Lajm19 Jun 2019

Shtyhet seanca gjyqësore ndaj Saimir Tahirit

Nis procesi gjyqësor për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahirin, por seanca e parë u shty për shkak të mungesës e ish-drejtuesve të policisë që janë në kërkim.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, duke dalë nga dyert e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku i janë komunikuar akuzat. Foto:Edmond Hoxhaj/BIRN

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ishte i vetmi prej të pandehurve që u paraqit  mëngjesin e të mërkurës në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, gjatë seancës së parë gjyqësore në ngarkim të tij dhe tre ish-drejtuesve të policisë, Jaeld Çela, Sokol Bode dhe Gjergji Kohila, të akuzuar si të përfshirë në trafik droge me bandën e Habilajve.

Gjatë verifikimit të palëve, kryesuesi i trupës gjykuese të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, gjyqtari Ardit Mustafaj konstatoi se i pandehuri Saimir Tahiri, i akuzuar për kryerje të veprave penale; “trafikim i narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “grup i strukturuar kriminal”, ishte i pranishëm së bashku me përfaqësuesit e tij ligjor. Ndërsa i pandehuri Jaeld Çela nuk është paraqitur, por avokatët e tij paraqitën një prokurë të posaçme, të firmosur nga vetë i akuzuari ku bënte me dije se kishte marrë dijeni për datën e zhvillimit të seancës gjyqësore.

Edhe avokatja e të pandehurit Gjergji Kohila i ka dorëzuar gjykatës prokurorë të posaçme përfaqësimi si nga familjarët e klientit të saj, ashtu edhe nga vetë i akuzuari. Ndërkohë, kryesuesi Mustafaj bëri me dije se nuk ishte bërë e mundur nga policia dhe zyrat postare njoftimi i të pandehurit Sokol Bode. Edhe pse mbrojtësit e të pandehurve Jaeld Çela dhe Gjergji Kodila kërkuan që klientët e tyre të deklarohen në mungesë dhe gjykimi të vazhdojë pa praninë e tyre, gjykata vlerësoi se nuk është e qartë që në këto prokura, të pandehurit të kenë shprehur vullnetin për të mos u paraqitur në gjykim. Kryesuesi i treshes gjykuese, gjyqtari Ardit Mustafaj tha se gjykata vendosi të urdhërojë rikryerjen e procedurës së njoftimit për të tre të pandehurit që nuk ishin të pranishëm.

Gjykata vendosi të shtyjë seancën për më datë 3 korrik, ora 09:00. Në këtë moment, i pandehuri Saimir Tahiri kërkoi të drejtën e fjalës dhe tha se gjykimi nuk duhej të zvarritej.

“Kam të drejtën të kërkoj një gjykim sa më të shpejtë, se ka dy vjet që kjo çështje po rri pezull. A ka mundësi të ketë ditë për ditë seancë? Por, ju lutem, mos shfrytëzoni afatin maksimal 15 ditor për të shtyrë seancën!”, deklaroi Tahiri.

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-numri një i policisë së Vlorës, Jaeld Çela akuzohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për implikim në trafikun e narkotikëve, e kryer nga një organizatë e krimit të organizuar e drejtuar nga vëllezërit Habilaj.

Tahiri i ka mohuar akuzat, ndërkohë që ish-kreu i Policisë së Vlorës ndodhet prej një viti e gjysmë në arrati së bashku me dy drejtues të tjerë të policisë lokale, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode.

Anëtarët e organizatës së drejtuar nga vëllezërit Habilaj u ndaluan në tetor të vitit 2017 nga autoritetet italiane, teksa po tentonin të trafikonin një sasi të konsiderueshme lënde narkotike nga Shqipëria drejt vendit fqinj. Po në vjeshtën e vitit 2017, në Babicë të Vlorës, në magazinën e të dyshuarit Armando Koçerri u gjetën dhe sekuestruan rreth 4 tonë cannabis sativa, episod ky që u shoqërua me procedim penal edhe në Shqipëri.

Çështja penale ndaj ish-ministrit Tahiri filloi në tetor 2017, pas publikimit të disa përgjimeve të anëtarëve të grupit “Habilaj”, të cilët përmendnin emrin e Tahirit dhe aludonin se i kishin blerë dhurata.