Lajm9 Oct 2019

Shpenzimet e pajustifikuara ndër vite i kushtuan karrierën prokurorit Ardian Ylli

Vendimi i arsyetuar i KPK-së tregon se shpjegimet mbi pasurinë nuk mjaftuan për kualifikimin e ish-drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës, Ardian Ylli, i cili rezultoi me mungesë burimesh të ligjshme në vlerën e 4.1 milionë lekësh.

Autor: Aleksandra Bogdani BIRN Tiranë
Printo

Senca dëgjimore në KPK ndaj kreu të Prokurorisë së Vlorës, Ardian Ylli, datë 15.07.2019 | Foto : Vladimir Karaj

Drejtuesi i Prokurorisë së Vlorës, Ardian Ylli dështoi të kalonte vetingun dhe u shkarkua nga detyra më 18 korrik 2019. Vendimi i arsyetuar i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit tregon se ai nuk arriti të justifikojë me burime të ligjshme shpenzimet ndër vite të familjes, me një diferencë negative në analizën financiare prej 4.1 milionë lekësh.

Një tjetër arsye që motivon vendimin e shkarkimit të tij është deklarimi i pamjaftueshëm. Sipas vendimit të KPK-së, prokurori Ylli nuk deklaroi dy kredi bankare të marra nga bashkëshortja në shumat 200 mijë lekë në vitin 2004 dhe 300 mijë lekë në vitin 2009.

Ardian Ylli punonte si prokuror prej 25 vitesh, duke mbajtur edhe postet drejtuese në Fier dhe më pas në Vlorë. Ai iu nënshtrua procesit të vetingut për të tre kriteret, nga trupa gjyqësore e drejtuar nga Roland Ilia, relator Olsi Komici dhe anëtare Valbona Sanxhaktari.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk gjeti probleme me pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Verifkimi i pasurisë zuri vendin kryesor dhe në fund të procesit të rivlerësimit, Ylli arriti të bindte trupën gjyqësore se kishte kryer deklarime të sakta dhe të mjaftueshme për pasuritë e tij ndër vite, të përbëra nga një apartament 108 m2 në Durrës së bashku me shtesën prej 38 m2 si dhe pesë makina të blera në emër të tij dhe të djalit ndër vite. Ai arriti gjithashtu të dokumentojë përgjithësisht bizneset e familjarëve; një parukeri në emër të bashkëshortes si dhe një ortakëri të shkurtër të të birit në një lokal të marrë me qira.

Megjithatë, KPK evidentoi si deklarim të pamjaftueshëm faktin se dy kredi të marra nga bashkëshortja në fondin “Besa” nuk rezultonin në asnjërën prej deklaratave periodike të pasurisë.

Prokurori Ardian Ylli e konsideroi mosdeklarimin si harresë dhe mungesë vëmendje nga ana e tij. “Pavarësisht faktit se këto kredi janë në vlera të vogla, mosdeklarimi i tyre nuk ka qenë i qëllimshëm nga ana ime për fshehjen e të ardhurave,” deklaroi ai para Komisionit.

Mosdeklarimi i kredive ndikoi, por nuk ishte vendimtari në vendimin e shkarkimit. Trupa gjyqësore dhe prokurori Ylli – sipas vendimit të argumentuar kanë shkëmbyer një korrespondencë të gjatë me njëri-tjetrin lidhur me analizën financiare, e cila nxorri zbuluar një vlerë të konsiderueshme shpenzimesh të subjektit dhe familjarëve të tij.

Në fillim, analiza financiare për periudhën 2003-2016 rezutoi me mungesë burimesh në vlerën e 6.5 milionë lekëve. Por subjekti pretendoi para Komisionit se pas vdekjes së babait kishte poseduar kursimet e tij prej 2 milionë lekësh, të përdorura sipas tij në vitet 2013 dhe 2014.

Komisioni ka pranuar disa prej shpjegimeve të subjektit në lidhje me të ardhurat e të atit të tij nga personi dhe i ka përfshirë ato në tabelat financiare, por ka rrëzuar si të pabazuar pretendimin se këto të ardhura ishin kursyer.

“Pretendimet e subjektit se në disa vite të ardhurat nga pensioni janë kursyer dhe janë administruar prej tij në vitin 2011 dhe më pas përdorur, përkatësisht në vitet 2013 dhe 2014, nuk u pranuan nga Komisioni, pasi ato nuk u provuan në asnjë formë nga subjekti i rivlerësimit. Shpjegimet e tij nuk u dukën bindëse për Komisionin, pasi sqarimet e dhëna nga subjekti në rezultatet e hetimit i referohen situatave negative financiare të rezultuara nga analiza ekonomike dhe nuk u provuan me ndonjë dokument (librezë kursimi, depozitë, deklarime, etj),” thuhet në vendimin e KPK-së.

Prokurori Ardian Ylli ka kundërshtuar gjithashtu analizën në lidhje me shpenzimet e llogaritura për udhëtimet. Ai ka shpjeguar se kishte qenë shumë i kujdesshëm dhe kishte bërë prenotimin e biletave shumë kohë përpara udhëtimeve, ndërkohë që në një pjesë të konsiderueshme të tyre kishte qëndruar tek miq dhe familjarë, të cilët sipas tij kishin mbuluar shpenzimet.

Komisioni mori në konsideratë disa prej rasteve ku subjekti paraqiti dokumente dhe i rrëzoi të tjerat. Në vendim Komisioni shpjegon gjithashtu se vlerat referuese të shpenzimeve në analizën financiare kishin qenë “relativisht të ulëta”.

Në fund, Komisioni rishikoi analizën financiare, por konstatoi sërish se subjekti nuk kishte burime të ligjshme për të justifikuar investimet, kursimet dhe shpenzimet e kryera në vlerën e 4.1 milionë lekëve.

Në fund, trupa gjykuese vendosi unanimisht shkarkimin e tij nga detyra.