Lajm27 Aug 2021

Shqipëria mikpret 121 refugjatët e parë nga Afganistani

Shqipëria mikpriti refugjatët e parë nga Afganistani në orët e para të së premtes; 121 burra gra dhe fëmijë, të cilët u evakuuan në një operacion të ndërlikuar humanitar për t’i shpëtuar nga talebanët.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Refugjatët afganë mbërritën në orët e para të mëngjesit në Rinas. Foto: Malton Dibra/ LSA

Ende pa gdhirë, refugjatët u fotografuan ndërsa i nënshtroheshin kontrolleve mjekësore në çadrat e ngritura brenda aeroportit “Nënë Tereza” të Rinasit, përpara se të vendosen në një hotel në qytetin e Durrësit.

Refugjatët afganë u pritën nga ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Yuri Kim dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka.

Ministrja Xhaçka deklaroi për mediat se ishin përballur me vonesa dhe vështirësi për shkak të situatës në Kabul dhe se ndjehej e lehtësuar për mbërritjen e kontigjentit të parë. Xhaçka sqaroi gjithashtu se grupi i parë do të akomodohej në Durrës, ndërsa qytetarët afganë që do të mbërrijnë në vazhdim do të sistemohen përkohësisht në Qytetin Studenti, deri në lirimin e strukturave hoteliere.

“Kemi marrë masa për gjithçka, për përpunimin e dokumentacionit, regjistrimin për kontrollin dhe kujdesin shëndetësor, për paketat higjenike, për ushqimin, për transportin dhe padyshim edhe për sigurinë,” tha Xhaçka.

Pritja dhe strehimi i refugjatëve afganë u përshendet nga ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

“Ashtu si ka bërë gjithmonë, populli shqiptar po ofron sërish mikpritje dhe mbrojtje për ata në nevojë të madhe. Jemi krenarë që ju quajmë mik dhe aleat,” tha ambasadorja.

Sipas kryeministrit Edi Rama, Shqipëria do të presë përkohësisht rreth 4 mijë refugjatë nga Afganistani, jeta e së cilëve është në rrezik pas marrjes së kryeqytetit Kabul nga talebanët. Refugjatët pritet të kenë si destinacion të fundit Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të enjten, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për t’u dhënë refugjatëve mbrojtje të përkohshme 1-vjeçare.

Për shkak të situatës së tensionuar në aeroportin e Kabulit, evakuimet e shtetasve afganë që kanë punuar për forcat aleate të NATO-s u shtynë përtej parashikimeve.

Të enjten u raportua për të paktën dy shpërthime në ambientet jashtë aeroportit të Kabulit, të cilat shkaktuan vdekjen e të paktën 60 personave.

Refugjatët afganë në radhë për t’iu nështruar kontrolleve në Rinas. Foto: Malton Dibra/ LSA

Një grua afgane brenda çadrës së ngritur në aeroportin e Rinasit. Foto: Malton Dibra/LSA

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim në aeroportin e Rinasit. Foto: Malton Dibra/ LSA