Librarët dhe librashitësit flasin për raportin me librin në qytetin bregdetar të Durrësit gjatë pandemisë.
Pushuesit që bëjnë banjo dielli dhe uji në plazhin pranë Sfinksit në Durrës e thërrasin Qaniun, “burri që lexon”.
Pensionist prej disa vitesh, Qani Buthi qëndron i palëvizur në hijen e çadrës dhe nuk e heq librin nga dora asnjë çast.
“Nuk bëj dot pa librin” – thotë ai për BIRN, duke shtuar se “kjo është mënyra më e mirë me të cilën e kaloj kohën.”
“Edhe pandeminë e kalova në shtëpi, duke ndërruar librat njeri pas tjetrit,” theksoi ai.
Mësues për vite me radhë në fshatrat e Kavajës, Qaniu nuk mërzitet se çfarë thonë të tjerët, pasi e di që kohët e fundit durrsakët lexojnë gjithnjë e më pak.
Megjithëse me mundësi të kufizuara financiare, i moshuari ka krijuar një bibliotekë të mirë personale dhe nuk preferon të shkojë në bibliotekën e qytetit.
Librat e kësaj të fundit në Durrës vazhdojnë të strehohen në godinën shekullore, ku institucioni i leximit u themelua më 10 shtator të vitit 1945.
Ndonëse prej asaj kohe popullsia e qytetit është rritur mbi 20 herë, Biblioteka vazhdon të vuajë mungesën e mjediseve, si dhe amortizimin e lagështirën që dëmton fonde të rëndësishme librash, veçanërisht të albanologjisë.
“Pandemia i prishi ekuilibrat e numrit të lexuesve në bibliotekën publike,” thotë punonjësi Argent Çizmja.
Të rriturit kërkuan ta kalonin periudhën e izolimit në banesë, duke marrë edhe 3 apo 4 libra njëherësh, ndërsa me të rinjtë ndodhi e kundërta.
Sipas punonjësit të bibliotekës, moshat e reja iu larguan librave edhe për shkak të ndërprerjes së mësimit në shkolla apo leksioneve në Universitete. Megjithatë, Argenti vlerëson kujdesin që patën mjaft prindër për të tërhequr tekste leximi për fëmijë për të vegjëlit.
Leximi u tkurr edhe më shumë, kur bashkia e Durrësit autorizoi vetëm 2-3 kioska – përfshirë edhe vijën bregdetare, në të cilat lejoheshin të tregtonin gazetat ditore.
Vështirësive në leximin e librave gjatë kohës së kufizimeve nga COVID-19 iu shtua edhe ai i mungesës së gazetave të përditshme.
Ndryshimet që shkaktoi pandemia në raportin e moshave të ndryshme me librin i përforcojnë edhe librashitësit.
Sipas Jona Jonuzajt, numri i frekuentuesve të rinj në librarinë ku ajo punon ra ndjeshëm menjëherë pas problematikave të shkaktuara nga pandemia.
“Vizitat e kategorisë së moshës 18-30 vjeç pësuan një rënie të dukshme në librarinë tonë, më e madhja e këtij lloji në Durrës.
Jona Jonuzaj thotë se të rinjtë që lexojnë libra duken mjaft të pasigurtë në kërkesat e tyre, ngaqë më parë kërkonin kryesisht libra shkollorë.
“Marrëdhënia e tyre me letërsinë e autorëve vendas apo të huaj ekziston vetëm përmes shablloneve të mësuara në Universitet,” shprehet punonjësja e librarisë.
Njëlloj si në Bibliotekën publike, periudha e pandemisë ka ndikuar pozitivisht në shitjet për moshat e rritura.
“Kemi një dyfishim të librave që blejnë të rriturit,” tha Jona Jonuzaj për BIRN, pa mohuar se megjithë kujdesin e prindërve, librat për fëmijë nuk kanë ngjallur interesin e pritshëm.
Sidoqoftë, Durrësi mbetet qyteti me numrin më të vogël të librarive, gjithsej pesë, disa prej prej të cilave mjaft modeste për një popullsi urbane mbi 220 mijë banorë, pa folur për rreth 100 mijë të tjerë në fshatrat që bëjnë pjesë në territorin e bashkisë.
Panairi veror i librit, që zhvillohet në shëtitoren bregdetare që prej vitit 2016 nuk ka mundur ta rizgjojë traditën e hershme të qytetit 3,000-vjeçar.
Autorët antikë kanë dokumentuar se Dyrrahu ka patur një bibliotekë, thuajse në të njejtën kohë me periudhën kur u ndërtua amfiteatri i qytetit.
19 shekuj më vonë, Durrësi nuk ka ngritur ende një bibliotekë dinjitoze, të mjaftueshme për nevojat që kanë qytetarët e të gjitha moshave.
Pa harruar se në shoqërinë e konsumit, biblioteka ka mbetur i vetmi institucion i kulturës, që i ofron librat për lexim pa pagesë dhe i vë në dispozicion të të gjithëve.
Në plazhin e durrsakëve, Qaniu më tregon për kënaqësinë që i jep rileximi i një libri pas shumë viteve.
“Para disa ditëve iu riktheva romanit “Martin Iden” për të tretën herë,” thotë lexuesi i thekur i librave.
“Përtej idealizmave, ky libër mbetet një shembull shumë i mirë i mundit dhe i sakrificave për të gjetur vendin tënd në jetë,” shton Qani Buthi, sipas të cilit leksionet e jetës që marrim përmes librave janë një mënyrë shumë e mirë për të formuar të rinjtë e sotëm.