Lajm24 Jan 2019

Shteti paditet për ndotjen e lumit Gjanica me hidrokarbure

Dy institucione shtetërore janë paditur në gjykatë për shkak të mosveprimit të tyre për të matur dhe parandaluar ndotjen nga industria e naftës në lumin Gjanica.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Ndotje nga nafta

Tre banorë të fshatit ‘Patos Fshat’ në Fier dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, kanë bërë një kërkesë padi ndaj dy institucioneve shtetërore – Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit, për detyrimin e tyre që të zbatojnë legjislacionin përkatës me qëllim identifikimin e gjithë ndotësve të lumit Gjanica, parandalimin e ndotjes së mëtejshme dhe marrjen masave rehabilituese.

“Është e paqartë, se si këto institucione të buxhetuara me fonde shtetërore dhe burime njerëzore, nuk mund të identifikojnë operatorët që ushtrojnë veprimtari industriale përgjatë rrjedhjes së një lumi që ka një kufizim nga pikëpamja e shtrirjes gjeografike dhe prek vetëm pak qytete dhe i cili ndotet në mënyrë masive nga këto veprimtari”, citohet në kërkesë padi.

Në kërkesë padinë drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, thuhet se KSHH, nisur nga shqetësimet e bëra publike në media ka kryer disa monitorime gjatë viteve të fundit lidhur me ndotjen në lumin Gjanica dhe për ankesat e banorëve në zonat përreth, përkatësisht në bashkitë Mallakastër, Fier dhe Patos.

Në një monitorim të kryer më datë 3 gusht 2017, vëzhguesit e KSHH-së kanë konstatuar një nivel të lartë të ndotjes së lumit Gjanicë, në bashkitë Mallakastër dhe Fier, të shkaktuar nga hidrokarburet dhe mbetjet urbane.

Në kërkesë padi theksohet se Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Inspektorati Kombëtar i Mjedisit dhe Ministria e Mjedisit nuk kanë vepruar dhe nuk po veprojnë në përputhje me ligjin për parandalimin e ndotjes dhe menaxhimin e mbetjeve në këtë territor për përmirësimin e situatës së lumit.

Për monitorimin e kryer KSHH ka bashkëpunuar edhe me institucione të tjera, si Drejtoria Rajonale e Shëndetit Publik Fier, DRSHP dhe bashkitë respektive që përshkohen nga lumi Gjanica.

Në përgjigjen që DRSHP Fier i ka kthyer KSHH-së, ka evidentuar faktin se uji i lumit Gjanica ka erë shumë të rëndë hidrokarburesh, nitrite, amoniak, ka ngjyrë gri në të verdhë dhe me turbullirë. Gjithashtu, janë pasqyruar edhe rastet e sëmundjeve të ndryshme të konstatuara për 9 mujorin e parë të vitit 2017 që dyshohet se mund të kenë lidhje me ndotjen. Kështu, sëmundje onkologjike janë evidentuar gjithsej 38 raste, sëmundje endokrine dhe imunitare gjithsej 214, të aparatit të frymëmarrjes 139, të aparatit tretës 400 raste dhe sëmundje të organeve urogenitale 98 raste.

Bashkia e Fierit ka informuar KSHH-në se burimet kryesore të ndotjes në lumin Gjanica janë prurjet e nga Kombinati i Përpunimit të Thellë të Naftës Ballsh. Shkarkimet e stacioneve të dekantimit në Ballsh dhe Ofiçinë Patos, derdhja e rrjedhjeve të puseve të veçanta në Belishovë dhe Visokë, Margëlliç dhe Uzina e Përpunimit të Naftës Fier.

Edhe bashkia Mallakastër ka identifikuar si ndotës të ujërave të lumit Gjanica aktivitetin i nxjerrjes dhe përpunimit të hidrokarbureve nga kompanitë ARMO dhe Albpetrol.

Ndërsa Inspektoriati i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave, Dega Rajonale Fier është justifikuar se nuk ka tagrin dhe logjistikën për të kryer analiza për verifikimin e nivelit të ndotjeve të ndryshme pasi kjo është kompetencë e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

Ndërkohë, në një përgjigje të mëvonshme që Agjencia Kombëtare e Mjedisit i ka kthyer KSHH, ka pretenduar se sanksionet për sa i përket kundra vajtjeve administrative por edhe inspektimi në terren i operatorëve të pajisur me leje mjedisi janë detyrim i përcaktuar në ligj për Inspektoriatin Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit. Ky institucion ka sqaruar se nuk është në kompetencën e AKM-së marrja e masave administrative, pasi kryen vetëm monitorimin e gjendjes së cilësisë së ujërave të lumenjve, ku bën pjesë dhe lumi Gjanica.

Në kërkesë padi thuhet se operatorët që kanë derdhur shkarkime industriale në lumin Gjanicë duhet të vendoseshin para përgjegjësisë administrative për të sanksionuar efektivisht shkeljet e kryera prej tyre dhe për ti vendosur ato para përgjegjësisë për të rehabilituar dëmin e shkaktuar. Por një gjë e tillë ka ndodhur shumë rrallë dhe nuk rezulton që sanksionet e dhëna të kenë qenë efektive për të përmirësuar situatën.