Votuesit në zgjedhjet e përgjithshme të 25 qershorit në Shqipëri duan të dinë si do të përmirësohet arsimi, si do të rritet ekonomia dhe nëse do të ketë ulje taksash, por politikanët kanë ofruar vetëm slogane dhe ofendime.
Shqiptarët po shkojnë drejt kutive të votimit për zgjedhjet e përgjithshme të 25 qershorit, por pak prej tyre duken të kënaqur me fushatat e partive politike deri tani, duke i përshkruar ato si të zbrazëta nga detajet politike dhe që u mungojnë planet e qarta të përmirësimit të jetës së njerëzve.
Fushata në vetvete filloi pas tre muajsh ngërçi politik, kur dy liderët e partive kryesore, Edi Rama nga PS dhe Lulzim Basha nga PD, më në fund arritën marrëveshjen e bashkëpunimit më 18 maj, duke siguruar pjesëmarrjen në votime të forcave kryesore politike.
Tre muajt parazgjedhorë u karakterizuan nga retorikë e ashpër politike dhe kërcënime të vazhdueshme nga opozita për të mos marrë pjesë në votime, duke hedhur dyshime se data do të vonohej.
Megjithatë, kur situata më në fund u qetësua, PS dhe PD u futën në retorikë me partitë më të vogla, duke e rritur sërish tensionin politik.
E gjitha kjo duket se ka ndikuar te besimi në partitë politike te votuesit, shumë prej të cilëve i thanë BIRN se ishin të zhgënjyer me politikanët.
“Atyre nuk u interesojmë ne apo shqetësimet tona, ndaj e shoh të pavlerë të them se çfarë do të doja që të merrnin ata në konsideratë,” tha një grua nga kryeqyteti, e cila nuk deshi ta jepte emrin.
“Jemi shumë konfuzë, nga mëngjesi në darkë duke dëgjuar politikanët në TV që i bërtasin njëri-tjetrit,” tha Sabri Bala, një banor në Tiranë.
Ky zemërim mes publikut të përgjithshëm përshkallëzoi gjatë fushatës sepse stacionet televizive nuk kanë mbajtur debate për të ekzaminuar programet e partive politike në çështje që votuesit janë të interesuar.
Kryeministri Rama gjithashtu refuzoi kërkesën e kundërshtarit të tij, Lulzim Basha të kenë një debat televiziv.
“Për herë të parë në këtë zgjedhje, nuk kam parë anëtarë partish që të përballen me njëri-tjetrin për programet. Shoh vetëm sharje mes tyre kur takohen me elektoratin,” tha Rakip Memisha.
Arsimi dhe taksat janë shqetësimet e votuesve
Rama ka bërë një fushatë të zhurmshme dhe të bujshme, dominuar nga talljet online të tij për politikanët e tjerë duke përdorur Meme të mediave sociale.
Pak premtime elektorale janë bërë, ndërsa retorika e fushatës së Ramës është përqendruar te rezultatet që beson ai se reformat e qeverisë së tij kanë arritur në katër vitet e shkuara.
Nga ana tjetër, fushata e Bashës duket e përqendruar te ato që nuk u arritën në këto katër vite nga qeveria e Ramës, të cilën ai e quan dështim.
Shumë votues të rinj, të cilët folën me BIRN thanë se ishin të shqetësuar për arsimin dhe se nuk gjetën qartësi në planet e partive kryesore politike për të përmirësuar sistemin.
Erjola Jata, një gazetare, tha se kishte shumë konfuzion për arsimin.
Në verën e vitit 2015, qeveria e Ramës kaloi një ligj të ri për arsimin e lartë, që u kundërshtua nga studentët, opozita dhe partia në koalicion qeverisës, LSI.
“E dimë që ligji për arsimin e lartë ka qenë shumë i debatuar dhe kundërshtuar, megjithëse asnjë parti nuk duket se ka një strategji të qartë se çfarë duhet të bëjë në këtë drejtim,” tha Jata.
Anisa Arranjaku, një banuese e re në Tiranë, tha se si rezultat i këtij konfuzioni për ligjin e arsimit dhe të ardhmes së tij, studentët që po bëjnë provimet e pranimit në universitet janë të hutuar nga situata.
“Doja të dëgjoja më shumë nga partitë për financimin dhe investimin në edukim. Shumë shkolla jashtë Tiranës janë vërtet keq nga infrastruktura dhe cilësia e arsimit,” tha Arranjaku.
19-vjeçari Serxhio Ceka tha se do të donte që politikanët të përqendrohen te arsimi profesional, ku ai sheh se Shqipëria ka shumë për të bërë.
“Kam ndjekur një shkollë profesionale në Itali dhe sistemi i tyre është thjesht i mrekullueshëm dhe të jep shumë. Këtu kryesisht kemi shkolla të përgjithshme që në fund nuk japin shumë dhe një politikan e ka për detyrë ta ndryshojë këtë,” tha Ceka.
Shumë persona gjithashtu theksuan se taksa më të ulëta duhet të ishin premtuar nga partitë që shpresojnë të marrin pushtetin, duke argumentuar se politikanët vetëm kanë thënë se do të forcojnë ekonominë dhe do të përmirësojnë standardet e jetesës, pa dhënë shpjegime se çfarë planesh kanë.
“Shumë po flasin rreth nevojës për të forcuar ekonominë, megjithëse nuk ka qartësi se si do të arrihet kjo. Mungesa e një programi të detajuar është e qartë me çdo parti,” tha Jata.
Alisa Kastroti, pronare e një qyteti të vogël në Korçë, tha se ajo dhe bashkëshorti i saj po presin të dëgjojnë nga politikanët për pakësim taksash për bizneset e vogla.
“Vetëm kjo na intereson dhe nuk kemi dëgjuar as edhe një premtim të qartë në këtë drejtim,” u ankua Kastrioti.
Arranjaku gjithashtu tha se ajo do të ishte mëse e lumtur nëse ndonjë politikan fliste për ulje taksash, veçanërisht për rrogat e ulëta dhe të mesme.
Fadil Demirxhiu, një pensionist në Tiranë, tha ndërkohë se megjithëse politikanët kanë përsëritur vazhdimisht se do të forcojnë ekonominë, ata kanë dështuar të detajojnë si do të zhvillojnë sektorë thelbësorë si bujqësia dhe industria.
“Është thjesht e kotë të flitet për ekonomi të fortë kur nuk ka plane zhvillimi në bujqësi dhe industri. Nuk po marrim gjëra reale,” tha Demirxhiu.