Lajm3 Apr 2021

Shqiptarët do të përballen me numra por jo me emra deputetësh në fletën e votimit

Me kërkesë të Partisë Socialiste, Komisioni Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi të rrëzojë Komisionerin e Zgjedhjeve dhe të miratojë një fletë votimi që mbart emrat e kryetarëve por jo ato të kandidatëve për deputetë, duke i detyruar shqiptarët të vuajnë ca për të gjetur se cilit prej deputetëve do t’u japin një votë pëlqyese.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

KAS. Foto kortezi: KQZ

Partia Socialiste ia doli t’i detyrojë shqiptarët të zgjedhin numra dhe jo emra në fletën e votimit të 25 prillit, pasi Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, një trupë e kontrolluar prej tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, e hodhi poshtë vendimin e mëparshëm të Komisionerit Publik Ilirjan Celibashi dhe pranoi propozimin e PS.

Për rrjedhojë, shqiptarët do të duhet të vuajnë ca për të mësuar se çfarë kandidati pëlqejnë nga listat e kandidatëve të partive politike dhe do t’i duhet ta mbajnë mend numrin e tij/saj para se të shkojnë në qendrën e votimit.

Partia Demokratike në opozitë, e cila kishte mbështetur variantin e fletës së votimit me emra kandidatësh, akuzoi Partinë Socialiste se me këtë skemë synon të fshehë emrat e kandidatëve të vet për një pjesë të madhe të popullsisë që dukshëm nuk ka interesin apo aftësinë për të ndjekur politikën e vendit nga afër.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazmend Bardhi deklaroi pas vendimit se PS “ka turp nga emrat e kandidatëve të saj” dhe se për këtë arsye, vendos t’ia fshehë emrat pas numrave.

Aktualisht listat e kandidatëve janë publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si dhe në portale të ndryshme të medias online [mund të gjenden këtu] ndërsa partitë politike duket se po shkurajojnë kandidatët e tyre nga të reklamuarit të numrit të cilit i përkasin në listë.

Shqiptarët janë të detyruar prej kohësh të votojnë verbazi për të dërguar në parlament apo në këshillet bashkiake ata persona që partitë politike zgjedhin, në një sistem që është kritikuar si jodemokratik dhe i tillë që minon parimin e balancave dhe kufizimeve në qeverisje pasi i bën këshillet bashkiake dhe parlamentet bishta të pavlerë të kryetarëve apo kryeministrave por jo forume debati apo llogaridhënieje.

Situata nuk pritet të ndryshojë shumë as në zgjedhjet e 25 prillit pasi vota që do të japin shqiptarët për deputetët do të jetë pëlqyese dhe jo përcaktuese. Sipas ndryshimeve kushtetuese të miratuara në mënyrë të njëanshme nga Edi Rama, një kandidat për deputet në pjesën humbëse të listës, mund të zëvendësojë një prej kandidatëve të listës fituese nëse merr mbi 10 mijë vota pëlqyese, diçka që e bën listën e zgjedhur nga kryetarët e partive vendimtare në masën dërrmuese për shanset për të shkuar në parlament dhe votën pëlqyese të shqiptarëve, një votë thjeshtë simbolike.

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve përbëhet nga anëtarët Ervin Lako, Elvis Çefa, Ilirjan Rusmali, Koli Bele dhe Ledio Braho.