Lajm18 Apr 2016

Shullazi nën akuzë për gjobëvënie dhe kërcënime, drejtësia në test

Pasi i ka shpëtuar për disa herë drejtësisë, Emiljano Shullazi-një personazh i njohur i botës së krimit përballet me akuza për gjobëvënie ndaj biznesmenëve dhe kërcënime të dhunshme. 

Autor: Gjergj Erebara Tiranë
Printo

Emiljano Shullazi | Foto kortezi nga Policia e Shtetit

Emiljano Shullazi | Foto kortezi nga Policia e Shtetit

Emiljano Shullazi, një personazh i njohur i botës së krimit u arrestua në orët e para të së dielës në Tiranë, me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Shullazi akuzohet për gjobëvënie, shkatërrim të pronës me eksploziv, armëmbajtje pa leje dhe krijimin e një grupi të strukturuar kriminal.

Përveç Shullazit, Prokuroria lëshoi urdhër-arreste edhe për krahun e tij të djathtë, Gilmando Dani dhe të afërmin Blerim Shullazi. Përmes një njoftimi për shtyp, policia tha se akuzat ishin ngritur pas denoncimit të një biznesmeni me incialet A.Z.

“Ndalimi është bërë se në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë, në kohë dhe në qytete të ndryshme, kanë shtrënguar përmes kanosjes për dhënie të pasurisë biznesmenë të ndryshëm,” thuhet në njoftimin e policisë.

Para vendimit për arrestim, Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte regjistruar një sërë procedimesh penale për Shullazin, emri i të cilit lidhet me listë të gjatë gjobëvëniesh dhe kërcënimesh ndaj bizneseve që shtrihen në zonën industriale Tiranë-Durrës.

Megjithatë, përpjekjet e mëparshme për arrestimin e tij kishin dështuar.

Emri i Emiljano Shullazit qarkullon në kronikën e zezë që prej përplasjeve të përgjakshme të viteve 1998-1999 mes bandave në Tiranë. Në vitin 2006, ai u arrestua dhe u dënua me 7 vjet e 4 muaj burg për trafik droge si pjesë e operacionit “Identikit”.

Pas lirimit nga burgu, emri i Shullazit është lakuar si autor i mundshëm i një sërë krimesh të ndodhura në Tiranë, por autoritetet e drejtësisë mundën t’i vërtetojnë vetëm një akuzë për armëmbajtje pa leje në vitin 2012.

Përgjatë tre viteve të fundit, Shullazi është kthyer gjithashtu në një personazh kyç të arenës së debatit politik mes palëve. Partia Demokratike në opozitë akuzon ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri për lidhje të ngushta me Shullazin dhe “mbrojtës” të tij. Sipas PD, Rama dhe Tahiri i kanë dhënë Shullazit statusin e të paprekshmit.

Ministri Tahiri dhe Partia Socialiste kanë mohuar akuzat, duke i cilësuar ato si “shpifje”.

I lakuar dendur për aktivitetin e tij kriminal deri në përfshirje në fushata elektorale, fundjavën e kaluar, Shullazi tërhoqi vëmendje për implikimin e dyshuar të tij edhe në zgjedhjet universitare në Tiranë.

Para arrestimit të së dielës, ish-kryeministri Sali Berisha denoncoi publikisht Shullazin se kishte kërcënuar dekanin e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Mynyr Koni dhe rektorin e Universitetit të Tiranës, Dhori Kule. Sipas Berishës, kërcënimi kishte për qëllim tërheqjen e Konit nga gara për një mandat tjetër si dekan.

Pas denoncimit të Berishës, policia ka nisur një hetim për zbardhjen e ngjarjes. Mediat raportuan se gjatë dëshmisë së tij në polici, Shullazi ka mohuar të ketë kërcënuar akademikët Koni dhe Kule.

Ndërsa Universiteti i Tiranës e cilësoi kërcënimin si “rast të paprecedentë dhe të pakonceptueshëm që të ndodhë brenda institucioneve akademike”.

E ndërsa verifikimet për kërcënimin e dekanit të Shkencave të Natyrës vazhdojnë, Prokuroria e Krimeve të Rënda po përgatitet për testin e parë në gjykatë kundër Shullazit.

Të martën, ai së bashku me Gilmando Danin dhe Blerim Shullazin do të dalin përpara Gjykatës së Krimeve të Rënda për masën e sigurisë.

Nëse akuzat do të mund të vërtetohen, Shullazi rrezikon dënime deri në 15 vjet burg.