Lajm21 Mar 2020

Shqipëria numëron 76 persona të prekur nga COVID-19

Në 24 orët e fundit u zbuluan gjashtë raste të reja nga testimi i 46 personave të dyshuar. Tirana mbetet vatra më e madhe me 55 pacientë, e ndjekur nga Fieri me 8 raste.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Punonjës të policisë të maskuar pranë Spitalit Infektiv në Tiranë. Foto: LSA

Instituti i Shëndetit Publik deklaroi të shtunën se numri i personave të prekur me COVID-19 në Shqipëri shkoi në 76, pas gjashtë rasteve të reja të zbuluara në 24 orët e fundit. Dy prej të prekurve kanë humbur tashmë betejën me sëmundjen, ndërsa dy të tjerë dolën nga spitali të rikuperuar.

Eugena Tomini, shefja e Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në ISHP deklaroi të shtunën se ishin kryer 46 testime të reja në 24 orët e fundit, nga të cilët 6 rezultuan pozitivë me virusin COVID-19. Pesë prej pacientëve të prekur janë nga Tirana, ndërsa i gjashti është nga Fieri.

“59% e pacientëve të prekur me COVID-19 janë të gjinisë meshkuj, ndërsa 41% janë femra,” tha Tomini në deklaratën për mediat. Në spitalin Infektiv ndodhen aktualisht 37 pacientë, katër prej të cilëve janë në terapi intensive.

Tirana vazhdon të jetë vatra më e madhe në Shqipëri me 55 persona të infektuar nga koronavirusi. Rastet e reja të zbuluara në Tiranë konsiderohen kontakte të pacientëve të mëparshëm.

Numri i të infektuarve nga Fieri u rrit gjithashtu në 8 të shtunën, pas zbulimit të një rasti të ri. Pesë vatrat e tjera në Durrës, Lushnje, Rrogozhinë, Elbasan dhe Kavajë nuk kanë pësuar rritje.

Tomini deklaroi gjithashtu se dy pacientët e rikuperuar do të qëndrojnë në vetëkarantinim edhe për 14 ditë të tjerë. Gjatë kësaj periudhe, shëndeti i tyre do të monitorohet.

Nga fillimi i shpërthimit të epidemisë së koronavirusit, Shqipëria ka kryer 778 testime të personave të dyshuar nga të cilët 77 raste ose 9.7% e totalit kanë rezultuar të infektuar. Tomini nga ISHP përsëriti të shtunën se po vijojnë të testojnë personat e kontaktit dhe rastet e dyshuara si një mënyrë për këputjen e zhinxhirit të transmetimit, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi.

“Për të siguruar suksesin e ndërprerjes së zinxhirit të transmetimit, qytetarët kanë një rol thelbësor. Mënyra më e vetme është që qytetarët të vetëizolohen dhe të shmangin kontaktet,” apeloi Tomini.

Të premten, kryeministri Edi Rama përshkallëzoi masat me një mbyllje të plotë të vendit në karantinë për 48 orë. Qytetarët dhe automjetet nuk do të lejohen që të qarkullojnë në rrugë nga ora 13:00 e së shtunës deri të hënën.