Ministria e Brendshme njoftoi masën e ndalimit të hyrjes në Shqipëri të një pjese të protestuesve grekë që kthyen varrimin e Konstandinos Kacifa, i cili u vra në shkëmbim zjarri me policinë shqiptare dhjetë ditë më parë, në një protestë me tone antishqiptare.
Qeveria shqiptare vendosi të reagojë ndaj protestës me gjuhë urrejtjeje nga ana e një grupi shtetasish grekë që morën pjesë në funeralin e Kostandinos Kacifa më 8 nëntor në fshatin Bularat të Dropullit duke shpallur “persona të padëshirueshëm” 52 prej tyre.
Sipas zëvendësministrit të Brendshëm Aleksandër Lleshaj, ky vendim erdhi pas asaj që u panë si “deklarata sfiduese ndaj rendit kushtetues [shqiptar], sigurisë kombëtare dhe qetësisë publike”.
Lleshaj ka autoritetin të shpallë të padëshiruar një person të huaj me urdhër të vetin në bazë të ligjit “Për të Huajt”. Afati i ndalimit është minimalisht pesë vjet.
Lleshaj shtoi gjithashtu se edhe persona të tjerë të lidhur me ngjarjen në Bularat janë duke u analizuar.
Krahas shpalljes non grata, 11 persona, kryesisht grekë, u vendosën nën hetim në gjendje të lirë nga autoritetet shqiptare për veprat penale “Nxitja e urrejtjes dhe grindjeve”, “Shpërndarja apo futja e materialeve, shkrimeve apo simboleve nga jashtë në Republikën e Shqipërisë, të cilat synojnë përmbysjen e rendit kushtetues a cënimin e tërësisë tokësore të vendit” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
“Këta shtetas gjatë ceremonisë mortore të shtetasit K.K., në fshatin Bularat, Bashkia Dropull, në bashkëpunim dhe me persona të tjerë kanë bërë thirrje për urrejtje dhe përdorim të dhunës ndaj popullsisë shqiptare, e kënduar në kor nga pjesëmarrësit në gjuhën greke, si dhe thirrje të tjera raciste duke nxitur urrejtje dhe grindje midis popullsisë,” thuhet në një njoftim të policisë.
Disa dhjetëra grekë u mblodhën të enjten në fshatin Bularat pasi ishin nisur nga qytete të ndryshme të Greqisë një natë më parë me synimin për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të 35 vjeçarit Kostandinos Kacifa, shtetas i Shqipërisë dhe i Greqisë, i cili u vra më 28 tetor nga policia shqiptare pasi hapi zjarr ndaj saj me armë automatike.
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë u tensionuan në ditën e vrasjes ndërsa më pas, të dyja qeveritë duket se u angazhuan në një proces shfryrjeje duke ndaluar deklaratat kritike ndaj njëra-tjetrës dhe duke u përpjekur për të mbajtur nën kontroll forcat nacionaliste.
Të enjten Kacifa u varros në fshatin e tij të lindjes, Bularat, i cili banohet nga popullsi greke dhe gjendet në bashkinë minoritare të Dropullit.
Gjatë ceremonisë së varrimit, nacionalistët grekë hodhën parrulla kundër shqiptarëve dhe maqedonasve, të cilat autoritetet shqiptare i klasifikuan si gjuhë urrejtjeje.
Të mërkurën në darkë, policia shqiptare bëri të ditur se kishte bashkëpunuar ngushtë me policinë greke për të ndaluar pjesëmarrjen në varrim të personave me rrezikshmëri të veçantë ndërsa autoritetet greke i bënë thirrje publike pjesëmarrësve në varrim që të “vetëpërmbaheshin”.
Dymbëdhjetë prej tyre u ndaluan nga policia e Gjirokastrës dhe u morën në pyetje para se të liroheshin.
Qeveritë e të dyja vendeve kanë qenë nën presion gjatë ditëve të fundit nga qarqet nacionaliste për të reaguar më ashpër ndaj ngjarjes.