Blog11 Oct 2021

Si nuk menaxhohet një krizë energjetike

Qytetarët shqiptarë me sjelljen e tyre konsumatorë mund të ndihmojnë vetveten si taksapagues të kursejnë miliona euro gjatë këtyre ditëve. Por në vend të kësaj, qeveria i ka rënë shkurt duke rritur borxhin publik.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Matës i energjisë elektrik. Foto ilustruese: Lindita Çela/BIRN

Shqipëria pritet të importojë 44 mijë MWh energji elektrike për pesë ditë në peridhën 13-17 tetor me një çmim prej 300 eurosh për MWh. Për secilën prej këtyre ditëve, Shqipëria do të importojë 8800 MWh me një kosto totale prej 2.64 milionë eurosh. Shqipëria konsumon çdo ditë rreth 24 mijë MWh ndërsa të 8800 MWh-të e importuara përbëjnë pak më shumë se një të tretën e energjisë së konsumuar. Problemi, siç mund ta vëreni, është se qytetarët paguajnë aktualisht afro 9 cent të euros për kWh të konsumuar ndërsa çmimi i importit është 30 cent për kWh. Diferenca prej 20 centësh për çdo kWh do të duhet të mbulohet nga konsumatori jo përmes faturës së energjisë elektrike, por përmes tatimeve dhe taksave.

Kryeministri Edi Rama shpalli javën e kaluar planin e tij për zgjidhjen e krizës. Një plan i ndërmarrë pa ndonjë rafinim të menduari. Ai përmban vetëm një pikë: Buxheti i shtetit, pra tatimpaguesit, do t’i japin 200 milionë euro kredi kompanive të sektorit të energjisë elektrike për të importuar drita për gjashtë muajt e ardhshëm.

Ka edhe diçka tjetër që qytetarët mund të bëjnë për t’i kursyer vetes së vet miliona euro: të kursejnë. Nëse të gjitha familjet kursejnë 10% të energjisë që konsumojnë zakonisht, kjo sjell një kursim në masën 20% të faturës ditore të importit. Me pak fjalë, një sforco jo shumë e madhe nga konsumatori mund ta ulë faturën e përgjithshme të krizës me dhjetëramilionë euro. Një fushatë informimi publik për t’i bindur qytetarët të mos shpërdorojnë paratë e tyre, qoftë duke vendosur në punë lavatriçen me program të shkurtër apo duke ndezur kondicionerin sa më pak, mund të ndihmojë. Por duke qenë se një konsumator i madh i energjisë elektrike është vetë sektori publik, pra institucionet shtetërore me sistemet e tyre të kondicionimit, një kursim mund të nisë nga këta të fundit.

Ka edhe një mënyrë të dytë për menaxhimin e kësaj krize: rritjen e përkohshme të çmimeve për energjinë e tepërt. Fjala vjen, nëse konsumi mesatar i familjes shqiptare është 450 kWh, mundet që për gjashtë muajt e ardhshëm, pjesa e sipërme e këtij konsumi të faturohet me çmim më të lartë për të diskurajuar konsumin e lartë.

Këto të dyja si masa nuk e zhbëjnë faktin që i gjithë sektori i energjisë elektrike menaxhohet politikisht me keqpërdorime të dukshme, me punësim militantësh partiakë e të tjera, por këto taksirate të konsumatorit nuk e zhbëjnë faktin tjetër, që çmimet e energjisë elektrike për atë pjesë që importohet janë të larta dhe se pak kursim nuk do t’i bënte keq askujt.

Kostot e importimit të energjisë elektrike edhe me këtë çmim që janë sot, nuk janë të papërballueshme për Shqipërinë por shqiptarët bëjnë mirë gjithsesi ta dinë se sa është kjo kosto dhe çfarë mund të bëhet për ta ulur atë. Menaxhimi i kësaj situate thjeshtë me garanci borxhi është zgjidhja më e lehtë dhe më e kushtueshme e problemit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *