Gjyqtarët e Gjykatës së Apelit të Tiranës zotërojnë pallate dhe më shumë se 5 milionë euro pasuri të patundshme, ndërkohë që në 10 vitet fundit asnjë gjyqtar në të gjithë sistemin e drejtësisë nuk është dënuar për fshehje të pasurisë.
Një gjyqtar i Beratit, i cili deklaronte luhatje të vogla pasurie për tetë vite rresht, u kap mat me një apartament të dyshimtë dhe një llogari bankare të padeklaruar. Në prill të vitit 2012, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit e kallëzoi gjyqtarin në Prokurori për deklarim të rremë, por hetimi u pushua tre muaj më pas me argumentin se mospërputhjet kishin ardhur si “pasojë e harresës, moskuptimit apo keqinterpretimit”.
Sipas kallëzimit të ILDK, gjyqtari kishte blerë një apartament në Durrës për 65 mijë euro, por në deklaratën e tij të pasurisë e kishte shënuar në vlerën e 6 milionë lekëve. Gjyqtari u mbrojt para hetuesve me argumentin se mospërputhja e vlerës ishte “një gabim njerëzor”.
Në kallëzim, ai akuzohej gjithashtu se nuk kishte deklaruar një llogari bankare të bashkëshortes, në vlerën e 1.9 milionë lekëve. Gjyqtari u justifikua sërish, me pretendimin se nuk kishte dijeni për këto para të ndara mënjanë nga e shoqja.
Një dokument i Prokurorisë, i siguruar nga BIRN, tregon se gjyqtari i Beratit pretendoi se 1.9 milionë lekët në llogarinë e së shoqes ishin dhuratë nga prindërit e saj. Vjehrri i gjyqtarit, një i moshuar në pension, deklaroi për Prokurorinë se paratë i kishte siguruar nga tregtia e qymyrit të drurit.
“Fitoja deri në 30 mijë lekë në ditë nga tregtia e qymyrit. Paratë e mbledhura ndër vite ia dhashë vajzës sime, se kisha frikë se m’i vidhnin,” deklaroi ai.
Për llogari të këtij hetimi, Prokuroria verifikoi edhe burimin e parave me të cilat gjyqtari kishte blerë apartamentin 120 metra katrorë në Durrës. Gjyqtari deklaroi se kishte marrë disa shuma parash përmes transfertave bankare dhe në rrugë informale nga i biri që punonte prej 10 vitesh si emigrant në Angli.
Policia i konfirmoi Prokurorisë se djali i gjyqtarit nuk kishte hyrë asnjëherë në Shqipëri në vitet 2005-2010. Por e dashura e tij, në llogarinë e së cilës u deklarua se kishin mbërritur 11 mijë paund dhe 15 mijë euro nga Anglia pretendoi se ishte njohur me të në Durrës në vitin 2008, teksa stërviteshin në të njëjtën palestër.
Prokuroria zbuloi se paratë ishin transferuar në vitin 2010, ndërsa llogaria bankare ishte hapur në vitin 2012. Por edhe kjo mospërputhje nuk shërbeu për të regjistruar një procedim penal ndaj gjyqtarit të kallëzuar.
Hetimi ndaj gjyqtarit të Beratit është vetëm njëri prej 10 kallëzimeve që Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive i ka dorëzuar Prokurorisë përgjatë viteve 2004-2014. Rekordi i këtij Inspektoriati përsa i përket gjyqtarëve është mesatarisht një kallëzim për 1 vit pune.
Tetë nga 10 kallëzimet e ILDKP-së u pushuan nga Prokuroria, ende pa e gjetur rrugën drejt Gjykatës. Dy kallëzimet e tjera ndodhen ende në proces hetimi.
Gjyqtarët milionerë të Apelit
Gjyqtari i hetuar nga Berati nuk është i vetmi që ka në dukje mospërputhje në deklaratën e tij të pasurisë.
BIRN ka hulumtuar deklaratat e pasurive të 25 gjyqtarëve të Apelit të Tiranës, e cila konsiderohet gjykata më e lartë e karrierës në vend, përgjatë 10 viteve të deklarimit të tyre. Të dhënat e përftuara tregojnë se 25 gjyqtarët janë përfshirë në miliona euro transaksione financiare në pasuri të patundshme, aksione kompanish apo blerje makinash luksi.
Deklaratat e pasurisë, të analizuara nga BIRN, tregojnë rritje progresive të pasurisë së gjyqtarëve të Apelit nga viti në vit. Megjithatë, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive ka arritur të dokumentojë shkelje dhe të kallëzojë në Prokurori vetëm njërin prej gjyqtarëve të Apelit.
Një zyrtar i ILDKP-së, i cili foli me BIRN në kushtet e anonimatit, tha se në 10 vitet e funksionimit të institucionit nuk ka pasur asnjë hetim të plotë të pasurisë së gjyqtarëve.
Rezultati është i qartë; 10 kallëzimet e ILDKP në 10 vite nuk kanë prodhuar asnjë dënim për fshehje të pasurisë në radhët e gjyqtarëve.
BIRN analizoi 250 deklarata pasurie të 25 gjyqtarëve të trupës së Apelit të Tiranës, nga viti 2004 deri në vitin 2014. Të dhënat tregojnë se gjyqtarët kanë xhiruar rreth 5 milionë euro transaksione financiare në blerje dhe shitje pasurish të patundshme.
Dy prej gjyqtarëve të Apelit kanë deklaruar gjithashtu se zotërojnë nga një pallat secili. Pallatet ndodhen në Tiranë dhe në Vlorë, ndërsa vlera e tyre rezulton e padeklaruar. Gjithashtu, të padeklaruara në vlerë janë edhe 20 apartamente dhe qindra metra katrorë truall që zotërohen nga gjyqtarët e Apelit.
Vetëdeklarimet e pasurisë tregojnë një fenomen të përbashkët për të gjithë gjyqtarët; ata i investojnë paratë e tyre në blerje apartamentesh. Apartamenti më i shtrejtë kushton 200 mijë euro, ndërsa më i liri është 14 mijë euro.
Burimet kryesore për blerje apartamentesh janë kreditë bankare dhe huatë nga të afërmit.
Një gjyqtar deklaronte se për të blerë apartamentin 130 mijë euro ishte ndihmuar nga daja dhe tezja që jetojnë në Kanada.
BIRN zbuloi gjithashtu se në 8 vjet, gjyqtarët e Apelit të Tiranës apo të afërmit e tyre shpenzuan 840 mijë euro për makina. Vetëm katër nga 25 gjyqtarët e Apelit nuk deklarojnë se kanë në pronësi makinë.
Bashkëshortet luajnë rol kyç në pasurimin e një pjese të gjyqtarëve, deklarimet e të cilëve u morën në shqyrtim. Në të paktën 8 deklarime rezulton se pasuritë e bashkëshorteve janë disa herë më të mëdha se ato të gjyqtarëve.
Në tre raste, bashkëshortet e gjyqtarëve zotërojnë aksione kompanish ndërtimi, duke shumëfishuar të ardhurat e familjes. Në deklarata theksohet gjithashtu se bashkëshortet marrin dhurata në toka apo para nga të afërmit e tyre.
Përveç prindërve të tyre, bashkëshortet e gjyqtarëve marrin dhurata të majme edhe nga vjehrrit. Një një rast, babai i një gjyqtari rezulton t’i ketë dhuruar nuses së të birit dy apartamente, të cilat më pas u dhanë me qira në vlera të konsiderueshme.
Gjyqtarët e Apelit të Tiranës deklarojnë më shumë kursime kesh sesa llogari bankare, ndërsa pjesa më e madhe e tyre janë në marrëdhënie kredie me bankat. Megjithatë, investimi në pasuri të patundshme është njëra prej formave ku gjenerohen të ardhurat e tyre, të cilat shtohen nga dhënia me qira e zyrave, apartamenteve apo dyqaneve.
BIRN angazhoi një ekspert kontabilist për llogari të këtij investigimi, për të analizuar trendin e rritjes së pasurisë për 25 gjyqtarët e Apelit të Tiranës. Eksperti Hekuran Vladi konstatoi luhatje të mëdha në pasurinë e gjyqtarëve.
Ai analizoi pasurinë e një gjyqtari të Apelit, i cili rezulton se ka shtuar me 5 herë pasurinë e patundshme përgjatë 10 viteve të deklarimit. Sipas ekspertit kontabilist, të ardhurat bruto të të njëjtit gjyqtar u rritën me 28 herë në 10 vite, edhe pse paga nuk shënoi ndryshime të mëdha.
Sipas ILDKP, deklaratat e pasurisë së gjyqtarëve të Apelit rezultojnë matematikisht të sakta. Por eksperti kontabilist, Hekuran Vladi argumenton se mënyra se si deklarohet pasuria është e gabuar. Ai shpjegon se të dhënat në formular nuk kryqëzohen për të krahasuar të ardhurat me shpenzimet, ndërsa deklarimet e pasurisë nuk bëhen në përputhje me legjislacionin fiskal të Shqipërisë.
“Formularët e deklarimit shërbejnë për të fshehur dhe jo për të zbardhur pasuritë reale,” argumenton ai.
Asnjë ndëshkim për fshehje pasurie
Sistemi gjyqësor në Shqipëri perceptohet si një ndër më të korruptuarit në vend. Sipas raporteve të Transparency International, 80 për qind e shqiptarëve besojnë se gjyqtarët janë zyrtarët më të korruptuar në vend.
Megjithatë, ILDKP dhe më pas Prokuroria kanë dështuar në zbardhjen e burimit të pasurisë së gjyqtarëve. Shkak për këtë bëhen skemat e përdorura për fshehjen e pasurisë përmes emrave të tjerë.
Një zyrtar i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave i tha BIRN në kushtet e anonomatit se familjarët përdoreshin prej gjyqtarëve në skema të dyshuara si pastrim parash të padeklaruara.
“Kemi evidentuar raste kur familjarë të afërt të gjyqtarëve janë përfshirë në skema të pastrimit të parave kryesisht nëpërmjet kompanive të ndërtimit. Në pjesën më të madhe të rasteve, familjarët e gjyqtarëve zotërojnë kuota minimale, 10 apo 15 përqind në këto kompani”, tha ai.
Eksperti Vladi ngulmon se problemi i fshehjes së pasurisë lidhet edhe me metodën e deklarimit të saj.
“Ky formular deklarimi nuk merr parasysh kurthin, që normalisht duhet të ngrejë për deklaruesit jo të sinqertë,” thotë ai për BIRN.
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive është krijuar në vitin 2003 dhe nga koha e krijimit ka mundur të dërgojë për ndjekje penale 10 gjyqtarë, të dyshuar për fshehje pasurie apo falsifikim dokumentesh me qëllim fshehjen e pasurisë reale.
Katër nga këto kallëzime i përkasin periudhës 2006-2012, ndërsa 6 raste u denoncuan në prokurori përgjatë vitit të shkuar. Në të paktën tetë raste, prokuroria ka vendosur pushimin apo mosfillimin e procedimit penal, pasi nuk ka gjetur elemente të veprës penale.
Në këtë pikë, institucionet akuzojnë njëra-tjetrën për mosndëshkimin e gjyqtarëve me pasuri të pajustifikuar. Prokuroria konteston mënyrën se si ILDKP e realizon hetimin administrativ, çka sipas tyre cenon hetimin e mëtejshëm të rastit.
“Në rastet e kallëzimeve të tilla, ne kryejmë verifikime që duhej të ishin bërë më parë nga ILDKP. Në përfundim të këtyre verifikimeve na ka rezultuar që nuk ka fshehje apo mosdeklarim,” tha një prokuror, duke folur në kushtet e anonimatit.
Prokurori i intervistuar nga BIRN thotë se kallëzimet e ILDKP mbërrijnë pa një akt të kryer nga eksperti kontabël.
“Inspektorët thjesht kryejnë verifikime mbi bazën e parimit aritmetik logjik, e për pasojë nuk kryejnë atë që është më i rëndësishëm në procesin e hetimit, akt-ekspertimin nga një ekspert kontabël i licencuar,” thotë prokurori për BIRN.
Por eksperti kontabilist, Hekuran Vladi vëren se hetimi administrativ brenda ILDKP vështirësohet nga metodologjia e përdorur. “Teknologjia e përdorur për plotësimin e formularit ka vlerë thjesht protokollare dhe jo analizuese,” kundërshton ai.
BIRN kontaktoi disa herë kreun e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Shkëlqim Ganaj lidhur me çështjet e referuara në prokurori, por ai refuzoi të intervistohet.
Gjatë vitit të fundit, ILDKP dorëzoi në prokurori 6 kallëzime penale ndaj gjyqtarëve, duke argumentuar se të kallëzuarit nuk kishin burim të ligjshëm për pasuri që arrinin qindra mijëra euro. Madje në rastin e gjyqtarit të Apelit, Gjin Gjoni, ILDKP pretendoi se ai nuk justifikonte 2 milionë euro pasuri. Katër çështje u pushuan nga Prokuroria, përfshi edhe rastin e zotit Gjoni.
Pasuritë e gjyqtarëve janë bërë objekt debatesh edhe në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ku janë shqyrtuar procedimet disiplinore kundër tyre. Në njërën prej këtyre mbledhjeve, anëtari i KLD, Sokol Çomo ngrinte pikëpyetje për një gjyqtar që kishte shpenzuar 42 mijë euro për ushqime dhe veshje në 1 vit.
“Mbaj 15 vetë me bukë se i kam të gjithë pa punë,” ishte përgjigja e gjyqtarit për KLD-në.
Megjithatë, në KLD nuk kanë munguar edhe rastet kur gjyqtarët pranojnë se marrin mijëra euro dhuratë. Një gjyqtar i kallëzuar në prokurori pranoi para KLD-së se kishte marrë 30-40 mijë euro dhuratë nga pronari i një universiteti privat, të cilin e kishte mik.
“U ka dhënë edhe ministrave e zv.ministrave. U ka blerë edhe shtëpi. Ç’ne dyshohem vetëm unë,” pyeste me habi ai.
Ky artikull u prodhua si pjesë e iniciativës “Fuqizimi i Bashkëpunimit mes Shoqërisë Civile dhe Gazetarëve Investigativë,” me mbështetjen e National Endowment for Democracy.
Vetem me bizhuteri sa pasuri mund te kene ata. Eshte me e lehte te fshehesh diamantet e florinjte.