Analize23 Jul 2019

Shtetet e Bashkuara duhet të flasin rreth Kinës

Në një demokraci, një qeveri nuk mund të vazhdojë një luftë mosmarrëveshje të gjatë me një kundërshtar të fuqishëm gjeopolitik pa mbështetje të qëndrueshme politike nga një publik i informuar. Kjo është arsyeja pse SHBA-ja duhet urgjentisht të nisë një debat publik të besueshëm mbi politikën konfrontuese të presidentit amerikan Donald Trump ndaj Kinës.

Autor: Minxin Pei Project Syndicate Uashington
Printo

Foto ilustruese: Pixabay.

Nga të gjitha ndryshimet që ka bërë administrata e presidentit Donald Trump në politikën e jashtmë të SHBA-së, më konsekuent është miratimi i një qëndrimi konfrontues ndaj Kinës. Duke zëvendësuar një politikë angazhimi disa dhjetëra vjeçare, qasja e Trump jo vetëm ka shkaktuar një luftë ekonomike të ftohtë midis dy ekonomive më të mëdha në botë; ajo gjithashtu ka ngritur spektrin e konfliktit të armatosur në Detin e Kinës Jugore dhe Ngushticën e Tajvanit.

Brenda vitit të parë të presidencës së tij, Trump e quajti Kinën një “konkurrente” dhe “fuqi rivale” strategjike. Por nuk është vetëm Trump: për establishmentin e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe për anëtarët republikanë të Kongresit – si edhe disa demokratë – Kina përbën kërcënimi më serioz afatgjatë ndaj mbizotërimit global dhe interesave vitale të Amerikës.

Gjeopolitika ka qenë shkaku kryesor i përkeqësimit të shpejtë të marrëdhënieve SHBA-Kinë gjatë dy viteve të fundit dhe lufta tregtare e Trump duhet të shihet në këtë kontekst. Tarifat amerikane mund të fokusohen në dëmtimin e potencialit ekonomik afatgjatë të Kinës, por arsyeja kryesore është të dobësojnë Kinën si një rivale strategjike.

Kjo duhet të jetë e qartë nga fakti se, pavarësisht justifikimeve ekonomike të Trump-it – mbrojtja e pronës intelektuale të bizneseve amerikane dhe korrigjimi i mungesës së madhe të tregtisë dypalëshe – tarifat e tij kanë gjasa të dëmtojnë rëndë ekonominë amerikane, pasi ato shkatërrojnë një marrëdhënie ekonomike të ndërtuar gjatë katër dekadash. Në thelb, politika e Amerikës ndaj Kinës është bërë krejtësisht armiqësore.

Ky ndryshim ka alarmuar disa nga studiuesit dhe politikëbërësëit më me përvojë kinezë. Në një letër të hapur, pothuajse 100 prej tyre – duke përfshirë republikanë dhe demokratë dhe shumë kritikë të zëshëm të politikave dhe sjelljes kineze – kohët e fundit i bënë thirrje Trumpit të mos e trajtojë Kinën si një armik.

Publiku amerikan duket se është shumë dakord me këtë. Megjithatë, në Amerikë ekziston një antipati e gjerë ndaj Kinës: sipas studimit më të fundit mbi këtë çështje të Qendrës Kërkimore Pew (të zhvilluar në gusht 2018), vetëm 38% e amerikanëve e shohin Kinën në mënyrë të favorshme, ndërsa 47% e shohin atë në mënyrë të pafavorshme. Por vetëm 29% e të anketuarve përmendën fuqinë ushtarake të Kinës si shkak për shqetësim. Një pjesë shumë më e madhe – 58% – janë të shqetësuar për aftësitë e saj ekonomike. Kjo sugjeron që, në sytë e shumicës së amerikanëve, objektivi kryesor i marrëdhënieve me Kinën duhet të jetë mbrojtja e jetesës së tyre, jo të fillojë një konfrontim gjeopolitik.

Megjithatë, me siguri administrata Trump po projekton pikërisht një konfrontim gjeopolitike – ndoshta në kurriz të jetesës së shumë amerikanëve. Kjo shkëputje pasqyron masën në të cilën ndryshimi në politikën e Amerikës kundrejt Kinës ka ndodhur jashtë syve të publikut dhe pa një debat të hapur.

Një debat i tillë nevojitet urgjentisht. Edhe pse lufta tregtare ka qenë që në fillim ndër titujt kryesorë të lajmeve, shumica e publikut amerikan nuk është në dijeni të shkallës së transformimit të politikës amerikane ndaj Kinës, e cila e ekspozon vendin e tyre në një konflikt të hapur me atë që së shpejti do të jetë ekonomia më e madhe në botë.

Në një demokraci, një qeveri nuk mund të ndjekë një luftë afatgjatë me një kundërshtar të fuqishëm gjeopolitik pa mbështetje të qëndrueshme politike nga një publik i informuar. Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet të rinjve (të cilët sipas, Pew, kanë një këndvështrim shumë më të favorshëm të Kinës sesa më të moshuarit), sepse ata do të mbajnë peshën e kostove të luftës së ftohtë kinezo-amerikane.

Që një debat i tillë që të jetë i besueshëm, administrata Trump do të duhet t’u përgjigjet pyetjeve vendimtare rreth politikës së saj ndaj Kinës. Para së gjithash, cili është qëllimi përfundimtar i politikës? Përgjigjet e mundshme përfshijnë modifikimin e sjelljeve ose politikave të caktuara kineze, kontrollin e fuqisë ekonomike apo ushtarake kineze, ose ndryshimin e drejtpërdrejtë të regjimit.

Administrata Trump më pas do të duhet të shpjegojë se si synon të arrijë objektivin e saj të deklaruar. A është “ndarja ekonomike”, e favorizuar nga kundërshtarët e Kinës në orbitën e Trump, një strategji efikase apo e realizueshme? Autorët e letrës së hapur argumentojnë se përpjekjet e SHBA-së për të ndarë Kinën nga ekonomia globale “do të dëmtojnë rolin dhe reputacionin ndërkombëtar të Amerikës dhe do të dëmtojnë interesat ekonomike të të gjitha kombeve”. A munden vendet e tjera – edhe aleatët tradicionalë të Shteteve të Bashkuara – të binden për t’i mbështetur këto përpjekje? A do të ishin të gatshme (ose të afta) Shtetet e Bashkuara ta vazhdonin vetëm këtë gjë?

Cilëndo politikë që të zgjedhë, administrata Trump duhet të jetë në gjendje ta arsyetojë atë. Tetorin e kaluar, zv/presidenti Mike Pence deklaroi “luftë të ftohtë” kundër Kinës në një fjalim të ashpër që përfshinte një sërë akuzash, duke përfshirë ndërhyrjen në politikën amerikane dhe shtypjen e popullit të vet. Ajo që Pence – dhe pjesa tjetër e administratës Trump – nuk ofroi ishte një justifikim i arsyetuar për trajtimin e Kinës nga Amerika si një kërcënim ekzistencial.

Pyetja përfundimtare që duhet të bëhet është bashkëpunimi shumëpalësh. Për t’u përballur me sfidat e përbashkëta – disa prej të cilave, si ndryshimi i klimës dhe shtimi i armëve bërthamore, në fakt janë kërcënime ekzistenciale – bota ka nevojë më shumë se kurrë për një bashkëpunim të tillë. A mund të përqafojë SHBA-ja një politikë konfrontimi ndaj Kinës, pa përjashtuar bashkëpunimin në çështjet ku ky i fundit është i nevojshëm?

Nënshkruesit e letrës së hapur – si dhe një numër i konsiderueshëm ekonomistësh, politikanësh dhe mendimtarësh – kanë paraqitur një deklaratë të informuar dhe të studiuar për pikëpamjet e tyre kolektive mbi Kinën. Administrata Trump duhet të iluminojë vizionin dhe qëllimet e veta para njerëzve që supozohet se ajo përfaqëson.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. The US Needs to Talk About China