Lajm25 Mar 2020

Shkon në 146 numri i të prekurve nga koronavirusi, 23 raste të reja në 24 orë

Nga 111 persona të testuar në 24 orët e fundit, 23 prej tyre rezultuan të infektuar me COVID-19 –duke sjellë një rritje të rasteve në Tiranë, Korcë, Fier dhe Durrës si dhe duke shënuar rastin e parë në qytetin e Krujës.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Grafik i personave të prekur dhe viktimave nga COVID-19 deri të mërkurën më 25 mars 2020.

Harta e COVID-19 u zgjerua sërish të mërkurën, ndërsa Instituti i Shëndetit Publik zbuloi 23 raste të reja në 24 orët e fundit. Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli tha një një deklaratë për mediat se ishin kryer 111 testime të reja në të gjithë vendin –nga të cilat 23 rezultuan pozitivë.

Rastet e reja e çuan numrin total të të prekurve nga COVID-19 në Shqipëri në 146 persona. Qyteti i Krujës shënoi rastin e vet të parë me koronavirus, ndërkohë që numri i të prekurve u rrit në Tiranë, Korçë, Fier, Durrës dhe Lezhë.

“72 persona ndodhen të shtruar në Spitalin Infektiv në Tiranë, ku katër ndodhen në terapi intensive dhe tre prej tyre janë në gjendje të rëndë dhe të intubuar,” tha zv.ministrja Rakacolli. Ajo prezantoi gjithashtu si lajm të mirë shërimin e 17 pacientëve, të cilët ndodhen tashmë në shtëpi të vetëizoluar.

Numri i të prekurve me COVID-19 vazhdon të rritet në Tiranë –vatra më e madhe e vendit –ku të mërkurën numëroheshin 83 persona pozitivë. Qyteti i dytë me numrin më të lartë të të prekurve është Fieri me 14 raste, i ndjekur nga Korça me 11 raste, Durrësi me 9 raste dhe Vlora me 5 raste.

Në Lushnje, Kavajë dhe Lezhë janë identifikuar nga 4 raste me COVID-19, ndërsa Elbasani dhe Shkodra kanë nga 3 raste, Rrogozhina dhe Hasi nga 2 raste dhe Hasi e Kruja nga 1 rast.

Shqipëria u fut zyrtarisht në hartën e vendeve të prekura nga pandemia COVID-19 më 9 mars dhe prej asaj dite është shënuar një rritje progresive e rasteve. Pesë persona kanë humbur jetën si pasojë e komplikacioneve të shkaktuara nga virusi, mes të cilëve edhe një 43-vjeçar nga Kavaja dhe një 48-vjeçar nga Tirana.

Prej gati dy javësh, qeveria ka urdhëruar një regjim të rreptë të ndalimit të lëvizjeve si një mënyrë për të ndaluar zinxhirin e transmetimit të virusit në vend. Mbrëmjen së martës, qeveria shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore në vend, si një përshkallëzim i ri për situatën e krijuar nga pandemia COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë përsëriti apelin për qytetarët që të mos shkojnë menjëherë në spital, por t’u drejtohen linjave telefonike të vendosura në dispozicion për këshilla mjekësore. Për personat që mund të shfaqin shenja të sëmundjes është në dispozicion numri 127 i Urgjencës Kombëtare.