Ekzistojnë shqetësime mbi ndikimin e një bypass -i në qytetin jugor të Gjirokastrës, i mbrojtur si site i trashëgimisë botërore nga UNESCO.
Puna po vazhdon në ndërtimin e një bypass-i në qytetin e mbrojtur nga UNESCO të Gjirokastrës në jug të Shqipërisë, pavarësisht thirrjes së korrikut për pezullimin urgjent të tyre, me qëllim vlerësimin e rrezikut për qytetin e njohur prej guri.
Vendlindje e dy prej bijve më të famshëm të Shqipërisë, diktatorit komunist Enver Hoxha dhe shkrimtarit të mirënjohur Ismail Kadare, Gjirokastra është quajtur një site i trashëgimisë botërore të UNESCO-s në vitin 2005, falë arkitekturës së periudhës otomane, përfshirë edhe një shtëpi dy-katëshe prej guri të shekullit 17 të ndërtuar në një kodër si dhe pazarit otoman.
Qyteti është një nga atraksionet turistike më të mëdha të Shqipërisë, por ka shqetësime në rritje mbi rrezikun që sjell ndërtimi i mëtejshëm i një rruge bypass-i.
Në sesionin e 44-t të mbajtur në Kinë në gjysmën e dytë të korrikut, Komiteti i Trashëgimisë Botërore tha se “do t’i kërkonte urgjentisht shtetit në fjalë [Shqipërisë] që të ndalte ndërtimin”, derisa një mision monitorues të kishte të mundur ta vizitonte Gjirokastrën dhe të vlerësonte nëse projekti kishte apo mund të shkaktonte ndonjë dëm mbi “Vlerat e Jashtëzakonshme Universale” të qytetit.
Komiteti tha se Shqipëria i kishte informuar për planet mbi bypass-in në janar 2021 dhe kishte kërkuar shqyrtim dhe rekomandim. Por Komiteti tha se kishte marrë ‘informacion nga palë të treta’ se ndërtimi kishte filluar.
Ai i kërkoi Shqipërisë sqarime, por nuk mori asnjë përgjigje.
Fotografitë e realizuara nga BIRN në kantier më 17 gusht tregojnë se puna e ndërtimit vazhdon.
“Ndërtimi duhet të ndalojë,” tha arkitekti nga Gjirokastra, Kreshnik Merxhani. “Çdo ndërhyrje në pronën e trashëgimisë botërore duhet t’i njoftohet UNESCO-s dhe Komitetit të Trashëgimisë Botërore. Kjo nuk ndodhi,” shtoi ai.
Dështimi për të eksploruar alternativa
Në përgjigje të raportimeve mediatike në korrik, ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti mohoi që UNESCO të kishte kërkuar pezullim të punimeve, ndërsa tha se vetëm kishte kërkuar monitorimin e kantierit.
E pyetur nëse do të veprojë, Ministria i tha BIRN më 13 gusht se po priste zbardhjen e vendimit të Komitetit të Trashëgimisë Botërore dhe se do të merrte parasysh çdo rekomandim.
“Në këtë kontekst, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore do t’ia përcjellë vendimin zyrtar të CËH [Komitetit të Trashëgimisë Botërore] tek institucionet që do të preken nga vendimi për të marrë masa në kuadër të rekomandimit të UNESCO-s për projektin e bypass-it në Gjirokastër,” thuhet aty.
Shqipëria i zbuloi për herë të parë planet për ndërtimin e bypass-it në vitin 2016, kur UNESCO kërkoi rishikimin e projektit. Një duzinë akademikësh dhe ekspertësh shqiptarë paralajmëruan atëherë rrezikun ndaj qytetit dhe kërkuan pezullimin e projektit.
Megjithatë, disa banorë thonë se bypass-i është shumë i nevojshëm për të lehtësuar presionin e trafikut mbi qytetin.
“Është një gjë e mirë, pasi të gjitha makinat që kalonin më parë këtu ishin të tmerrshme për biznesin dhe po ashtu turizmin,” tha një grua që shet suvenire në pazarin e Gjirokastrës.
Rekomandimet e UNESCO-s janë ‘të rëndësishme”, tha ajo, ndërsa kishte shpresë se dy palët do ta “gjenin gjuhën e përbashkët”.
Merxhani tha se nuk ishte paraqitur asnjë plan alternativ, që do të balanconte nevojën e banorëve me nevojën e mbrojtjes së karakterit unik të qytetit.
“Në përgjithësi, perceptimi i banorëve është që ata të zgjidhin problemet e lëvizjes –dhe kjo është e drejtë- por asnjë alternativë tjetër nuk u propozua,” tha ai.
Arkitektja nga Tirana, Doriana Musai tha se Shqipëria ishte e detyruar që të zbatonte vendimin e UNESCO-s.
“Vazhdimi i punimeve pa pritur misionin e Monitorimit Reativ, i cili do të vlerësojë situatën, dëshmon fajësinë dhe thekson qëllimin e këtij projekti, i cili është shkatërrimi i qëllimshëm i kësaj prone me vlera të jashtëzakonshme universale,” tha Musai për BIRN.