Reportazh9 Aug 2019

Shpresë e re për viktimat e përdhunimeve të luftës në Kosovë

Një projekt i ri synon të ofrojë më shumë mbështetje mjekësore dhe psikologjike për të mbijetuarat e përdhunimeve të kohës së luftës në Kosovë - shumë prej të cilave, gjatë më shumë se dy dekadave, nuk kanë mundur ende të gjejnë ndihmë apo shërim.

Autor: Serbeze Haxhiaj BIRN Gjakovë
Printo

Monumenti Heroinat në Prishtinë, kushtuar viktimave femra të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Foto: Wikimedia Commons.

Do të duhet të kalojë shumë kohë para se të mbijetuarat e përdhunimeve të kohës së luftës në Kosovë ta lënë pas këtë ngjarje në jetën e tyre apo të gjejnë shërim, thotë Mirlinda Sada.

Kryetarja e Medica Gjakova, një OJQ që ofron mbështetje shëndetësore dhe ekonomike për të paktën 2,000 viktima të dhunës seksuale të kohës së luftës së viteve 1998-1999 në qytetin perëndimor të Gjakovës në Kosovë, së shpejti do të fillojë një projekt mbarëkombëtar që ofron më shumë mbështetje të specializuar shëndetësore.

Projekti, i cili do të vihet në zbatim në bashkëpunim me Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, do të ofrojë shërbime psikologjike dhe mjekësore për viktimat e dhunës seksuale dhe asaj me bazë gjinore.

Ky projekt po drejtohet nga Medica Mondiale me mbështetje financiare nga qeveria gjermane dhe do të vihet në zbatim në Bosnje dhe Hercegovinë, Irak dhe Afganistan, si edhe në Kosovë.

“Projekti ofron ndihmë psiko-sociale për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë konfliktit dhe ne kemi nënshkruar një memorandum me Ministrinë e Shëndetësisë për ta vënë në zbatim atë,” tha Sada për BIRN.

“Objektet shëndetësore të përfshira në projekt tani kanë filluar të institucionalizojnë shërbimet shëndetësore për stresin dhe traumën për gratë dhe vajzat e prekura dhuna seksuale dhe ajo me bazë gjinore,” shpjegoi Sada.

Ajo beson se projekti do të kontribuojë në rritjen e standardeve ndërkombëtare kur bëhet fjalë për “përmirësimin e qasjes në këto shërbime ne vendet në krizë dhe ato të pas konfliktit”.

Stigma i ka penguar viktimat të flasin

Mirlinda Sada. Foto: BIRN

Edhe pse nuk ka statistika gjithëpërfshirëse për përdhunimin si një mjet lufte, vlerësimet aktuale sugjerojnë se ai ndodhi në një shkallë masive kudo në Kosovë në fund të viteve 1990 dhe përfshiu me mijëra gra.

Shumica e tyre nuk kanë mundur të flasin kurrë për atë që u ndodhi. Vetëm disa kanë pasur ndonjë qasje në terapi profesionale për trajtimin e traumës së tyre.

Perceptimi negativ i të tilla grave në shoqërinë patriarkale të Kosovës dhe vështirësia e përgjithshme në marrjen e trajtimit mjekësor në një vend të varfër si Kosova kanë bërë që disa viktima të përdhunimit të kryejnë vetëvrasje.

“Disa nga këto viktimave vdiqën gjithashtu si pasojë e dhunës në familje ndaj viktimave, e cila u krye në emër të nderit,” tha një raport i UN Ëomen për gjendjen e viktimave të dhunës seksuale në Kosovë, i botuar në vitin 2016.

Në vitin 2018, qeveria e Kosovës filloi një proces verifikimi që i lejon të mbijetuarit e dhunës seksuale të kohës së luftës të marrin statusin e viktimës dhe të kërkojnë një pension mujor prej 230 eurosh.

Projekti pilot do të përmblidhet në shkallë vendi

Sada thotë se fillimisht 16 mjekë dhe staf mjekësor do të marrin trajnime në trajtimin e rasteve të ndjeshme të stresit dhe traumës. Ata më pas do t’i përcjellin njohuritë dhe aftësitë e tyre te 100 mjekë dhe infermierë të tjerë.

Projekti filloi si pilot në dy komuna perëndimore, Gjakova dhe Prizren, por së shpejti do të përfshijë të gjithë sistemin e shëndetit publik në Kosovë.

Sada tha se 60 për qind e stafit të përzgjedhur për programin ishin gra. Programi gjithashtu do të akreditohet, në mënyrë që mjekët që aplikojnë për licenca të mund ta kenë këtë përbërës midis kualifikimeve të tjera të tyre. Do të krijohet gjithashtu një grup drejtues për të monitoruar procesin.

“Projekti synon të përmirësojë jetët dhe mundësitë e grave që kanë përjetuar dhunë me bazë gjinore dhe dhunë seksuale gjatë konfliktit. Kështu që ne do të përqendrohemi te mjekët të cilët do të jenë personi i parë të cilit do t’i drejtohen kur bëhet fjalë për nevojën për kujdes shëndetësor,” tha Sada.

Ajo beson se pjesëmarrëset do të jenë në gjendje të fitojnë njohuri të rëndësishme në lidhje me dhunën seksuale dhe gjinore, traumat, stresin dhe ndjeshmërinë e traumës, po ashtu parandalimin e dështimit brenda sistemit të ngarkuar të institucioneve shëndetësore të vendit.

Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës Klinike Universitare, Basri Sejdiu, tha për BIRN se projekti do të forcojë aftësitë profesionale të stafit mjekësor në sektorin publik dhe do të bëjë të mundur që të mbijetuarat e dhunës seksuale të kohës së luftës dhe të tjerë të marrin shërbime më të mira.

“Ne synojmë ta përfshijmë stafin tonë sa më shumë që të mundemi. Kjo është një tjetër mënyrë për t’u ofruar viktimave ndihmën e duhur mjekësore. Ky lloj shërbimi është i nevojshëm për viktimat e të gjitha kategorive,” tha Sejdiu.

Sada tha se lufta e viteve 1998-1999 kishte prekur edhe fëmijët e atyre që vuajnë nga stresi post-traumatik.

“Trauma u është përcjellë fëmijëve sepse ndonjëherë ata ishin të vetmit me gratë që e përvetësonin atë. Ne kemi filluar të punojmë me çifte dhe duhet të punojmë shumë më tepër me të rinjtë,” shtoi ajo.

Ajo tha se programe të tilla tashmë po i ndihmojnë viktimat të kapërcejnë traumat e tyre.

“Ne shohim që ato po ndryshojnë dhe po fuqizohen çdo ditë. Kishte një kohë kur ato as që mund të flisnin. Tani ato kanë një zë,” tha ajo.

Procesi i verifikimit nuk po shkon pa probleme

Procesi i ri i verifikimit që i lejon viktimat të kërkojnë pension nuk ofron përfitime të mëtejshme dhe nuk i jep statusin e viktimës atyre që kanë vdekur si rezultat i përdhunimit në kohën e luftës apo që kanë kryer vetëvrasje.

Sada thotë gjithashtu se procesi i verifikimit po ecën shumë ngadalë, kryesisht sepse anëtarët e Komisionit të qeverisë për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës nuk e kanë këtë detyrë si punën e tyre kryesore.

“Ky komision ka nevojë edhe për një organ mbikëqyrës. Kjo është ndër defektet e ligjit; nuk ka një nivel të dytë. Për të bërë ndonjë ankesë, viktimat duhet t’i drejtohen gjykatave,” tha ajo.

Ajo gjithashtu vuri në dukje se numri i aplikantëve për verifikim, i cili ka arritur në më shumë se 1,000, ka rënë në mënyrë të vazhdueshme që kur nisi për herë të parë procesi.

Qasja në shërbime shëndetësore, punësim dhe arsim është e vështirë për shumicën e të mbijetuarave të dhunës seksuale në Kosovë, sidomos për ato në zonat ku nuk shërbejnë organizata si Medica Gjakova, e cila ofron shërbime shëndetësore dhe aktivitete të vogla për grumbullimin e të ardhurave.

“Ndërsa nevojat e tyre nuk janë uniformë, ne po punojmë për të lehtësuar riintegrimin social dhe ekonomik të të mbijetuarave. Narrativa mbizotëruese për momentin është akoma e zymtë. Por ne po u bëjmë të ditur të mbijetuarave se ato nuk janë vetëm,” përfundoi Sada.