Lajm3 Oct 2019

Shtyhet seanca në KPK, gjyqtarja Brunilda Malo kërkoi përjashtimin e trupës gjykuese

Seanca e rivlerësimit ndaj gjyqtare së Apelit të Korçës u ndërpre nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pasi gjytarja Brunilda Malo kërkoi pëjashtimin e trupës gjykuese.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtarja e Apelit Korçë, Brunilda Malo. Foto:E.Hoxha/BIRN

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi të ndërpresë të enjten seancës dëgjimore për procesin e rivlerësimit të gjyqtares së Gjykatës së Apelit Korçë, Brunilda Malo(Orhani), pas kërkesës së kësaj të fundit për përjashtimin e trupës gjykuese për një anshmëri. Ky vendim i komisionit erdhi pas dy kërkesave të njëpasnjëshme që u paraqitën që në fillim të seancës prej gjyqtares Brunilda Malo.

Në kërkesën e parë drejtuar trupës gjykuese të përbërë nga Xhensila Pine kryesuese, Valbona Sanxhaktari relatore dhe Roland Ilia anëtar, gjyqtarja Malo kërkoi që të riçelej hetimi për të tri kriteret, veç pasurisë, edhe për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin. “Konstatoj se është rrëzuar kërkesa që kam bërë për riçeljen e hetimit për të tri kriteret. Komisioni nuk i ka konsideruar provat që kam dorëzuar në përmbajtjen e tyre. Kërkoj riçeljen e hetimit për figurën dhe profesionalizimin”, pohoi gjyqtarja Malo.

Trupa gjykuese e KPK-së u tërhoq për pak minuta dhe vendosi rrëzimin e kësaj kërkese. Menjëherë gjyqtarja Malo paraqiti një kërkesë të re. “Duke qenë se më refuzohen në mënyrë të njëpasnjëshme kërkesat, konstatohet njënashmëri të trupës gjykuese. Kjo procedurë nuk më jep të drejtën të mbrohem. Për këto arsye kërkoj përjashtimin e trupës gjykuese”, u shpreh Malo.

Pasi u tërhoq, trupa gjykuese vendosi të ndërpresë seancën dëgjimore dhe që kërkesa të shqyrtohet nga një tjetër trupë gjykuese.

Gjatë kësaj seance, në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Marie Tuma.

Brunilda Malo e ka nisur karrierën në sistemin shqiptar të drejtësisë në vitin 1995 si gjyqtare në Kolonjë. Në vitin 2003, ajo është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Korçës dhe vazhdon ta kryejë këtë funksion prej 16 vitesh.