Lajm13 Oct 2020

Shoqëria civile mbushi një hendek në Ballkan gjatë pandemisë

Qeveritë në Europën Juglindore i kanë “karantinuar” të drejtat e njeriut gjatë pandemisë, por grupet e shoqërisë civile dhe aktivistët po reagojnë, duke protestuar në lidhje me këtë tërheqje dhe duke mbushur hendekun.

Autor: Sofija Torodovic BIRN Beograd
Printo

Një rrugicë tregu pranë qendrës së Tiranës, njohur si “Tregu Cam” fotografuar në 30 Mars 2020 me dyqane të mbyllura për shkak të pandemisë COVID-19. Qiramarrësit mes bizneseve të vogla nuk do të kenë nevojë të paguajnë qiranë gjatë pandemisë, sipas një akti normativ të qeverisë. Foto:BIRN

Një diskutim në internet, “Sëmurë: Të drejtat e njeriut në Ballkan gjatë COVID-19, organizuar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, agjencia Bakamo dhe Instituti McCain i Universitetit Shtetëror të Arizonës, ka hedhur një dritë të re mbi kërcënimet ndaj të drejtave dhe lirive të njeriut në mes të krizës aktuale shëndetësore.

Nganjëherë, kufizimet e qeverisë kanë qenë të justifikuara, si për shembull kufizimi i lëvizjes së njerëzve, për të penguar përhapjen e sëmundjes. Por në raste të tjera, kufizimet kanë qenë të panevojshme, të tepruara, pa bazë ligjore dhe kanë pasur një ndikim të dëmshëm në një sërë të drejtash themelore.

Fred Abrahams i Human Rights Watch thotë se pandemia ka ndikuar në dy mënyra te të drejtat e njeriut. Njëra është e drejtpërdrejtë me futjen e masave të jashtëzakonshme që tejkalojnë normat ligjore dhe kufizojnë në mënyrë të padrejtë lirinë e lëvizjes dhe të shprehjes.

Efekti tjetër më indirekt i pandemisë, thotë Abrahams, ka qenë ekspozimi i modeleve para-ekzistuese të diskriminimit që ndikojnë veçanërisht te grupe më të cenueshme, të tilla si pakicat, komunitetet LGBT+, refugjatët, emigrantët dhe njerëzit e moshuar.

“COVID-19 nuk i prek të gjithë njerëzit në mënyrë të barabartë. Ai ka një ndikim disproporcional te njerëzit që janë më të prekshëm, njerëz të varfër, të moshuar dhe njerëz që kanë më pak mundësi për të pasur qasje në shërbimet e nevojshme ”, thekson Abrahams.

Duke folur për përvojën e saj si anëtare e komunitetit LGBT+ në Shqipëri, Xheni Karaj, drejtore ekzekutive e Aleancës LGBTI, tha se pandemia kishte bërë që shumë njerëz LGBTI “t’i rikthehen anonimatit”, gjë që i bën ata të ndihen edhe më të izoluar.

“Distancimi social ishte veçanërisht i vështirë për njerëzit LGBTI që nuk pranohen ose nuk shkojnë me familjet e tyre dhe, për shkak të COVID-19, ata janë detyruar të jetojnë gjatë gjithë kohës me familjet”, thotë Karaj.

Ajo e mbështet këtë duke treguar një sondazh që organizata e saj zhvilloi muajt e fundit, i cili tregoi se 25.4 për qind e të anketuarve në mesin e komunitetit LGBT+ në Shqipëri ishin detyruar të jetonin me familjet e tyre gjatë pandemisë, gjë e cila kishte ndikuar edhe më tej në shëndetin e tyre mendor, veçanërisht nëse ata ishin të rinj.

I njëjti studim tregoi se dhuna në familje ndaj personave LGBT+ ishte rritur gjithashtu, ashtu si edhe fyerjet dhe kërcënimet. Dhuna ishte shtuar gjithashtu në internet, duke u manifestuar në gjuhë urrejtjeje dhe gjuhë ofenduese – e përdorur jo vetëm nga qytetarë të rregullt, por edhe nga politikanë dhe liderë fetarë të cilët, në raste, fajësuan njerëzit LGBT+ për pandeminë e COVID-19.

Xheni nënvizoi se situata shëndetësore gjithashtu kishte bërë të anuloheshin Paradat e Krenarisë në të gjithë rajonin, evente pothuajse unike në të cilat festohen dhe mbështeten të drejtat e LGBT+.

As në Serbi këtë vit nuk u mbajt Parada e Krenarisë, vendi që pa kufizimet më të ashpra të lirisë së lëvizjes në rajon.

Kjo preku veçanërisht njerëzit e moshuar, të cilët për muaj të tërë u lejuan të dilnin nga shtëpitë e tyre vetëm për të shkuar te mjeku, kujton Milena Vasiç, një avokate në Komitetin e Avokatëve për të Drejtat e Njeriut YUCOM.

“Ne e konsiderojmë këtë diskriminuese dhe kjo gjithashtu shkaktoi shkelje të tjera të të drejtave të njeriut, veçanërisht të drejtën për punë, kujdes shëndetësor dhe të tjerët”, tha Vasiç. I njëjti trend ishte i dukshëm edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Kroaci, thanë ekspertët.

Pandemia në të njëjtën kohë rrezikoi qasjen e njerëzve në drejtësi dhe të drejtën e tyre për një gjykim të drejtë. Ky ishte një zhvillim veçanërisht shqetësues në Serbi, ku gjykimet shpesh shihen si të ndikuar politikisht.

Pati gjithashtu një rritje të rasteve të dezinformimit, panikut dhe trazira, por pa rregulla të qarta rreth arrestimeve ose ngritjes së akuzave. Vasiç tha se autoritetet në Serbi ndonjëherë vendosën dënime drakoniane deri në tre vjet burg për ato që ngjanin si shkelje të vogla.

Në të gjithë rajonin, përgjigjet e qeveritarëve ndaj sfidave të ngritura nga pandemia u shfaqën të paplanifikuara, sporadike dhe shpesh të improvizuara, tha Ivan Novosel, Drejtor Programesh në Human Rights House në Zagreb, Kroaci.

Ai tha se kjo qasje ishte veçanërisht e dukshme në arsim, duke ekspozuar pabarazi të mëdha në arsim pasi shkollimi kaloi online, kur aksesi i vazhdueshëm në arsim varej nga teknologjia ku kishin qasje vetëm grupe ose individë të caktuar, ose që prindërit mund t’u siguronin fëmijëve – të ashtuquajturat “ndarje digjitale.”

“Kjo prirje drejt pabarazisë ishte më e dukshme në shkollat ​​fillore dhe me prindër të cilët kishin kapacitete të kufizuara për të siguruar mjaftueshëm ose ndonjë kompjuter”, shpjegoi Novosel.

Danilo Curciç, nga Nisma A11 në Beograd, një organizatë joqeveritare që promovon të drejtat e komuniteteve të margjinalizuara, tha se pasojat e pandemisë COVID-19 do të ishin të dukshme kryesisht në fushën e të drejtave ekonomike dhe sociale.

“Kjo shkon nga arsimi në qasjen në mirëqenie, strehim, etj”, tha ai. “Në kontekstin tonë, do të jetë e rëndësishme të fillojmë të mendojmë për mënyrat se si mund t’i sfidojmë këto politika, nga perspektiva e kryqëzimit të të drejtave ekonomike dhe sociale dhe civile dhe politike”, nënvizoi ai.

Refugjatët dhe emigrantët në të gjithë Ballkanin u privuan nga të drejtat, sidomos në Serbi, Kroaci dhe Bosnjë dhe Hercegovinë, ku qendrat e akomodimit u shndërruan në qendra paraburgimi.

“Edhe kur masat e izolimit përfunduan në shumë prej këtyre vendeve, OJQ-të dhe organizatat e shoqërisë civile nuk u lejuan të ofronin ndihmë për qendrat e azilit”, tha Jelena Sesar, studiuese e Ballkanit në Amnesty International.

Kufizimet e lirisë së lëvizjes për emigrantët ishin veçanërisht të rënda në kantonin Una Sana të Bosnjës veriperëndimore, ku njerëzit për një periudhë të gjatë nuk u lejuan të përdornin transportin publik.

Sesar tha se shumë emigrantë që po qëndronin jashtë qendrave të autorizuara të pritjes ishin të ekspozuar ndaj dëbimit të detyruar, pas së cilit autoritetet nuk u siguronin atyre ndonjë strehim alternativ dhe në disa raste i zhvendosën njerëzit në kampe të improvizuara që nuk plotësonin standardet minimale. Atyre gjithashtu nuk iu dha ushqim i mjaftueshëm ose mbështetje mjekësore.

“Kriza e COVID-19 ishte thjesht një pretekst që autoritetet në Bosnjë dhe Hercegovinë të angazhoheshin në një goditje ndaj kësaj popullsie, duke shkaktuar një problem humanitar”, pohoi Sesar.

Pandemia gjithashtu tregoi nevojën që organizatat dhe lëvizjet të luanin një rol më të madh në ofrimin e shërbimeve themelore për komunitetet në nevojë, duke bërë thirrje për qasje në drejtësi, kujdes shëndetësor dhe mbrojtje të të drejtave digjitale.

Në shumë raste, shtetet dështuan në sigurimin e ndihmës dhe madje e shtuan pushtetin e tyre mbi shoqërinë. Ky hendek shpesh u mbush nga organizatat e shoqërisë civile, pavarësisht kapaciteteve dhe burimeve të tyre të kufizuara.

Përgjigja e dobët e qeverive të rajonit ndaj COVID-19 ka gërryer edhe më tej besimin e njerëzve tek institucione tashmë të brishta dhe, në të njëjtën kohë, ka inkurajuar zëra që bëjnë thirrje për reformë demokratike.