Analize8 Feb 2019

Si munden liderët e BE-së të parandalojnë një Brexit pa marrëveshje

Strategjia e kryeministres britanike Theresa May e kërcënimit të një Brexit pa marrëveshje kërkon një afat përfundimtar që i detyron kundërshtarët e saj të kapitullojnë. Pa këtë, strategjia “përdor të gjithë kohën në dispozicion” shndërrohet në një përpjekje të paefektshme për të shmangur përgjegjësinë, duke reflektuar kombinimin e tipareve paradoksale të kryeministres May.

Autor: Anatole Kaletsky Project Syndicate Londër
Printo

Brexit. Foto ilustruese Pixabay.

A ka mundur kryeministra britanike Theresa May t’i shmangë të gjithë kundërshtarët e saj? Duke mposhtur përpjekjet e Parlamentit për të përjashtuar një shkëputje të çrregullt ” pa marrëveshje” midis Bashkimit Europian dhe partnerit të tij të dytë më të madh tregtar, May ka dyfishuar presionin mbi liderët e BE-së për të pranuar kërkesat e saj deri në afatin përfundimtar të Brexit që është data 29 mars.

Vendosja e një arme në kokë rrallë është një strategji negociuese e suksesshme, siç zbuloi edhe Greqia kur kërcënoi të linte euron. Por një kolaps i tregtisë me Britaninë është një perspektivë shumë më alarmante. Për më tepër, koncesionet kryesore që May po kërkon janë periferike për çdo vend europian përveç Irlandës. Prandaj duket e arsyeshme të pritet që liderët e BE-së të pulitin sytë ndërsa afati përfundimtar i Brexit të afrohet dhe t’i japin kryeministres May atë që ajo dëshiron: përjashtimin nga çdo garanci për të mbajtur hapur kufirin irlandez dhe ndoshta edhe një premtim për tregti pa pengesa me BE-në.

May duket gjithashtu se i ka mundure dhe kundërshtarët e saj të brendshëm. Duke bindur dhjetëra deputetë laburistë që të mos e kundërshtojnë atë në votat vendimtare të Brexit, May arriti ta diskreditojë Partinë Laburiste në sytë e një brezi të tërë votuesish të rinj pro-europianë. Dhe duke bindur mbështetësit konservatorë të Brexit se ajo do të fshinte si me magji tiparet më të kundërshtueshme të marrëveshjes së largimit nga BE-ja, May i ka siguruar vetes mundësinë e qëndrimit në pushtet deri në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme dhe ndoshta edhe më tej.

Por kjo pikëpamje e volitshme për May mbështetet në një supozim të rëndësishëm: se afati i 29 marsit i Brexit do të mbetet i pandryshuar. Liderët europianë lehtësisht mund ta neutralizojnë kërcënimin e Theresa May për një Brexit pa marrëveshje dhe për këtë arsye të eliminojnë çdo nevojë për të ofruar lëshimet që ajo kërkon. Për ta bërë këtë, ata duhet të kuptojnë metodën që qëndron pas strategjisë së çmendur të May për pavendosmëri dhe vonesë.

Gjatë gjithë karrierës së saj politike, May ka përdorur zvarritjen si një strategji fituese. Si sekretare e brendshme, ajo shpesh fitoi beteja kundër ministrave të tjerë thjesht duke refuzuar të shprehë pikëpamjet e saj apo edhe të paraqitej në mbledhje në minutën e fundit përpara se të duhej të merrej një vendim përfundimtar.

Strategjia e Theresa May për “të shpërdoruar kohën kot” shpesh fiton, por vetëm nëse ka një afat të vështirë që i detyron kundërshtarët e saj të kapitullojnë. Pa këtë, “shpërdorimi i kohës” bëhet një “shtyrje për marrjen e një vendimi”, një përpjekje e paefektshme për të shmangur përgjegjësinë, duke reflektuar tiparet paradoksale të kryeministres May.

Pasi strategjia negociuese e kryeministres May të kuptohet siç duhet, përgjigja racionale e BE-së bëhet e qartë: papërkulshmëri totale në thelbin e marrëveshjes së Brexit, por heqje e afatit përfundimtar të  Brexit. Liderët europianë nuk duhet të bëjnë asnjë lëshim në marrëveshjen e largimit, nuk duhet të lejojnë asnjë hije dyshimi mbi angazhimin ndaj Irlandës dhe nuk duhet të ofrojnë asnjë të dhënë në lidhje me marrëveshjet e ardhshme tregtare. Por ata duhet të deklarojnë gjithashtu publikisht se nuk e konsiderojnë më 29 marsin një afat përfundimtar të fortë dhe se do të ishin të lumtur ta shtynin periudhën e bisedimeve të Brexit për aq kohë sa është e nevojshme jo vetëm për të rënë dakord për një marrëdhënie të re Mbretëri e Bashkuar-BE, por gjithashtu për të treguar se ajo që do të dakordohet është e kënaqshme për të dyja palët.

Për të hequr afatin e fundit të 29 marsit, një datë arbitrare që u vendos për të dominuar negociatat e Brexit vetëm për shkak të një detaji në Traktatin e BE-së, thjesht do të pranonte atë që po ndodh pas skene. Zyrtarët europianë dhe britanikë po planifikojnë tashmë një shtyrje, por të dyja palët hezitojnë ta pranojnë këtë publikisht se ata mendojnë se afati përfundimtar u jep atyre mundësinë për negociata. Ndryshe nga pritshmëritë e mëparshme, megjithatë, tani duhet të jetë e qartë se afati në të vërtetë ka dobësuar pozitën negociuese të BE-së. Është vetëm afati i 29 marsit që e ka lejuar Theresa May-n të përdorë kërcënimin e një Brexit pa marrëveshje. Pa të, May nuk do të ishte në gjendje t’i kërcënonte liderët e BE-së me kaos ekonomik dhe nuk do të kishte asnjë shans të detyronte përmes parlamentit një plan largimi që nuk do të gëzonte kurrë mbështetje popullore në Britani dhe do të mund të helmonte marrëdhëniet Mbretëri e Bashkuar-BE për vitet që do të vijnë.

Tani mendoni se çfarë do të ndodhte nëse liderët e BE-së do të votonin pezullimin e afatit dhe do të ofroheshin të vazhdonin negociatat e Brexit për aq kohë sa është e nevojshme për të arritur një marrëveshje që është e pëlqyeshme për të dyja palët.

Në teori, May mund të refuzojë të pranojë një shtyrje dhe ende këmbëngul se Britania do të dalë nga BE-ja më 29 mars, nëse BE-ja refuzon kërkesat e saj për rinegocim ose nëse Parlamenti nuk e mbështet marrëveshjen e saj. Por në atë rast, faji për kaosin e një dalje pa marrëveshje do të binte totalisht mbi kryeministren May dhe Partinë e saj Konservatore. Nën këto rrethana, edhe deputetët laburistë më anti-europianë nuk do të donin të votonin pro një afati tërësisht arbitrar të imponuar për Britaninë nga May thjesht për arsye partiake.

Si rezultat, një shumicë e qartë deputetësh me siguri do ta miratonin në parlament legjislacionin që për pak dështoi muajin e kaluar. Kjo do të hiqte nga ligji i Mbretërisë së Bashkuar afatin e 29 marsit për Brexitin dhe do të eliminonte mundësinë për largimin nga BE-ja pa një marrëveshje.

Por imagjinoni sikur Parlamenti ta hedhë poshtë ofertën e BE-së për një zgjatje të afatit, ndoshta për të sinjalizuar mbështetjen për kërcënimin e May për një dalje pa marrëveshje. Edhe atëherë, BE-ja nuk do të humbiste gjë duke braktisur në mënyrë të njëanshme afatin e fundit të 29 marsit. Ata liderë të BE-së që planifikojnë të kapitullojnë para kërkesave të Theresa May në momentin e fundit për të shmangur një Brexit pa marrëveshje mund ta bëjnë gjithsesi prapë këtë më 28 mars.

Shkurtimisht, një nismë e BE-së për të hequr hequr afatin arbitrar mund të jetë çelësi që zhbllokon Brexitin. Në vend që ta lejojë veten të bëhet rob i kërcënimeve të Theresa May, BE-ja mund t’i ofrojë Britanisë kohën për të kërkuar një konsensus kombëtar dhe më pas të vendosë me qetësi për marrëdhëniet e saj të ardhshme me Europën, qoftë një bashkim doganor, një marrëveshje tregu të përbashkët e stilit të Norvegjisë, ose një anulim të Brexit. Në çdo negociatë peng të suksesshme, hapi i parë i rëndësishëm për një zgjidhje është heqja e afatit përfundimtar. Liderët europianë duhet ta ndërmarrin tani këtë hap.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. How Can EU Leaders Prevent a No Deal Brexit