Lajm11 Jan 2017

Shqiptarët e diasporës bashkohen për ish-kryeministrin Haradinaj

Shqiptarët në të gjithë botën janë përfshirë në një fushatë protestash për ndalimin në Francë në ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj – duke shkaktuar kështu një reagim të ashpër nga Serbia, e cila kërkoi arrestimin e tij.

Autor: Fatjona Mejdini BIRN Tiranë
Printo

Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga policia franceze. Foto: Jean-Francois Badias/BETA.

Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga policia franceze. Foto: Jean-Francois Badias/BETA.

Në shumë qytete të ndryshme kudo në botë janë mbajtur protesta dhe nënshkruar peticione nga anëtarë të diasporës shqiptare, duke bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të guerilasit tashmë politikan Ramush Haradanaj, i cili u ndalua në Francë javën e kaluar me një urdhër arrestimi nga Serbia.

Protestuesit këmbëngulin se arrestimi i tij nuk ishte i ligjshëm, sepse ish-kryeministri i Kosovës, i cili tani drejton Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, është liruar dy herë nga akuzat nga gjykata e krimeve të luftës në Hagë.

Protestat janë organizuar në Bruksel, Uashington dhe Nju Jork – si edhe në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë – ndërsa një sërë veprimesh të tjera do të mbahen më 14 janar në Tiranë, Tetovë dhe Prishtinë.

Beogradi pretendon se ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kreu krime lufte gjatë konfliktit të viteve 1990 me forcat serbe.

Protestat nga shqiptarët e diasporës para ambasadave të Serbisë dhe misioneve diplomatike në disa vende shkaktuan reagime të ashpra nga Ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiç, i cili hodhi dyshimet se disa protestues po planifikojnë të sulmojnë një mision diplomatik serb.

“Kemi informacion për zaptimin e një prej misioneve tona diplomatike në Shtetet e Bashkuara ose Evropë, gjë e cila po komplotohet nga diaspora shqiptare në mënyrë që ta detyrojë Serbinë të tërheqë kërkesën e saj për të gjykuar Haradinajn,” tha të hënën Daçiç.

Ai tha gjithashtu se Serbia nuk do të heqë dorë nga përpjekjet e saj për ekstradimin e Haradinajn.

Deklarata e tij erdhi disa orë pas protestave në mbështetje të Haradinajt jashtë misioneve franceze në Uashington dhe Dallas, dhe para misionit të përhershëm të Serbisë në OKB në Nju Jork.

Politikanët shqiptarë kanë lobuar gjithashtu për lirimin e Haradinajt.

Pasi kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati e dënuan ndalimin e tij, zv/kryetarja e parlamentit, Valentina Leskaj, i bëri thirrje të hënën kreut të Këshillit të Europës në cilësinë e saj si kryetare e delegacionit parlamentar shqiptar në Këshillin e Europës.

“Ndalimi i Ramush Haradinajt në një vend anëtar të Këshillit të Europës në bazë të një urdhër arresti të vjetër nga ana e Serbisë është e papritur dhe e papranueshme. Kjo është një shkelje e të drejtave themelore të njeriut,” i shkroi Leskaj shefit Këshillit Europian Pedro Agramunt.

Në vetë Kosovë, deputetët ditën e martë debatuan një rezolutë parlamentare në lidhje me këtë çast.

Ish-kreu i OSBE-së në Kosovë, William Walker, ishte i pranishëm gjatë seancës parlamentare dhe tha për BIRN se ai besonte se urdhër arresti nga ana e Serbisë ishte i motivuar politikisht.

“Francezët duhet të dinë se ky është një akt politik nga e Beogradit. Jam i zemëruar që Serbia i vazhdon ende këto përpjekje, njësoj siç jam edhe me Francën,” tha Walker.

Mediat në Serbi raportuan të martën se ministria e drejtësisë në Beograd ka paraqitur një kërkesë zyrtare homologes së saj në Paris për ekstradimin e Haradinajt.

Një gjykatë franceze do të vendosë të mërkurën nëse do ta lirojë apo jo nga paraburgimi politikanin nga Kosova në pritje të një vendimi për kërkesën për ekstradim.