën e komunizmit me një parim që i jep rëndësi përdorimit të liqeneve si rezervuarë energjie më shumë se sa prodhimit të lartë. Aktualisht ka ide për rikonfigurimin e hidrocentraleve me synimin e shfrytëzimit të situatave të tilla të jashtëzakonshme për të prodhuar më shumë energji.