Lajm27 Nov 2019

Shqipëria në zi kombëtare për viktimat e tërmetit

Qeveria shpalli të mërkurën ditë zie kombëtare dhe gjendjen e emergjencës në Tiranë dhe Durrës, pas tërmetit 6.4 të shkallës Rihter, i cili shkaktoi dhjetra viktima dhe qindra të plagosur.

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Ekipet e shpetimit gjate operacionit ne Thumane te Krujes. Foto: LSA

Qeveria shpalli të mërkurën ditë zie kombëtare si dhe gjendjen e emergjencës në rajonin e Durrësit dhe të Tiranës, pas tërmetit vdekjeprurës që goditi Shqipërinë qendrore një ditë më parë, duke shkaktuar të paktën 27 viktima dhe qindra të plagosur.

Lëkundjet e dhunshme të tokës rrafshuan disa ndërtesa në Durrës dhe fshatin Thumanë, duke zënë nën rrënoja dhjetra persona. Prej më shumë se 24 orësh, grupet e emergjencave civile, të asistuar nga policia, ushtria dhe ekipe të specializuara të ardhura nga Greqia dhe Italia po gërmojnë mes rrënojave në luftë kundër kohës dhe sipas autoriteteve, kanë nxjerrë deri më tani gjallë nga ndërtesat e shembura 45 të mbijetuar.

Në qytetin e Durrësit, zona më e prekura nga tërmeti, grupet e shpëtimit vazhduan kërkimet mes rrënojave të një pallati 6-katësh të shembur në zonën e ish-Kënetës.

Një banor i zonës, i cili jetonte në katin e tretë të pallatit fqinj e përshkroi shembjen e ndërtesës për BIRN të ngjashme me “apokalipsin.”

Mbrëmjen e të martës, grupet e shpëtimit pas 14 orë gërmimesh me duar dhe mjete të tjera nxorën të gjallë nga rrënojat e pallatit një grua 30 vjeçare, Diena Meçaj. Meçaj humbi jetën disa orë më vonë në spitalin rajonal të Durrësit. Nga shembja e ndërtesës humbi jetën dhe vajza e saj 8-vjeçare.

Duke folur gjatë një mbledhje të Këshillit të Ministrave të mërkurën në mëngjes, kryeministri Edi Rama nënvizoi se qeveria ishte mbledhur për të adresuar një situatë që fatkeqësisht kishte një bilanc tragjik.

Deri në orën 1:30 të së mërkurës, sipas Ministrisë së Mbrojtjes tërmeti kishte shkaktuar 27 viktima, nga të cilat 12 në Durrës, 14 në fshatin Thumanë të Fushë Krujës dhe 1 në Lezhë. Sipas kryeministrit Edi Rama, në spitale janë paraqitur gjithashtu dhe 657 të lënduar.

“Nga njerëzit në uniformë është bërë një punë heroike dhe dua t’u shpreh të gjithëve, mirënjohjen, respektin dhe falënderimin, të gjithë trupave të angazhuar në vijën e parë të frontit të kësaj përpalljeje me një fatkeqësi të përmasave të jashtëzakonshme,” tha Rama, gjatë mbledhjes së qeverisë.

“Që nga ata që rrezikuan jetët e tyre duke shpëtuar jetë të mbetura pezull në fije të perit e deri tek ata që trajtuan me qindra të plagosur, ndër të cilët një numër jo i vogël në kushte rreziku për jetën,” shtoi Rama.

Vendet fqinje dhe ato të Bashkimit Europian kanë reaguar pas tërmetit vdekjeprurës që goditi Shqipërinë të martën, duke dërguar grupe shpëtimi të emergjencave civile, ndihma financiare dhe mesazhe solidariteti për popullin shqiptar.

“Shpreh afërsinë me viktimat e tërmetit që goditi vendin tuaj, me familjet në zi si dhe me personat e dëmtuar,” deklaroi të martën Presidenti i Francës, Emanuel Macron. “Franca është sot solidare me Shqipërinë,” shtoi ai.

Një shpërthim solidariteti ndaj personave të prekur nga tërmeti ka ardhur në mënyrë të veçantë nga Kosova, e cila përveç një autokolone të gjatë me mjete dhe grupe shpëtimi të policisë dhe ushtrisë, ka akorduar ndihma financiare dhe materiale për të dëmtuarit.

Forcat e nderhyrjes se shpejte gjate operacioneve te kerkimit.

Rrenojat e pallatit ne Thumane, ku humben jeten 13 persona per shkak te goditjeve te termetit. Foto: LSA

Forcat e nderhyrjes se shpejte gjate operacionit te kerkimit. Foto: LSA