Analize27 Dec 2020

Si ta kthejmë shekullin e 21 në shina

Ndjenja e optimizmit me të cilën Perëndimi trokiste në shekullin e ri 20 vjet më parë është zëvendësuar prej kohësh nga tronditja e sulmeve terroriste, përplasjeve financiare, pandemive dhe krizave të tjera. Por nëse e zgjerojmë perspektivën tonë, do të shohim se asnjë nga sfidat me të cilat përballemi nuk është e pakapërcyeshme.

Autor: Javier Solana Project Syndicate Madrid
Printo

Ilustrim nga Paul Lachine

Shumica e lexuesve mund ta kujtojnë entuziazmin e gjithëpërhapur me të cilin e përshëndetëm ardhjen e shekullit njëzet e një. Ishte një kohë shpresash të mëdha, guximi dhe editorialesh madhështore nga ana e Perëndimit. Megjithatë, sa hap e mbyll sytë (duke folur historikisht), fryma e kohës ndryshoi rrënjësisht – madje edhe para se të goditiste pandemia e COVID-19. Për pjesën më të madhe të botës, ky shekull ka qenë një periudhë frustrimi dhe zhgënjimi. Tani shumë e shikojnë të ardhmen jo me besim, por me frikë.

Dy dekada më parë, përgjigjja e gatshme për çdo politikë dhe pyetje strategjike ishte më shumë globalizim. Por ndërsa ky ishte një qëllim i ligjshëm dhe i lavdërueshëm, ne nuk arritëm të ndërtonim mekanizma të nevojshme mbrojtëse. Fatkeqësi të tilla si recesioni i madh pas vitit 2008 dhe pandemia aktuale kanë treguar se ndërvarësia e zgjeruar nënkupton rrezik më të madh të infektimit, qoftë financiar apo viral. Për më tepër, specializimi dhe hiper-efikasiteti mund të jenë burime dobësie, siç janë provuar dobësitë gjatë këtij viti në zinxhirin e furnizimit të mallrave. Dhe, natyrisht, pasojat politike të transferimit jashtë vedit të prodhimit (offshoring) fatkeqësisht u nënvlerësuan.

Në vitin 2000, kur fushata e parë presidenciale e Donald Trump (me Partinë e Reformave) u ndez, pak do të kishin menduar se ai do të rishfaqej në 2016-tën për të marrë frenat e Partisë Republikane, ta kthente atë kundër tregtisë së lirë dhe përfundimisht të fitonte presidencën. Papritmas, ky paralajmërim kryesisht pak i citurar nga libri Pasuria e Kombeve e Adam Smithit tingëlloi më goditur: “Secili komb shikon me një sy të idhnak prosperitetin e të gjithë kombeve me të cilat tregton dhe e konsideron fitimin e tyre si humbjen e vet ”

Në fund të shekullit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk dukeshin si një vend i prirur t’i nënshtrohej zilisë dhe pasigurisë. Sulmet terroriste të 11 shtatorit, të cilat theksuan potencialin shkatërrues të aktorëve jo-shtetërorë dhe i dhanë fund epokës së artë të hegjemonisë amerikane, ishin akoma disa muaj larg. Pa dijeni për konvulsionet gjeopolitike që do të vijnë, presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së George W. Bush i jepte lavdërime homologut të tij rus, Vladimir Putin. Në atë kohë, Rusia ishte një anëtare e përkushtuar e G8, Koreja e Veriut ende aderonte zyrtarisht në Traktatin e Mospërhapjes Bërthamore dhe aktivitetet bërthamore klandestine të Iranit nuk kishin shfaqur ende. Kina, ekonomia e së cilës ishte vite dritë prapa asaj të SHBA, nuk u bashkua me Organizatën Botërore të Tregtisë deri në fund të vitit 2001.

Që atëherë, bota ka pësuar rikonfigurime të thella, të cilat kanë lënë gjurmë fizike. Në vitin 2001, SHBA prodhonte 23% të emisioneve globale të dioksidit të karbonit, ndërsa Kina ishte përgjegjëse për 13%. Por dy emetuesit më të mëdhenj ndërruan vendet në vitin 2006. Sipas të dhënave më të fundit, SHBA. prodhon 15% të emisioneve totale dhe Kina prodhon 28% (megjithëse emetimet e Kinës për frymë mbeten shumë më poshtë se ato të SHBA).

Ndërsa emetimet vjetore të CO2 të njerëzimit kanë vazhduar të rriten ( pa konsideruar rënien e shkaktuar nga kriza e COVID-19), zona e mbuluar nga akulli e Arktikut në verë është përgjysmuar që nga viti 2001. Ndryshimi i klimës është tani një realitet i prekshëm, dhe brezi i parë aktiv politik i lindur në shekullin e njëzet e një po kërkon zgjidhje urgjente.

Gjatë 20 viteve të fundit, ka pasur gjithashtu një revolucion të paparë në mënyrën se si ne lidhemi me të tjerët. Interneti është bërë i kudondodhur dhe rrjetet sociale janë bërë agora e kohës sonë. Pavarësisht se nuk dha frytet e pritshme, Pranvera Arabe e fillimit të viteve 2010 zbuloi potencialin demokratizues të këtyre teknologjive të reja.

Por ne tani e dimë që instrumentet dixhitalë mund të kenë dhe efekte të dëmshme. Algoritmet maksimizuese të fitimit kanë ndihmuar në krijimin e fluskave të komuninikimit (echo chambers) , duke e varfëruar rëndë debatin publik. Hapsira dixhitale është bërë tokë pjellore për lojtarët subversivë të specializuar në “luftën hibride”, përfshirë sulmet kibernetike dhe fushatat e dizinformimit në shkallë të gjerë.

Evropa ka vuajtur nga ana e errët e dixhitalizimit gjithashtu. Populizmi nativist ka dalë në pah vitet e fundit dhe polarizimi ka helmuar shoqëritë tona. Optimizmi i fillimit të shekullit – reflektuar në futjen fizike të euros në vitin 2002 dhe zgjerimin e Bashkimit Evropian me dhjetë vende në 2004 – i la vendin një gjendje të jashtëzakonshme krize gati të përhershme, nga krizat e euros dhe refugjatëve në Brexit – i cili shënon herën e parë që një shtet anëtar largohet nga BE. Ndasitë janë bërë më të mprehta pikërisht kur duhet të qëndrojmë më pranë, duke pasur parasysh ribalancimin e vazhdueshëm të fuqisë ekonomike dhe gjeopolitike nga Atlantiku në Paqësor.

Por nuk duhet të lejojmë që shqetësimi që është përhapur nëpër shumë vende të errësojë piketat e arritura kolektivisht. Midis viteve 2001 dhe 2019, jetëgjatësia mesatare u rrit nga 67 në 73 vjeç në mbarë botën dhe nga 53 në 63 në Afrikë. Ndërkohë, prania e grave në pozicionet e pushtetit është rritur në mënyrë të konsiderueshme, dhe në vitin 2019 kemi arritur një numër (ende i  pamjaftueshëm) të lartë përfaqësimi të 19 grave kryetare të qeverive në të gjithë botën.

Për më tepër, pasi Presidenti i zgjedhur i SHBA Joe Biden të marrë detyrën në janar, çdo vend në botë do të mbështesë edhe një herë marrëveshjen e klimës në Paris. Dhe nga ana e saj, BE i ka kapërcyer sistematikisht vështirësitë e saj me më shumë integrim. Një fond i ri për rimëkëmbjen nga COVID-19 do të financohet përmes borxhit të përbashkët dhe do të shpërndahet pjesërisht në formën e granteve.

Reflektimi mbi skenarët negativë mund të na ndihmojë ta zgjerojmë dhe përmirësojmë perspektivën tonë. Për shembull, si do të ishte rimëkëmbur ekonomia globale nga recesioni i madh pa stimulimin e siguruar nga Kina, ku industrializimi i shpejtë ka nxjerrë qindra miliona njerëz nga varfëria? Çfarë do të kishte ndodhur nëse pandemia aktuale do të na kishte goditur 20 vjet më parë, kur do të na mungonin teknologjitë e informacionit dhe komunikimit të nevojshme për të mbrojtur shumë sektorë ekonomikë duke promovuar distancën sociale?

Ndërsa 2020 po mbyllet dhe ne fillojmë dekadën e tretë të shekullit njëzet e një, është koha të vlerësojmë me qetësi sukseset dhe dështimet tona të fundit. Kur shohim përpara, ne duhet të shmangim edhe vetëkënaqësinë naive të vitit 2000 dhe sensin paralizues të frikës që ka karakterizuar vitet e Trump, veçanërisht në Perëndim.

Në vitet në vijim, polarizmi gjeopolitik do të duhet të bëhet i pajtueshëm me paqen dhe bashkëpunimin ndërkombëtar – garancitë më të mira të përparimit njerëzor. Ne gjithashtu do të duhet të riparojmë skizmat në shoqëritë tona dixhitale dhe të arrijmë një ekuilibër të qëndrueshëm me natyrën. Këto janë sfida të vështira, por të menaxhueshme. Na mbetet ne të përcaktojmë nëse 2020 do të mbahet mend si një moment mësimi në një shekull të trazuar, apo si një parathënie e të një të ardhme të mbrapshtë.