Lajm3 May 2021

Shpërthimi në nënstacionin e naftës, plagoset një naftëtar

Një 50-vjeçar pësoi djegie të shumta në trup dhe u dërgua në Tiranë për ndihmë mjekësore pas shpërthimit të një nënstacioni nafte në Qafë Kash të Fierit.

Autor: Valbona Davidhi BIRN Fier
Printo

Policia në vendin e shpërthimit të nënstacionit të naftës. Foto:Valbona Davidhi

Shpërthimi i një nënstacioni pompimi nafte në Qafë Kash të Fierit të hënën në mëngjes, la të plagosur rëndë punëtorin 50-vjeçarë. Viktor Balla, i cili sapo kishte marrë turnin, pësoi djegie të rënda në trup dhe pasi u dërgua në spitalin e Fierit nga kolegët u nis me urgjencë në Tiranë.

Policia njoftoi se dyshohej që flakët kishin nisur në një tubacion nafte që lidhej me një nga depot e dekantimit të kompanisë Anio Oil. Sipas policisë djegiet e Ballës ishin sipërfaqësore.

Drejtori i kompleksit të naftës në Qafë Kash, Zylfo Mehmetaj, i tha BIRN se nuk i dinte arsyet e shpërthimit. Mehmetaj tha se ishte angazhuar me transportin e naftëtarit të plagosur në Tiranë. “Nuk di të them asgjë pse ndodhi”, tha ai.

Zjarri dhe shpërthimi sipas të dhënave të policisë ka shkatërruar çatinë e nënstacionit dhe pajisjet e tjera. Punëtori i plagosur u gjend pa ndjenja dhe me djegie të shumta në trup nga kolegët.

Menjëherë pas shpërthimit ekipet e emergjencave të Anio Oil ndërhynë dhe shuan flakët si dhe mbyllën procesin e transportit të naftës nëpër depozita. Ndërhyrja ndaloi përhapjen e flakëve në depozitat e tjera pranë nënstacionit të pompimit. Një grup hetuesish po këqyrin vendin e ngjarjes për të kuptuar shkaqet e shpërthimit ndërsa po merren në pyetje edhe naftëtarët e tjerë që ndodheshin në punë kur ndodhi shpërthimi.