Blog15 Feb 2019

Shumica dërrmuese e inflacionit u shkaktua nga zarzavatet dhe furnizimi me ujë

Indeksi i Çmimeve të Konsumit u rrit me 1.8% gjatë vitit 2018, por një analizë e peshës së mallrave që shkaktuan rritjen sugjeron se situata është më e ngjashme me një stagflacion se sa me inflacion.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Qytetarë të Tiranës duke bërë blerje në tregun e frutave dhe perimeve në Pazarin e Ri më 31 dhjetor 2018. Foto: Malton Dibra/LSA

Indeksi i Çmimeve të Konsumit, i cili mat koston e mallrave dhe shërbimeve të konsumuara nga shqiptarët, u rrit me 1.8% gjatë vitit 2018. Kjo është një shifër ndjeshëm më e ulët se sa objektivi i Bankës së Shqipërisë për inflacion në masën 3%, kufiri i inflacionit që konsiderohet “i shëndetshëm” për ekonominë dhe që tregon zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Megjithatë, nëse shohim në brendësi të treguesit të përgjithshëm, zbulojmë se larg të qenit një inflacion i ulët por i shëndetshëm, IÇK e vitit 2018 reflekton rritjen e çmimit e vetëm dy grupprodukteve, çmimet e të cilave duket se nuk reflektojnë rritjen e mirëqenies dhe rrjedhimisht, rritjen e kërkesës nga ana e shqiptarëve, por lidhen me “shkaqe strukturore”.

Të dhënat e Institutit të Statistikave të analizuara nga BIRN tregojnë se nga 1.8% inflacion i regjistruar në vitin 2018, 1.3 ose 70% e të gjithë rritjes u soll nga grupi “zarzavate, përfshirë patatet”. Malli tjetër që shkaktoi rritje të inflacionit ishte “furnizimi me ujë”.

Në vitin 2017, Enti Rregullator i Ujit, një institucion që mbikëqyr ujësjellësit, dha një seri vendimesh për rritjen e çmimeve të furnizimit me ujë, përfshirë furnizimin me ujë të Tiranës e Durrësit, dy qytetet më të mëdha në vend. Me efekt nga 1 janari i vitit 2018, këto vendime sollën, sipas INSTAT, rritje të kostos së furnizimit me ujë në rang vendi në masën 17.6% dhe kjo solli afro 14% të të gjithë rritjes së çmimeve të vitit të kaluar.

Nuk është tërësisht e qartë se pse grupi “zarzavate, përfshirë patatet” pësoi një rritje çmimesh në masën 23% gjatë vitit të kaluar, por fakti është që tregu i vetëm bujqësor i Tiranës është gjobitur nga Autoriteti i Konkurrencës për abuzim me pozitën dominuese në tregun më të rëndësishëm të vendit. Pavarësisht se nuk është e mundur të lidhet monopoli në tregun me shumicë të prodhimeve bujqësore me rritjen e çmimeve të zarzavateve, ajo që bie në sy është se zarzavatet janë i vetmi grup produktesh ushqimore që kanë pësuar rritje çmimesh. Sipas të dhënave të INSTAT, Buka dhe Drithërat pësuan rënie çmimesh në masën 4.5% ndërsa grupi “Qumësht, Djathë e Vezë” pësoi rritje në masën 3.5%. Llojet e tjera të ushqimeve pësuan ndryshime minimale në ulje ose në rritje. Në të gjithë shportën e konsumit të shqiptarëve, grupi i zarzavateve përbën vetëm 5.5% të shpenzimeve por inflacioni në këtë grup solli 70% të të gjithë rritjes së kostos së jetesës.

Këto dy grupe, zarzavatet dhe furnizimi me ujë, ishin përgjegjës bashkërisht për 84% të të gjithë rritjes së çmimeve.

Në një intervistë për Top Channel, një zyrtar i Ministrisë së Bujqësisë argumentoi se rritja e çmimit të zarzavateve nuk ka ardhur si pasojë e monopolit në tregun bujqësor të Tiranës por si pasojë e rritjes së eksporteve. Kjo nuk ndryshon gjë në pyetjen nëse çmimet u rritën si pasojë e rritjes së mirëqenies apo si pasojë e faktorëve të tjerë. Nëse çmimet u rritën për shkak se prodhimi i zarzavateve përfundoi në eksport dhe jo në tregun vendës, sërish kjo sugjeron jo një rritje të kërkesës, por një rënie të sasisë së zarzavateve në treg.

Inflacion i mirë apo inflacion i keq

Inflacioni është problemi ekonomik që ka shqetësuar botën përgjatë shekullit të fundit dhe matet si rritje e çmimeve në krahasim me vitin e mëparshëm. Kjo rritje e çmimeve shkaktohet normalisht nga rritja e parasë në qarkullim me ritëm më të shpejtë se sa rritja e mallrave dhe shërbimeve në qarkullim. Me pak fjalë, kur qytetarët rrisin të ardhurat e veta, kjo sjell domosdoshmërisht një rritje të çmimeve. Megjithatë, inflacioni deri në një masë të caktuar konsiderohet tregues pozitiv për ekonominë pasi reflekton sasinë më të madhe të parave që kanë në duar konsumatorët. Pritshmëria për rritje graduale të çmimeve dhe rrjedhimisht, të pagave, sjell rritje të gadishmërisë së kompanive dhe individëve për investime dhe të prodhimit.

Problemi është që në vitet 1970, ekonomisti amerikan Milton Friedman zbuloi një lloj inflacioni të keq, të cilin ai e etiketoi si stagflacion. Ishte koha kur bota perëndimore u përball me embargon e vendeve arabe për eksportimin e naftës, gjë që solli rritje të shpejtë të çmimit të naftës dhe rrjedhimisht të inflacionit në vendet perëndimore. Ndryshe nga inflacioni që reflekton rritjen e mirëqenies, ky lloj inflacioni reflekton thjeshtë rritjen e kostos së jetesës. Në fjalët e Friedman, kjo shkaktohet kur paratë detyrohen të përfundojnë në pak mallra me çmime më të larta.

Kjo duket se është edhe çfarë ka ndodhur në Shqipëri gjatë vitit të kaluar. Me shumicën dërrmuese të inflacionit të shkaktuar nga zarzavatet dhe furnizimi me ujë, inflacioni i vitit të kaluar duket se është rrjedhojë e asaj që ekonomistët e quajnë “goditje nga ana e ofertës” dhe nuk reflekton rritjen e fuqisë blerëse të popullsisë. Kjo vërehet gjithashtu edhe te fakti që paga mesatare në ekonomi nuk reflektoi ndonjë rritje domethënëse përgjatë të gjithë vitit të kaluar. Sipas të dhënave të INSTAT, paga mesatare mesatare bruto ishte 50,614 lekë në tremujorin e katërt të vitit 2017 dhe 50,015 lekë në tremujorin e tretë të vitit 2018.

Ekonomistët përdorin edhe një metodë të quajtur “matje kundërfaktuale” për të kuptuar realitetin. Kjo metodë do të thotë që rritja e çmimeve vitin e kaluar të matet duke supozuar se dy “goditjet nga ana e ofertës” te zarzavatet dhe te uji të mos kishte ekzistuar. Në këtë rast, inflacioni i vitit të kaluar do të ishte 0.3% dhe jo 1.8%. Me një inflacion në këto nivele, vendi duhet të konsiderohet në gjendje krize. Por zyrtarisht ekonomia shqiptare është rritur me mbi 4% vitin e kaluar dhe kjo është një kontradiktë tjetër që sugjeron se treguesi i rritjes së PBB-së ka pak lidhje me mirëqenien ekonomike të shqiptarëve.

 

Lexo më shumë:

Tregu bujqësor i Tiranës gjobitet për abuzim me pozitën dominuese

Çmimi i ujit në Tiranë rritet me 44 për qind