Blog5 Jan 2017

Si munden artistët të sjellin ndryshim të thellë social?

Si mundet arti të sjellë ndryshim të thellë dramatik në shoqëri? Arti i mirë mund të edukojë dhe të krijojë empati dhe empatia çon në ndryshim. 

Autor: Sharmeen Obaid Chinoy Weforum.org
Printo

Fëmijë palestinezë po ecin pranë një muraleje ku paraqiten fëmijë duke përdorur një kullë vrojtimi të ushtrisë së Izraelit si një karusel. Grafiti besohet se është pikturuar nga artisti britanik i rrugës Bansky në rrugën kryesore në Beit Lahija në veri të Rripit të Gazës. Një film i shkurtër i publikuar në faqen e tij të internetit, artisti duket se ka hyrë në Gaza përmes një tuneli nëntokësor nga Egjipti. (AP Photo/Adel Hana)

Fëmijë palestinezë po ecin pranë një muraleje ku paraqiten fëmijë duke përdorur një kullë vrojtimi të ushtrisë së Izraelit si një karusel. Grafiti besohet se është pikturuar nga artisti britanik i rrugës Bansky në rrugën kryesore në Beit Lahija në veri të Rripit të Gazës. Një film i shkurtër i publikuar në faqen e tij të internetit, artisti duket se ka hyrë në Gaza përmes një tuneli nëntokësor nga Egjipti. (AP Photo/Adel Hana)

Në vitin 2014, një adoleshente pakistaneze e quajtur Saba Qaiser u qëllua nga i ati dhe xhaxhai dhe më pas u hodh në lumë. Ky ishte ndëshkimi i saj për largimin me djalin që dashuronte. Saba mbijetoi dhe u bë protagoniste në dokumentarin tim rreth të ashtuquajturave vrasje për nder, Një Vajzë në Lumë: Çmimi i Faljes.

Pasi pa filmin tim, i cili fitoi një Oskar, kryeministri i Pakistanit Nawaz Sharif premtoi të kishte një qasje të re, më të ashpër ndaj vrasjeve për nder. Ai e përmbushi premtimin e tij: dy muaj më parë, parlamenti kaloi një ligj të ri që do ta bëjë shumë më të vështirë për agresorët të largohen pa mbajtur përgjegjësi.

Si mundet arti të sjellë ndryshim të tillë dramatik në shoqëri? Në këtë rast, ishte përmes fuqisë së rrëfimit. Shumë ligjvënës pakistanezë nuk ishin përballur kurrë me një të mbijetuar të vrasjeve për nder përpara se të dëgjonin Saban të fliste për historinë e saj. Arti i mirë mund të edukojë dhe të krijojë empati dhe empatia çon në ndryshim. Liderët globalë në biznes dhe politikë janë gjithnjë e më të vetëdijshëm për këtë dhe po investojnë në artin si një mënyrë për t’u lidhur me komunitetet, për të përmirësuar jetën dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik.

Një sondazh biznesi në Kanada i kryer në 2008 zbuloi se 86 për qind e atyre që morën pjesë besonin se arti i bënte komunitetet më të integruara dhe më të shëndetshme, ndërsa 88 për qind e tyre mendonin se kishte një ndikim pozitiv në shëndet dhe mirëqenie. Në terma ekonomikë, arti e shlyen koston e vetes. Sipas një raporti të 2015 për Këshillin e Arteve në Angli, çdo paund i dhënë në artet publike sillte përfitim 5 paundë në taksa. Megjithatë, më shumë duhet bërë për të përdorur potencialin e artit si një motor për progres.

Aty ku arti lulëzon, liria e fjalës lulëzon po ashtu. Arti mund të fuqizojë direkt anëtarët më të pambrojtur të shoqërisë. Në një tjetër dokumentar fitues të çmimit Oskar, Fytyra e Shpëtimit, unë hedh dritë mbi viktimat e sulmeve me acid në provincën Punjab të Pakistanit. Filmi tërhoqi vëmendje ndërkombëtare dhe inkurajoi qeverinë vendore të Punjabit të bëjë më shumë për të mbështetur viktimat. Rastet e tyre tani gjykohen nga gjykatat speciale të anti-terrorizmit. Më parë, duhej vite që agresorët të ndëshkoheshin, tani duhen muaj.

Sigurisht, historitë e padrejtësisë, protestës dhe qëndrimit priten të zbulohen në të gjithë botë, jo vetëm në Pakistan. Filmi im i ardhshëm do të jetë rreth vështirësive të atletëve të ri të pambrojtur në skenën në dukje të privilegjuar të sporteve në kolegjet amerikane. Në Kinë, artisti Ai Weiwei ka nënvijëzuar disa probleme shoqërore me instalacionet dhe skulpturat e tij. Ai e ka përdorur punën e tij për të kritikuar përgjigjen zyrtare ndaj tërmetit të vitit 2008, Sichuan, për të kapur ritmin e shpejtë të ndryshimit kulturor në Kinë dhe për të dokumentuar persekutimin dhe burgosjen e tij.

Beteja të tilla sociale nuk janë të ndara nga progresi ekonomik, por shkojnë dorë për dore me të. Kreativiteti dhe liria individuale mund të sjellin mundësi të reja. Në vitin 2014, bëra regjinë e filmit të parë vizatimor pakistanez, Tre Guximtarët, rreth dy djemve dhe një vajze që po përpiqeshin të shpëtonin komunitetin e tyre nga një i keq.

Pakistani ka një popullatë shumë të re, por për shkak se thuajse të gjithë filmat tanë vizatimorë janë të importuar, fëmijët rrallë shohin në ekran modele vendase për t’u ndjekur. Synimi im ishte të ofroja frymëzim ndërsa ofroja perspektivë të re për pakistanezët e rinj të interesuar në punën në media. Filmat vendas mund të ndryshojnë mendje dhe të krijojnë vende pune. Tashmë një brez i ri artistësh pakistanezë po krijojnë filmat e tyre të animuar, gjë që do të tërheqë më tepër investim në sektorin në zhvillim të medias në vend.

Që një ndryshim i tillë të ndodhë në botë, liderët në art, politikë dhe biznes duhet të punojnë së bashku. Shumë biznese po lidhen tashmë me artin publik, duke financuar çmime letrare apo duke sponsorizuar festivale filmi. Megjithatë, këto përpjekje shpesh përqendrohen në institucione të mirënjohura në qytete të mëdha. Ndërsa këto janë të rëndësishme, organizata të tjera në zona rurale mund të përfitojnë gjithashtu prej financimit kulturor.

Në Angli, kontributi i artit dhe kulturës në ekonomi është rritur shpejt në rajonet që kanë hasur vështirësi në rikuperimin nga recesioni, sipas raportit të Këshillit të Arteve. Këtu në Karaçi, ku unë jetoj, kam parë sesi programet e të rinjve mund të pakësojnë gramatikisht dhunën duke ndihmuar anëtarët e bandave të shpëtojnë prej ciklit të krimit. Komunitete të shëndetshme mbështesin biznese të shëndetshme, që kthehet në zhvillim ekonomik.

Lidhja midis suksesit artistik, social dhe ekonomik po fiton njohje gjithnjë e më të madhe. Si e parja artiste që do të bashkëdrejtojë Takimin Vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, synimi im është ta forcoj këtë lidhje më tej. Dua të tregoj te liderët e biznesit se ata mund dhe duhet të bashkohen në bashkëbisedimin e artit dhe ndryshimit social.

Filmat e mi janë shembuj se si një histori, e thënë mirë, mund të nxisë ligjbërësit e një vendi të thyejnë traditën e pandëshkueshmërisë dhe apatisë ligjore. Filmi, arti, letërsia, muzika dhe performanca ndihmojnë njerëzit të shprehin veten dhe të jenë vetvetja. Si artistë, politikanë dhe liderë biznesi, është përgjegjësia jonë të ndihmojmë artin të lulëzojë – për një botë më të drejtë, më të mirë dhe më artistike.