Për të pestën herë, një bandë kriminale e mirëarmatosur arriti me sukses të grabisë një sasi të paidentifikuar parash me destinacion aeroportin e vetëm ndërkombëtar të Shqipërisë. Përveç parave të humbura, pikëpyetjet mbeten mbi sigurinë më të gjerë në aeroport dhe forcën reaguese të agjencive ligjzbatuese. Qeveria akuzon kompaninë koncesionare.
Një numër grabitësish të armatosur rëndë arritën të thyejnë rrethimin e objektit më të rëndësishëm në vend, aeroportit ndërkombëtar të Rinasit pasdreken e së martës, terririzuan pasagjerët dhe ekuipazhin e një aeroplani që i përket kompanisë Austrian Airlines, hynë në brendësi të hapësirës së bagazheve të aeroplanit dhe u larguan me një sasi të paidentifikuar parash të thata.
Kjo ishte grabitja e pestë e parave të destinuara për t'u dërguar për përpunim të mëtejshëm në Austri në afro katër vjet. Ndryshe nga herët e kaluar, grabitësit kësaj here mbërritën të armatosur deri në brendësi të aeroplanit, duke ngritur pikëpyetje të rënda mbi gjendjen e sigurisë jo vetëm ndaj rrezikut të grabitjeve, por edhe të rrezikut nga një sulm terrorist në një vend që pak ditë më parë festoi dhjetëvjetorin e anëtarësimit në NATO.
Herën e parë grabitësit arritën të ndalonin makinën e transportit të vlerave monetare të një kompanie private sigurie në Tiranë ndërsa dy herë të tjera goditja u krye në rrugën drejt aeroportit. Por në herën e tretë, në vitin 2016, grabitësit arritën të hyjnë deri në pistën e avionëve ndërsa në vitin 2017 ata i zunë rrugën automjetit në Kthesën e Kasharit.
Ndryshe nga herët e kaluara, policia shqiptare arriti kësaj here të ndjekë grabitësit dhe njëri prej tyre, Admir Murataj, mbeti i vrarë. Murataj, i cili njihet si pjesë e një bande grabitësish të dhunshëm shqiptarë që u arratis nga burgu në Greqi në vitin 2013, ka jetuar në ilegalitet që nga ajo kohë.
Kryeministri Edi Rama ende nuk e ka komentuar ngjarjen e rëndë ndërsa ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku tentoi t'ia hedhë fajin kompanisë koncesionare të aeroportit, një nga kompanitë më fitimprurëse në vend për moskryerjen e investimeve të nevojshme për sigurinë në aeroport.
“Të gjitha përpjekjet e autoriteteve shtetërore për t'i imponuar kompanisë kineze, që mban në koncesion Aeroportin e Rinasit, investimet e nevojshme në sistemin e sigurisë, nuk janë dëgjuar ashtu si duhet,” deklaroi Balluku në Facebook.
Zyra e shtypit të kompanisë TIA nuk iu përgjigj menjëherë pyetjes së BIRN mbi komentet e Ballukut. Një zëdhënëse bëri të ditur se kompania do të komunikojë më vonë.
Koncesioni i aeroportit të Rinasit u dha nga qeveria socialiste e ish-kryeministrit Fatos Nano në vitin 2004 me një afat 20 vjeçar. Qeveria aktuale e zgjati afatin e koncesionit deri në vitin 2026. Kompania fitoi 2.3 miliardë lekë neto nga të ardhurat prej 6 miliardë lekësh gjatë vitit 2017, ndërsa kompania ka një kapital themeltar të paguar prej 1.2 miliardë lekësh dhe normë kthhimi nga kapitali i vet në masën 191% në vit.
Balluku deklaroi se “shteti do të flasë qartë”, por pa bërë të ditur se çfarë masash mund të ndërmerren ndaj kompanisë.
Siç ndodh zakonisht me kontratat e partneritetit publik-privat, kompania koncesionmarrëse ka pak incentivë që të kryejë investime në periudhën e fundit të koncesionit me synim maksimizimin e fitimeve.
Nga ana tjetër, një zëdhënëse e Austrian Airlines, kompania ajrore në avionin e së cilës u krye grabitja, i tha agjencisë franceze të lajmeve France Press se ajo ka vendosur të tërhiqet nga biznesi i transferimit të vlerave valutore nga Tirana.
“Si masë sigurie, nuk do të ketë më transferta kesh nga Tirana në Vienë,” deklaroi zëdhënësja Tanja Gruber, cituar nga France Press.
Në Tiranë, Shoqata Shqiptare e Bankave shprehu shqetësimin mbi rritjen e kostove të të bërit biznes pas grabitjes së disatë rradhazi. Spiro Brumbulli, Drejtor Ekzekutiv i shoqatës ku bëjnë pjesë të gjitha bankat e vendit, ngriti shqetësimin jo vetëm për shumën e parave të grabitura por edhe për sigurinë në aeroport.
“Avioni ishte i mbushur me njerëz dhe një makinë pa targa futet shumë kollaj, ka shumë pikëpyetje në këtë mes”, tha ai.
Modeli ekonomik shqiptar duket se imponon transferta relativisht të konsiderueshme të parasë kesh. Paraja në valutë të fortë si euro, dollar, franga zvicerane apo paund mbërrin në Shqipëri nga remitancat e emigrantëve, turistët apo prurjet e krimit të organizuar. Modeli tipik i biznesit të këmbimit valutor në Shqipëri është që agjencitë në përgjithësi blejnë valutën nga qytetarët në këmbim të lekëve dhe ia shesin bankave, të cilat ia shesin kompanive për pagesën e mallrave apo shërbimeve të importuara.
Sasia e parave të vjedhura të martën mbetet e panjohur por mendohet se ajo është e konsiderueshme.