Mitrovica mund të jetë famëkeqe për ndarjet e saj etnike, por Shkolla lokale e Rrokut po bashkon të rinjtë nga të dyja anët e qytetit rreth një pasioni të përbashkët.
Ilda Krama, 19 vjeçe, është siç e quan ajo “një rast i veçantë” në qytetin e ndarë të Mitrovicës – i cili është ndarë që nga përfundimi i luftës së Kosovës midis jugut shqiptar dhe veriut serb.
E kaluara e Kramës është po aq e përzier sa edhe vendlindja e saj. “Shumica e familjes sime jeton në veri, por ne kemi jetuar në jug,” shpjegon ajo.
“Kam ndjekur shkollën në gjuhën boshnjake dhe Shkollën e Rrokut në shqip dhe i flas të dyja gjuhët,” shton ajo.
Tani në vitin e dytë të studimeve për arkitekturë në pjesën veriore të Mitrovicës, ajo është zëri kryesor i Proximity Mine, një grup i themeluar nën kujdesin e Shkollës së Rrokut – një nga organizatat e pakta që funksionojnë si në pjesën jugore ashtu edhe në atë veriore të qytetit.
Si anëtare e komunitetit boshnjak të Kosovës, Ilda u gjend në mes të mosmarrëveshjeve që kur ka lindur – dëm kolateral i konfliktit të vjetër mbi Kosovën midis serbëve dhe shqiptarëve.
Ajo jetoi në jugun kryesisht shqiptar të Mitrovicës deri në gusht 2018, por pastaj u zhvendosën matanë urës mbi lumin që ndan qytetin.
“Grupi dhe njohja jonë me njëri-tjetrin kanë hapur perspektiva të reja për mua. Ishte për shkak të grupit që fillova të studioja në veri dhe u zhvendosa atje,” thotë ajo.
Përpjekje e guximshme për të rindërtuar komunikimin
Ilda është një nga 80 nxënësit e Shkollës së Rrokut, e cila u themelua në vitin 2008 si pjesë e projektit “Muzikantë pa Kufi”, i drejtuar nga Ndërtimi i Komunitetit, një OJQ nga Mitrovica.
Ndërkohë që e soja mund të jetë thjesht historia e një muzikanteje të re në një qytet të vogël në Europën Juglindore, ajo që e bën atë të ndryshme është fakti që ajo jeton në një qytet që gjithashtu furnizon në mënyrë rutinë mediat me histori konflikti etnik dhe paqëndrueshmërie politike.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, Shkolla e Rrokut ishte një nga nismat e para për të rindërtuar ura midis të rinjve në pjesën veriore dhe jugore të qytetit.
Kjo nuk ishte e lehtë. Kjo nënkuptonte të mblidhje për herë të parë njerëz të ndarë që nga rinia e tyre e hershme e tyre nga lumi Ibër.
Takimet e para u mbajtën në Shkup, në Maqedoninë e Veriut, pasi ajo u konsiderua si “tokë neutrale”.
Për shumicën e muzikantëve të rinj të përfshirë, ky ishte kontakti i tyre i parë me njerëzit “nga ana tjetër”.
Basisti Lazar Mladenoviç u regjistrua në Shkollën e Rrokut tetë vjet më parë, duke vazhduar edhe studimet për fizikë në Fakultetin e Matematikës Natyrore.
Pasi mori pjesë në kampin veror të muzikës në Shkup, ai u bë i vetmi anëtar serb i grupit nga veriu. Të tjerët ishin të gjithë nga pala jugore, kryesisht shqiptare.
Ai kujton se duke qenë se nuk kishin ndonjë gjuhë të përbashkët, ata flisnin anglisht. “Por komunikimi ishte i mirë – ne ishim thjesht një grup të rinjsh të etur për të luajtur muzikë. Për të gjithë ne, ky ishte takimi i parë i përbashkët dhe shkoi mirë,” thotë ai.
Shoku i tij i grupit, kitaristi Alem Redzepagiç, 22 vjeç, thotë se kjo përvojë ishte më pak e re për të.
Ai ka jetuar në mjedise multi-etnike, në komunitete të ndryshme. I lindur në Mitrovicë, ai jetoi në Prishtinë deri në vitin 2014. Tani ai jeton pranë urës së Mitrovicës.
“Nuk kisha asnjë ndjenjë të çuditshme për bashkëpunimin. Shkolla as i ka përmirësuar dhe as i ka dëmtuar pikëpamjet e mia në lidhje me të gjitha këto gjëra,” tha ai.
Ilda ndan këtë pikëpamje, pasi ajo nuk është një nga të rinjtë e shumtë në Mitrovicë që nuk e kanë kaluar kurrë urën e famshme të lumit Ibër.
“Mikja ime shqiptare nga jugu ishte kitaristja e dytë e grupit,” vëren Ilda.
“Ajo nuk e kishte kaluar kurrë urën, përveçse kur ishte e vogël, bashkë me prindërit e saj. Prindërit e saj kishin shumë dyshime për Shkollën e Rrokut, nga frika se mund të shkonte keq. Por kur ne filluam grupin, ata e pëlqyen këtë ide, pasi ne po përdornim muzikën për të lidhur të dyja palët.”
Anëtarët e grupit risjellin në mendje përshtypjet e tyre në takimet e tyre të para. “Si fillim, ne e rrahim njëri-tjetrin,” bën shaka Lazari duke qeshur me zë të lartë. “Është një zakon pagan, e keni parasysh?” shton Alemi.
Me këtë të qeshur, është e qartë që këta të rinj nuk janë të ngarkuar nga tensionet politike dhe etnike që i rrethojnë ata.
“Në Shkollën verore të Rrokut të mbajtur në Shkup, kishim vetëm një detyrim – të bënim muzikë dhe në fund të asaj jave organizuam një shfaqje muzikore,” kujton Milos Miloviç, 21 vjeç, i cili filloi si student, por tani jep mësim si asistent baterist në shkollë.
Udhëtimi i parë në “anën tjetër”
Milizza Kosova, 31 vjeçe, ka qenë pjesë e shkollës që nga viti 2016. Ajo menaxhon një organizatë joqeveritare që punon me muzikantë të rinj. Ajo nuk është muzikante vetë, por është aktive në punën e shkollës.
Puna e saj e çoi atë në Mitrovicën e veriut, të cilën ajo më parë nuk e njihte.
Edhe pse disa artikuj shqetësues lajmesh mund ta kishin penguar atë të shkonte në “anën tjetër”, ajo ndihej kureshtare.
Por në fillim, ajo shkoi me makinë në anën veriore dhe nuk kaloi me këmbë urën.
“M’u desh t’i bija Mitrovicës rrotull me makinë, ndërkohë që është vetëm tre minuta larg në këmbë. Por një moment, kjo u bë shumë e bezdisshme, kështu që fillova të ecja. Pas një kohe, u ndjeva plotësisht te lirë të shkoja në veri vetëm,” thotë ajo.
Ajo e kujton këtë moment historik nga zyra e saj, e cila ndodhet vetëm pak metra larg një ure që ka parë aq shumë konflikte mes serbëve dhe shqiptarëve.
Bashkimi Europian investoi 1.2 milionë euro në rindërtimin e urës për ta rihapur atë për trafikun e përgjithshëm.
Ajo mbetet një subjekt aktiviteti simbolik nga zyrtarët vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët shpesh ndjejnë nevojën që të bëjnë fotografi atje. Edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, e ka bërë këtë.
Por vendasit kalojnë nëpër urë pa e ndier nevojën ta prezantojnë këtë si një lloj ngjarje mediatike. Dhe Milizza thotë se miqësia ekziston në të gjithë urën.
“Bazuar në përvojën time nga Shkolla e Rrokut, shoh të rinj që janë të gatshëm të jenë miq me njëri-tjetrin,” thotë ajo.
“E di që nga e kaluara, pasi kisha miq dhe fqinjë serbë dhe nga etni të tjera. Kemi jetuar gjithmonë së bashku dhe shoh shumë njerëz, sidomos në jug, të cilët flasin gjuhën serbe.
“Mendoj se njerëzit në përgjithësi dëshirojnë ta kapërcejnë këtë problem, por ai ngjan si një problem politik që do të vazhdojë më gjatë,” shton ajo.
Vazhdimi i traditës së vjetër muzikore të qytetit
I ulur përballë saj në zyrë është Emir Hasani, 26 vjeç, një kitarist i cili gjithashtu jep mësim pianoje dhe kënge në shkollë dhe është gjithashtu drejtor i programit.
Emiri dëshiron të jetë pjesë e traditës së pasur muzikore për të cilën dikur Mitrovica ishte e njohur.
“Mitrovica dikur ishte qyteti më i madh në Kosovë dhe ende e gëzon atë reputacion muzikor. Muzikantët më të mirë në Kosovë, madje edhe ata në Prishtinë, vijnë nga Mitrovica,” këmbëngul ai.
Ai përdori muzikën për të krijuar kontakte me bashkëmoshatarët nga jugu. “Nuk njihja asnjë atje, edhe pse jetojmë në të njëjtin qytet dhe të gjithë luajmë muzikë. Unë kam pranë urës, por nuk i njihja kurrë muzikantët nga jugu,” thotë ai.
“Tani është ndryshe, të paktën për mua. Për disa të rinj mund të jetë e çuditshme. Por pas përpjekjeve të para së bashku, ne thyem disa barriera,” kujton Emiri. “Në fillim, kur sapo e ke takuar dikë, nuk mund ta quash mik,” shton ai.
Ai shpjegon se, që nga viti 2011 ka pasur një rregull të ri që grupet muzikore duhet t’i shkruajnë vetë këngët e tyre, gjë që deri atëherë nuk ekzistonte.
Emiri thotë se është e rëndësishme që studentët dhe mësuesit e shkollës të punojnë në projekte afatgjata. Këtë do të garantonte dhe puna për një këngë.
“Ata po punojnë seriozisht për të krijuar diçka të re dhe ata krijojnë vërtet,” thotë ai.
“Ata nuk janë gjithmonë miq, por kur krijon me dikë, fillon të lidhesh me ta,” shton ai. “Edhe nëse ndërton një njeri prej dëbore me dikë, do të jesh krenar për të, e lëre pastaj për një këngë.”
Emiri gjithashtu thotë se sot është më e lehtë të punosh bashkë, pasi shumica e nxënësve të rinj tashmë e njohin dikë në shkollë.
“Ata tashmë e kanë një ide se si funksionon – të bëhesh miq dhe të krijosh me njerëz nga ana tjetër,” thotë ai.
Brezat e rinj nga të dyja anët e urës kryesisht nuk e njohin gjuhën e “të tjerëve”.
Ndërkohë që muzika mund të jetë një gjuhë universale, anglishtja vjen në ndihmë për të komunikuar gjatë krijimtarisë muzikore. Të gjitha këngët janë të shkruara në anglisht.
“Ne kemi mësuar të flasim me duar dhe këmbë – në të gjitha mënyrat e mundshme,” bën shaka duke buzëqeshur Alemi.
Ilda që flet dy gjuhë shpesh shërben si përkthyese në shkollë. Me shaka, ajo thotë se nëse karriera e saj si arkitekt nuk shkon mirë, ajo do të ketë një karrierë të re si përkthyese.
Përveç se ndihmon miqtë e saj në Shkollën e Rrokut, ajo gjithashtu ka ndërmjetësuar edhe për kontakte të tjera për herë të parë midis serbëve dhe shqiptarëve.
“Si një njeri që flet dy gjuhë, më shkrepi në mendje, teksa rrija ulur në një hotel, se ne ishim etnikisht të ndarë me tavolina. Shqiptarët uleshin në një tavolinë dhe serbët në një tjetër. Të dyja palët më ftonin të ulesha me ta, kështu që merrja një karrige dhe ulesha mes të dyve,” kujton Ilda.
Krijimi i lidhjeve me mbarë botën
Nëpërmjet Shkollës së Rrokut të Mitrovicës, të rinjtë gjithashtu bashkëpunojnë me shkollat e tjera muzikore nga Maqedonia e Veriut dhe me një akademi në Holandë. Kjo u ka mundësuar atyre të luajnë me njerëz nga e gjithë Europa.
“Është shumë e rëndësishme, sepse ne gjithmonë e kemi pasur problem mbetjen pas Europës, por kjo s’është më problem. Nxënësit tanë dëgjojnë muzikë të ngjashme dhe luajnë në të njëjtin nivel si ata” shpjegon Emiri.
Që nga takimet e tyre të para në Shkup, në terren neutral, ata kanë bërë progres të rëndësishëm, “ndërsa aktivitetet tani mbahen në Mitrovicë, e cila në fillim ishte pothuajse e paimagjinueshme,” shton ai.
“Është e mrekullueshme të shohësh të rinj të cilët, pavarësisht nga politika dhe nga të gjitha problemet e tjera, janë të gatshëm të punojnë së bashku dhe të jenë pjesë e të njëjtin grup muzikor,” thotë Milizza. “Mund të shikoni që janë nxënës që nuk kanë frikë të rrinë bashkë, të shkojnë në veri apo në jug.”
“Shumë prej tyre janë të lumtur ta bëjnë këtë, sepse ky është një qytet i vogël, kështu që takimi me dikë nga veriu apo jugu është shumë më interesante. Ata mund të bëjnë miq të rinj dhe të fitojnë perspektiva të reja,” thotë Milizza.
Anëtarët e Proximity Mine thonë se ata kanë pasur mundësinë të luanin në Prishtinë, duke përfshirë një dalje në bazën paqeruajtëse të NATO-s në KFOR.
Ata kishin pak pritshmëri, kështu që reagimet e ngrohta të publikut i emocionuan. “Ata ishin të mrekullueshme, disa prej tyre madje i dinin këngët tona. Nuk e di se si, por i dinin,” thotë Alemi.
“Është ndjesia më e mirë në botë, që publiku të këndojë bashkë me ty,” thotë Ilda.
Ideja e shkollës është të inkurajojë individualitetin te muzikantët e saj të rinj. Këtu kultivohen zhanre të ndryshme muzikore, edhe pse kryesisht rrok, pop dhe pank.
“Ne kemi kombinuar muzikën për të gjitha shijet. Kemi arritur t’i përziejmë të gjitha. Ilda ka qejf një lloj indie-pop, ndërkohë që atij i pëlqen panku, ndrësa mua më pëlqen muzika metal dhe rokenrol, thotë Alemi.
“Milosi ka ide të mira rreth ritmit, kështu që ai arrin të gërshetojë gjithashtu diçka të mirë. Ne kemi arritur të kombinojmë gjithçka që duam,” shton Alemi.
Ajo që u mungon atyre është mundësia për të performuar më shpesh. Kur i pyet se ku dëshirojnë më shumë të luajnë muzikë, ata përgjigjen pothuajse njëzëri: “Kudo ku të mundemi”.