Ndërsa numri i të infektuarve u rrit me tetë raste të enjten, kryeministri Edi Rama lajmëroi ndalimin e qarkullimit mes Tiranës dhe Durrësit dhe gjashtë qyteteve të tjera në përshkallëzim të masave kundër përhapjes së koronavirusit.
Kryeministri Edi Rama paralajmëroi “shtetrrethim” në Tiranë dhe Durrës përgjatë fundjavës; një përshkallëzim i mëtejshëm ky i masave kundër virusit COVID-19, ndërsa Shqipëria shënoi rritje të numrit të të prekurve dhe zgjerim të hartës së përhapjes së koronavirusit.
Përmes një postimi në Facebook, Rama tha se nga e premtja në orën 6:00 deri të dielën në mesnatë do të mbyllet qarkullimi i automjeteve private dhe i atyre të transportit urban mes dy qyteteve më të mëdha të vendit si dhe mes Tiranës dhe Durrësit në drejtim të qyteteve të tjera.
Rama lajmëroi gjithashtu se qarkullimi do të mbyllet edhe me qytetet e Shkodrës, Lezhës, Elbasanit, Lushnjes, Fierit dhe Vlorës. Qarkullimi do të jetë i hapur vetëm për autoambulancat, automjetet që kryejnë shërbime shtetërore dhe ato që transportojnë mallra.
“Këto masa ekstreme të kufizimit të lirisë së qarkullimit janë domosdoshmëri për të mbrojtur çdo qytetar, çdo familje dhe vetë Shqipërinë nga përshkallëzimi agresiv i sulmit të koronavirusit mbi ne dhe të afërmit e të njohurit tanë,” tha Rama, duke kërkuar njëkohësisht ndjesë për masat drastike.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi të enjten 8 raste të reja me COVID-19, duke e çuar numrin e të prekurve të konfirmuar në Shqipëri në 23. Një 73-vjeçare humbi jetën të mërkurën në spitalin rajonal të Durrësit, pas komplikacioneve të rënduara edhe nga sëmundje të tjera.
Me rritjen e numrit të të prekurve u zgjerua të enjten edhe harta e zonave të prekura në Shqipëri, ku përveç Tiranës, Durrësit dhe Lushnjes, janë shënuar raste edhe në Elbasan dhe Rrogozhinë.
Numri më i madh i të prekurve është shënuar në Tiranë me 16 raste. Ndërkohë, në Durrës janë konfirmuar 3 të prekur, mes të cilëve edhe e moshuara që ndërroi jetë, në Elbasan dy raste dhe në Lushnje dhe Rrogozhinë nga 1 rast.
Zv.Ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli deklaroi të enjten se shumica e të prekurve kanë histori udhëtimi me Italinë. Ndërsa pesë prej të prekurve po marrin shërbim mjekësor në spitalin Infektiv në Tiranë, pjesa tjetër po monitorohen në kushtet e vetëizolimit në shtëpi.
Ndalimi i qarkullimit pason një sërë masash të tjera drastike të ndërmarra nga qeveria shqiptare prej së hënës, mes të cilave mbylljen e shkollave dhe universiteteve, ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve sociale si dhe mbylljen e lokaleve dhe restoranteve.