Me kalimin e kohës, mosmarrëveshja midis presidentit francez Emmanuel Macron dhe homologut të tij brazilian Jair Bolsonaro në lidhje me Amazonën mund të mbetet në të kaluarën, por është e sigurt që do të lindin mosmarrëveshje të tjera midis interesave kolektive dhe atyre kombëtare dhe bota duhet të gjejë një mënyrë për t’i menaxhuar ato.
Në prag të samitit të fundit të G7 në Biarritz, presidenti Francez Emmanuel Macron e përshkroi Amazonën si “mushkëritë e planetit tonë”. Dhe për shkak se ruajtja e saj ka rëndësi për të gjithë botën, shtoi Macron, presidenti Brazilian Jair Bolsonaro nuk mund të lejohet “të shkatërrojë gjithçka”. Në përgjigje, Bolsonaro e akuzoi Macronin se po instrumentalizon një çështje “të brendshme ” braziliane dhe tha se fakti që G7 e diskuton këtë çështje pa qenë të pranishme vendet e rajonit të Amazonës ishte dëshmi e një “mentaliteti të gabuar kolonialist”.
Mosmarrëveshja është përshkallëzuar më tej, me Macronin që tani kërcënon të bllokojë marrëveshjen tregtare të përfunduar kohët e fundit midis Bashkimit Europian dhe Mercosur, vetëm në rast se Brazili – anëtari më i madh i bllokut tregtar të Amerikës Latine – nuk bën më shumë për të mbrojtur pyllin.
Mosmarrëveshja Macron-Bolsonaro thekson tensionin midis dy trendëve të mëdha të kohëve të fundit: nevoja në rritje për veprim global kolektiv dhe kërkesa në rritje për sovranitet kombëtar. Përplasjet e mëtejshme midis këtyre dy forcave janë të pashmangshme dhe nëse ato mund të pajtohen apo jo, do të përcaktojnë fatin e botës sonë.
Komunitetet globale nuk janë asgjë e re. Bashkëpunimi ndërkombëtar për të luftuar sëmundjet ngjitëse dhe për të mbrojtur shëndetin publik daton që nga fillimi i shekullit XIX. Por veprimi kolektiv global nuk fitoi rëndësi mbarëbotërore deri në fund të mijëvjeçarit. Koncepti i “mallrave publike globale”, i popullarizuar nga ekonomistët e Bankës Botërore, u vu në zbatim pas në një game të gjerë çështjesh, që nga ruajtja e klimës dhe biodiversiteti deri tek stabiliteti financiar dhe siguria e Internetit.
Në kontekstin e Luftës së Ftohtë, ndërkombëtarët besuan se zgjidhjet globale mund të dakordoheshin dhe të viheshin në zbatim për të trajtuar sfidat globale. Lidhja e marrëveshjeve globale ose ligji ndërkombëtar, do të vihej në zbatim dhe do të përforcohej me ndihmën e institucioneve të forta ndërkombëtare. E ardhmja, si duket, i përkiste qeverisjes globale.
Kjo rezultoi të ishte thjesht një iluzion. Arkitektura institucionale e globalizmit nuk arriti të zhvillohej siç kishin shpresuar përkrahësit e qeverisjes globale. Edhe pse Organizata Botërore e Tregtisë u krijua në vitin 1995, asnjë organ tjetër global i rëndësishëm nuk e ka parë dritën që nga atëherë (dhe vetë OBT-ja nuk ka shumë pushtet përveçse të arbitrojë mosmarrëveshjet). Planet për institucione globale për të mbikëqyrur investimet, konkurrencën apo mjedisin u braktisën. Dhe madje që para se presidenti i SHBA-së Donald Trump të fillonte të vinte në dyshim multilateralizmin, marrëveshjet rajonale filluan ristrukturimin e tregtisë ndërkombëtare dhe rrjeteve globale të sigurisë financiare.
Në vend të ardhjes së qeverisjes globale, bota po dëshmon shtimin e nacionalizmit ekonomik. Siç gjetën Monica de Bolle dhe Jeromin Zettelmeyer nga Instituti Peterson në një analizë sistematike të platformave të 55 partive kryesore politike nga vendet e G20, theksi mbi sovranitetin kombëtar dhe refuzimin e multilateralizmit është i përhapur. Kur John Bolton, këshilltari aktual i SHBA-së për sigurinë kombëtare, shkroi në vitin 2000 se qeverisja globale ishte një kërcënim për “amerikanizmin”, shumë e konsideruan idenë si shaka. Pak po qeshin me këtë tani.
E vërtetë, nacionalizmi nuk e ka fituar luftën. Pavarësisht Brexit dhe ngritjes së partive të ekstremit të djathtë në Itali dhe vende të tjera, zgjedhjet e Parlamentit Europian në maj nuk sollën fitoren e druajtur të populizmit. Segmentet në rritje të opinionit publik thjesht duan që politikëbërësit të trajtojnë problemet në mënyrën më efektive, përfshirë në nivel europian ose global, nëse është e nevojshme.
Megjithatë, në ditët e sotme, veprimi kolektiv ndërkombëtar nuk mund të bazohet në detyrime universale të bazuara në traktate. Prandaj, pyetja është se cilat mekanizma alternative mund të trajtojnë sfidat globale në mënyrë efektive, ndërsa minimizojnë shkeljet mbi sovranitetin kombëtar.
Disa modele tashmë po punohen në nivel ndërkombëtar. Për shembull, për tregtinë, grupimet në rritje të “gjeometrisë së ndryshueshme” po merren me çështje të reja që lidhen me rregulloret “jashtë kufirit” siç janë standardet teknike dhe mjegullimi i ndryshimit midis mallrave dhe shërbimeve. Abuzimi global i fuqisë së tregut nga ana e gjigantëve të korporatave po përballet nga vendimet ekstrateritoriale të autoriteteve kombëtare të konkurrencës. Po kështu, forcimi efektiv i raporteve të kapitalit bankar nuk ka ardhur nga ndonjë ligj ndërkombëtar, por nga miratimi vullnetar i standardeve të përbashkëta, jo detyruese. Edhe pse bota po mbetet pas në zbutjen e ndryshimeve klimatike, marrëveshja e klimës në Paris në vitin 2015 ka bërë që disa vende të veprojnë, përfshirë duke mobilizuar qeveritë rajonale dhe këshillat e qyteteve si edhe duke nxitur investime private në teknologjitë e pastra.
Por për shkak se jo të gjitha problemet globale janë njësoj, mekanizmat e tillë do të ofrojnë një model të përshtatshëm për veprim kolektiv vetëm në raste të caktuara. Kur lojtarët e ndryshëm janë të gatshëm të veprojnë, një modalitet transparence dhe ndërtimi i besimit është i mjaftueshëm për të siguruar bashkëpunim. Në raste të tjera, megjithatë, tundimi për të vepruar i lirë ose për të abstenuar mund të kundërshtohet vetëm nga stimuj të fuqishëm ose edhe nga sanksione.
Kjo na rikthen te zjarret e Amazonës. Interesat e Brazilit dhe komunitetit ndërkombëtar nuk janë në përputhje. Për fermerët e vegjël të Brazilit dhe korporatat e mëdha agro-ushqimore, vlera ekonomike e tokës ka rëndësi të konsiderueshme. Por pjesa tjetër e botës merret kryesisht me vlerën ekologjike dhe biologjike të pyjeve të shiut. Horizontet kohore ndryshojnë gjithashtu: çuditërisht, të pasurit në Veriun Global vlerësojnë më shumë të ardhmen sesa e vlerësojnë të varfrit në Jugun Global. Edhe nëse segmente të mëdha të shoqërisë braziliane vlerësojnë ruajtjen e pyllit të shiut, është e dëshirueshme të besosh se vetëm bindja morale dhe shtysat do të zgjidhin mosmarrëveshjet midis Brazilit dhe partnerëve të tij të jashtëm.
Në rastin e Amazonës, i vetmi instrument i vështirë në dispozicion janë paratë dhe sanksionet. Nëpërmjet transferimit të më shumë se 1 miliard dollarëve në Fondin për Amazonën që nga viti 2008, Norvegjia tashmë subvencionon ruajtjen e shërbimit mjedisor që pylli i shiut i jep botës (ajo i ndërpreu transfertat muajin e kaluar në shenjë proteste kundër politikave të Bolsonaros). Alternativa e Macron është ta detyrojë Brazilin të vlerësojë mjedisin duke bërë marrëveshje tregtare dhe marrëveshje të tjera ndërkombëtare me kusht që vendi të administrojë burimet e tij natyrore në mënyrë të qëndrueshme.
Të dy opsionet janë problematike. Pagesat hapin një kuti të madhe Pandore dhe arritja e një shkalle të konsiderueshme kërkon një marrëveshje se kush do të bartë me të vërtetë barrën: vlera vjetore e kapjes së karbonit nga pyjet e shiut të Amazonës është qindra herë më e madhe sesa transfertat norvegjeze. Shtrëngimi është gjithashtu i ndërlikuar, sepse ekziston vetëm një marrëdhënie logjike e zhdrejtë midis shpyllëzimit dhe tregtisë. Por për shkak se nuk ka mundësi të tjera, zgjidhjet ndoshta do të duhet të përfshijnë një kombinim të të dyjave.
Me kalimin e kohës, mosmarrëveshja Macron-Bolsonaro mund të mbetet në të kaluarën, por është e sigurt që do të lindin mosmarrëveshje të tjera që vendosin përballë shqetësimet globale kundër sigurisë kombëtare dhe bota duhet të gjejë një mënyrë për t’i menaxhuar ato.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Dousing the Soveregnity Wildfire