Lajm30 Aug 2021

Shqipëria urdhëron vaksinim ose test PCR për arsimtarët, studentët dhe mjekët

Qeveria shqiptare vendosi t’i kërkojë me detyrim vaksinim ose test negativ për mjekët, mësuesit dhe studentët, ndërsa ministrja Manastirliu pranoi se procesi i vaksinimit vullnetar praktikisht ka ngecur pavarësisht përhapjes dramatike të infektimit, aktualisht në 300 raste për 100 mijë banorë.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Kryeministri Edi Rama duke folur per reporteret/gazetaret pasi ka bere dozen e dyte te vaksines kunder koronavirusit, Covid-19, ne ambientet e stadiumit Air Albania. Doza e dyte e vaksines nisi me mberritjen e 1170 dozat e reja te vaksines anti-COVID nga kompania Pfizer ne Shqipëri, ndersa brenda shkurtit do te vijne edhe mbi 40 mije doza te tjera./r/n/r/nPrime Minister Edi Rama speaks to reporters/journalists after receiving the second dose of vaccine against coronavirus, Covid-19, in the premises of the Air Albania stadium. The second dose of the vaccine started with the arrival of 1170 new doses of anti-COVID vaccine from the company Pfizer in Albania, while within February will come over 40 thousand more doses.

Qeveria shqiptare urdhëroi mjekët, mësuesit dhe studentët të vaksinohen brenda muajit shtator ose përndryshe do të detyrohen të kryejnë në mënyrë periodike test PCR për t’u lejuar të punojnë apo të frekuentojnë shkollën, ndërsa ministrja e shëndetësisë duket se pranoi dështimin e qeverisë dhe të autoritetit shëndetësor për të bindur popullsinë të vaksinohet vullnetarisht.

Numri i rasteve me COVID-19 në Shqipëri arriti në mbi 900 gjatë ditëve të fundit ndërkohë që të dhënat e Reuters tregojnë për një shkallë shumë të ulët të vaksinimit në krahasim me vendet e tjera evropiane.

Drejtuesja e Komitetit të Ekspertëve, Mira Rakacolli ia referoi vendimin për vaksinim ose testim një komiteti tjetër të quajtur “Komiteti i Vaksinimit”.

“Komiteti i vaksinimit, në vlerësim të përgjegjshmërisë vullnetare ka vendosur rekomandimin e vaksinimit të detyruar për grupet më të riskuara nga marrja dhe sidomos nga shpërndarja e infeksionit duke filluar me stafet mjekësore, me arsimtarët dhe me studentët,” deklaroi Rakacolli.

“…të kryejnë vaksinimin deri më datën 30 shtator të dorëzojnë kopjen e kartës së vaksinimit të dalë nga e-Albania. Pas kësaj date do të kërkohet test negativ PCR në mënyrë periodike,” shtoi ajo.

Përveç kësaj mase, komiteti vendosi të mbyllë kufijtë e vendit duke kërkuar për udhëtarët vaksinim, test negativ ose dëshmi të kalimit të infeksionit. Sipas Rakacollit, regjimi i udhëtimit të lirë që është zbatuar aktualisht mbaron më 6 shtator. Pas kësaj date, udhëtarëve do t’u kërkohet dëshmi se kanë marrë dozën e dytë të vaksinës jo më vonë se dy javë para mbërritjes në kufirin shqiptar ose duhet të kenë kryer testim PCR jo më vonë se 72 orë ose testim të shpejtë jo më vonë se 48 orë. Personat që e kanë kaluar COVID-19 duhet të paraqesin dëshmi me kushtin që ta kenë përjetuar infeksionin jo më vonë se sa gjashtë muaj nga data e udhëtimit.

“Vala e re e COVID ka mbërritur më herët se sa vjeshta,” deklaroi ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu të hënën ndërsa u përpoq të mbrojë punën e qeverisë duke argumentuar se situata në vendet e rajonit është “akoma më e rëndë”.

Manastirliu u mburr gjithashtu me ato që i quajti vaksinim të hershëm të popullsisë ndërkohë që vetëm 25% e popullsisë është vaksinuar ndërsa ritmi i vaksinimit është shumë i dobët. Sipas të dhënave të Reuters, vetëm 8,200 vaksina në ditë janë administruar në Shqipëri gjatë javës së fundit ndërsa për të vaksinuar edhe 10% të popullsisë, me këtë ritëm nevojiten edhe 70 ditë të tjera nga sot.

Komiteti Teknik i Ekspertëve zyrtarisht menaxhon pandeminë e COVID-19 në Shqipëri duke udhëhequr vendimmarrjen e qeverisë mbështetur në parime shkencore. Besueshmëria e saj si institucion politikisht i pavarur është dëmtuar nga disa vendime kontroverse, të cilat duket se ndihmuan qeverinë në zgjedhje.

Komiteti vendosi të hënën të kufizojë qarkullimin e njerëzve nga ora 23 deri në orën 6 ndërsa përsëriti deklaratën se maskat janë të detyrueshme për përdorim në mjedise të mbyllura vendim që dukshëm nuk respektohet aktualisht asgjëkundi.