Lajm19 Mar 2020

Shqipëria, Maqedonia e Veriut presin lajme të mira nga BE-ja

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin që ambasadorët e Bashkimit Europian të aprovojnë një draft dokument që do ta afronte bllokun pranë hapjes së bisedimeve të pranimit me të dy vendet.

Autor: Sinisa Jakov Marusic BIRN Shkup
Printo

Pjesa e brendshme e ndërtesës së Bashkimit Europian në Bruksel. Foto: Bashkimi Europian.

Ambasadorët e BE do të marrin një vendim të enjten për një draft dokument që pranon fillimin e bisedimeve të pranimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Nëse ata e aprovojnë draftin, vendimi pritet të konfirmohet më vonë këtë muaj nga ministrat e jashtëm dhe kryeministrat e BE-së, të cilët janë caktuar të mblidhen, me shumë gjasë nëpërmjet videkonferencave, përkatësisht më 24 dhe 26 mars.

“Këtë pasdite debati vazhdon dhe konsensusi e puna, nuk kanë përfunduar ende plotësisht. Perspektivat janë shumë pozitive dhe kemi sinjale pozitive nga shumica e vendeve anëtare, por teksti dhe debati nuk kanë mbaruar plotësisht”, tha ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov, në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij gjerman Michael Roth të enjten.

Roth mori pjesë në konferencën për shtyp përmes një videokonference sepse kriza e koronavirusit e pengoi atë të vizitonte Shkupin.

Ministri i jashtëm gjerman shprehu gjithashtu optimizëm për një rezultat pozitiv dhe fillimin e bisedimeve të pranimit për të dy vendet.

Megjithatë, fillimi i bisedimeve të pranimit do të kërkonte mbështetje unanime nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.

Faqja e lajmeve Politico tha të mërkurën se e ka parë draftin që është në tryezë dhe citoi pjesët kryesore të tij.

“Në dritën e progresit të arritur përsa i takon reformave dhe përmbushjes së kushteve të përcaktuara njëzëri nga Këshilli në qershor 2018, në varësi të miratimit nga Këshilli Europian, Këshilli vendos të hapë negociatat e pranimit me Republikën e Shqipërisë”, thotë teksti, sipas Politico.

Politico shtoi se e njëjta gjuhë identike përdoret edhe për Maqedoninë e Veriut.

Nëse fillimi i bisedimeve të pranimit miratohet këtë muaj, ky do të ishte një lajm i mirë në krahasim me atë të tetorit të kaluar kur Këshilli Europian në Bruksel fundosi shpresat e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për të marrë një datë fillimi, kryesisht për shkak të këmbënguljes së Francës se fillimisht nevojitej një reformomim i proceeit të zgjerimit.

Ndërsa kundërshtimi i Francës ishte e vetmja pengesë për Maqedoninë e Veriut, për Shqipërinë Parisit iu bashkuan edhe vende të tjerë skeptike ndaj zgjerimit.

Në pamundësi për të ofruar hapjen e bisedimeve të anëtarësimit, Këshilli Europian tha në atë kohë se do t’i rikthehej kësaj çështjeje para samitit BE-Ballkan Perëndimor në Zagreb në maj.

Ndërkohë, Komisioni Europian në shkurt prezantoi metodologjinë e re të zgjerimit dhe në fillim të marsit azhurnoi progres raportet e tij për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke thënë se të dy vendet kishin dhënë rezultate të mëtejshme dhe se dukeshin gati për hapjen e bisedimeve të pranimit.

Kjo shtoi shpresat se Franca dhe vendet e tjera skeptike mund të bien dakord të lejojnë caktimin e një date fillimi për bisedimet e anëtarësimit më shpejt sesa maji.