Shqiptarët e diasporës së shpejti do të mund të marrin shumë më lehtë shtetësinë shqiptare, nëse parlamenti në Tiranë miraton një projektligj të ri të propozuar nga qeveria.
Një projektligj i ri për shtetësinë, i miratuar nga qeveria shqiptare dhe që pritet të miratohet nga parlamenti, do t’u lejojë shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit të marrin më lehtë shtetësinë shqiptare.
I vetmi parakusht do të ishte të vërtetojnë se paraardhësit e tyre kanë pasur shtetësi shqiptare.
“Të gjithë qytetarëve të huaj që mund të vërtetojnë se kanë lidhje me një person me kombësi shqiptare deri në brezin e tretë, do t’u jepet një pasaportë,” tha zv/ministrja e brendshme Rovena Voda të martën.
Individi që kërkon një pasaportë shqiptare duhet të ketë paraardhës deri në brezin e tretë me origjinë shqiptare, tha Voda.
Oferta e mundshme për marrjen e shtetësisë do të aplikohet vetëm për ata aplikantë, prindërit, gjyshërit ose stërgjyshërit e të cilëve kishin shtetësi shqiptare.
Kjo është një temë e shpeshtë në Shqipëri për shkak të numrit të madh të qytetarëve që jetojnë jashtë si dhe shumicës së shqiptarëve etnikë që jetojnë jashtë kufijve kombëtar diku tjetër në Ballkan.
Nga gjithsej 4.5 milionë qytetarë shqiptarë, popullsia aktuale rezidente e vendit vlerësohet të jetë vetëm 2.8 milionë.
Prandaj, besohet se të paktën 1.7 milion qytetarë shqiptarë jetojnë jashtë vendit. Shumë prej tyre jetojnë në Itali dhe Greqi – rezultat i migrimit masiv të fundit gjatë tre dekadave të fundit që nga rënia e komunizmit.
Sipas një vendimi të vitit 2013, Shqipëria deklaroi se të gjithë shqiptarët etnikë do të kishin të drejtë të kërkonin shtetësinë shqiptare në bazë të përkatësisë së tyre etnike.
Megjithatë, kjo dispozitë përjashtoi Kosovën fqinje kryesisht etnike shqiptare, në mënyrë që të mos shqetësojë procesin e liberalizimit të vizave të Kosovës me BE-në, i cili që atëherë ka ngecur.
Vetëm një pakicë e qytetarëve të Kosovës, përfshirë politikanë të lartë dhe shumë nga bota e biznesit, kanë arritur deri më tani të kapërcejnë këtë kufizim dhe të fitojnë shtetësinë shqiptare.
Projektligji pritet të votohet në parlamentin shqiptar në shtator, menjëherë pas pushimeve të verës.